Trageti që u arratis nga Durrësi, përfundon në furrat e shkrirjes
Pasi u furnizua me afro 2.5 tonë karburant në Brindizi dhe është nisur drejt Turqisë, trageti “Mermaid”, i cili në datën 9 nëntor u largua tinëzisht nga porti i Durrësit duke iu shmangur procedurave portuale, ka përfunduar në furrat metalurgjike turke. Burimet nga Kapiteneria e Porteve thane se “ndaj tij nuk është vendosur asnjë sanksion ndërkombëtar me gjithë njoftimin që porti i Durrësit lëshoi ndaj porteve të vendeve të tjera ballkanike dhe evropiane”. Të njëjtat burime u shprehën: “Destinacioni përfundimtar për të janë furrat e shkrirjes për skrap”. Specialistët e lundrimit në portin e Durrësit u shprehën dje për “standard” se “gjendja e mjetit lundrues ishte skandaloze, ishte jashtë kondicioneve edhe pse u ishte nënshtruar disa riparimeve në kantierin “Kurum” para 3 muajve”.
Si ka ndodhur
Trageti i cili mbante flamur lituanez, pasi u largua nga porti i Durrësit në 9 nëntor 2009, përfundoi në portin e Brindizit, ku ka marrë çuditërisht sasi të konsiderueshme nafte. Por, edhe pse Kapiteneria e Portit të Durrësit njoftoi me urgjencë të gjitha portet e vendeve fqinje për largimin në mesnatë, duke kërkuar ndihmën e tyre, deri dje të paktën kur u mësua fati i mjetit, nuk pati asnjë reagim. Burime konfidenciale nga porti thanë dje për “standard” se “pasi trageti ka arritur në portin e Brindisit, u furnizua plot me karburant dhe pas pak ditësh u rinis për lundrim. Destinacioni i tij ishte Turqia, ku ka të ngjarë që të jetë shitur për skrap dhe do t’u nënshtrohet procedurave të copëtimit e më pas atyre të shkrirjeve në metalurgjitë e Turqisë”.
Pak informacion
Në muajin gusht trageti “Mermaid” i llojit Ro-Ro, me flamur lituanez, ishte marrë me qera nga një subjekt privat në Durrës. Ai u licencua për të kryer transporte kamionësh dhe pasagjerësh në linjën Trieste-Durrës e kthim, por kur ka përfunduar sezoni veror, puna u reduktua ndjeshëm dhe pronarët vendosën që anijen ta riparonin në kantierin “Kurum” të portit të Durrësit. Pas disa ditësh në kantier, papritmas trageti u largua nga porti. Trageti kishte kapacitet transportues për 50 kamionë dhe 90 pasagjerë. Ai u ankorua në portin e Brindizit e prej andej ka përfunduar në portet e Turqisë.