E Diel, 1 Nëntor 2026

Prifti: Shqipëria po rritet me ritmet më të shpejta në Evropë prej rreth 5%



Ndonëse vendi ynë u ndikua nga efekt e krizës globale, rritja ekonomike që pëson Shqipëria është shumë më e lartë se këto efekte. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, ka deklaruar në konferencën e IFC-së për biznesin e vërtetë, që Shqipëria pati efekte negative si rrjedhojë e kësaj krize, por lajmi i mirë paraqet faktin se Shqipëria po rritet me ritmet më të shpejta në Evropë prej rreth 5%. Nga ana tjetër, ministri Prifti tha se vendet fqinje të rajonit kanë pësuar rënie jo vetëm ekonomike, por edhe sociale, duke ndikuar edhe në uljen e pagave dhe pensioneve, Shqipëria ka reaguar me politikat e zhvillimit me rritjen e tyre deri në 10%. Ministri Prifti argumentoi se ndikimi i krizës është vënë re tek ulja e eksporteve në 10%, ulja e të ardhurave nga emigracioni, ulja e kreditimit, por gjithashtu kriza ka dhënë efektet e veta në disa nga kompanitë, e ndërtimit, tekstileve, duke rritur edhe papunësinë. “Por të gjitha këto efekte janë më të ulëta se rritja e të ardhurave nga privatizimet; nga përmirësimi i turizmit si në rritjen e investimeve në turizëm, ashtu edhe në rritjen e vizitorëve në vend, çka ka arritur rekorde të larta këtë vit, falë edhe infrastrukturës së përmirësuar; vënia në punë e tokave bujqësore, duke rritur prodhueshmërinë vendase etj.”, - theksoi z. Prifti. Ai argumentoi se këto efekte pozitive të rritjes ekonomike vijnë edhe si faktor i përmirësimit të klimës së biznesit në Shqipëri, duke krijuar një mjedis më tërheqës për investime të huaja apo vendase, sidomos në sektorë të veçantë ku natyra ka ofruar burime të shumta si në sektorin e minierave, ashtu edhe në atë energjetik. Ministri e vlerësoi qeverinë si partnerin më të mirë të biznesit, duke u shprehur shumë optimist për një të ardhme më të lehtësuar për biznesin. Ai paraqiti këtu iniciativa të reja tepër të rëndësishme që po programohen për t’u vënë në funksion sa më parë si: “One stop shop”, për energjinë dhe minierat, duke hartuar projektligjin për procesin, duke ofruar garancinë e pronës për investitorët e huaj, heqja e TVSH për arsimin, ulja e taksave në sektorin shëndetësor, hartimi i skemës së garantimit të kredive, vazhdimi i investimeve publike në infrastrukturë, hapje të zonave të reja industriale etj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›