E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arditi, “psikologji” me këngëtarët



Se mos t’iu ndodhin gjërat e të votojnë nga inati i njëri-tjetrit, apo kë kam mik e mikeshë të votoj pa marrë parasysh se si është paraqitur – Ardit Gjebrea ka tejkaluar punën e tij si një nga menaxhuesit më të suksesshëm të muzikës në vend, duke realizuar prej 11 vjetësh festivalin e muzikës së lehtë “Kënga Magjike”. Si një rast i paprecedentë, Gjebrea një ditë më parë ka mbledhur të gjithë këngëtarët për t’ua bërë të ditur “kulturën” e votimit të të gjithë konkurruesve: se çdo votim duhet të jetë për më profesionistin. Por nga ana tjetër, ky argument ka nxjerrë në pah dhe sjell në diskutim të ri sistemin e votimit tek ne, e funksionimit të jurisë në këto lloj veprimtarish. Të gjitha kanë rezultuar të pabesueshme kur ka ardhur puna tek fituesit, dhe votat shpesh jo vetëm kanë sjellë pakënaqësi, por janë gjykuar dhe si çështje të një mentaliteti të trashëguar.

Me këtë “edukim” të ndërgjegjes jashtë çdo mentaliteti që shoqëron shqiptarët, Gjebrea mbrëmë ka prezantuar natën e parë të festivalit ku marrin pjesë 57 këngëtarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora. Në mjediset e Pallatin të Kongresit mbrëmë është shënuar nata e parë e garës, që do të vazhdojë sonte dhe nesër.

Thithja e këngëtarëve të rinj, si produkte të spektakleve televizive, por njëkohësisht duke shërbyer edhe një lloj evokimi për këngëtarët e vjetër të skenës, Festivali “Kënga Magjike” po shndërrohet në një nga konkurrentët më të fortë të këngëve të fundvitit që organizon TVSH. Ardhja e disa këngëtarëve potencialë të muzikës së lehtë është quajtur befasi nga organizatorët e festivalit siç është prania e Nora Istrefit dhe Sidrit Bejlerit, që e shkelin skenën e “Këngës Magjike” për herë të parë. Por, ashtu entuziazmin e konkurrencës, në këtë festival e ka shtuar edhe rikthimi i Mira Konçit, Elvana Gjatës, apo Flori Mumajesit etj. Ndërkohë, pjesëmarrës nga viti i shkuar janë këngëtarë të njohur si Soni Malaj, Kastro Ziso (i cili sipas burimeve të pakonfirmuara do të paraqitet në skenë me bashkëshorten e tij), grupi “Produkt 28” etj. Në një prezencë televizive prej më se një muaji në spektaklin “E diela shqiptare”, këngëtarët pjesëmarrës kanë pasur mundësinë të kenë një komunikim me publikun, duke performuar këngët e këtij festivali. Prezantimi i festivalit muzikor “Kënga magjike 2009” do të bëhet nga Ardit Gjebrea dhe Balina Bodinaku, me skenar nga Aldon Lipe.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›