E Shtunë, 31 Tetor 2026

Martin Parr, ekspozita rekord vizitorësh

Ekspozita e fotografit të njohur britanik Martin Parr ka shënuar rekord vizitorësh në Galerinë Kombëtare të Arteve. E parashikuar për t’u mbyllur që më 5 gusht’ drejtuesit e GKA-së e shtynë mbylljen e ekspozitës për 15 gusht, d.m.th sot, për shkak të vizitorëve të shumtë që kanë shkelur në mjediset e kësaj galerie për të risjellë në kujtesë foto kujtimesh nga Shqipëria e viteve 1990. Numri i vizitorëve në ditë për të parë fotografitë e fotografit britanik Martin Parr shkonte deri në 60 persona. Cikli më interesant për vizitorët shqiptarë mbetet padyshim “Shqipëria 1990”, me 31 foto të përzgjedhura nga 108 fotografi të Shqipërisë së viteve ‘90. Edhe pse jo shumë të largëta në kohë, këto imazhe përshkruajnë një botë të ndryshme nga Shqipëria që njohim tani. Martin Parr erdhi për herë të parë në Shqipëri në vitin 1990 në vendin e vetëm komunist që kishte mbetur në Europë pas rënies së Murit të Berlinit. Ishte koha kur për herë të parë shteti komunist lejoi të organizohej një guide turistike me 14 të ashtuquajtur arkeologë që do të vizitonin sitet tona arkeologjike për arsye studimi. Por në fund 12 prej tyre rezultuan se ishin fotografë dhe reporterë të huaj, që kishin ardhur me misionin për të zbuluar diçka më shumë rreth Shqipërisë. Pikërisht foto nga udhëtimet “turistike” të fotografit Martin Parr nëpër Shqipëri ishin pjesë e ekspozitës së tij në GKA të ndara në 3 cikle të ndryshme: “Shqipëria 1990”, për të vazhduar me “Common Sense” ku Parr prezantonte një koleksion imazhesh të marra nga afër dhe me ngjyra të ndezura, që tregonin detaje të njohura të botës moderne perëndimore. Imazhe nga shumë afër të ushqimeve fast-food apo bizhuterive të femrave formojnë një ineks të botës bashkëkohore dhe cilki i 3-të “Small World”, që është një studim i vazhdueshëm i turizmit global, ku Martin Parr tregon sesi imazhi i një resorti të famshëm është shpesh një kontradiktë me realitetin.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›