Argita Malltezi: Edi Rama, politikan i dështuar dhe i rënë në llumin e shpifjeve
Reagimi për mediat e vajzës së kryeministrit, Argita Berisha Malltezi
Në përpjekjet e tij për të mbuluar shkeljet flagrante të ligjit, me vendimet e marra në konflikt interesi për lëshimin e lejes së ndërtimit të pallatit 5 katesh të bashkëshortes së tij, Lindita Basha - leje të lëshuara në kundërshtim me nenin 62 të ligjit “Për urbanistikën”, për një ndërtim në një shesh midis pallateve, me qellim për të zhurmuar deklaratat e ndërtuesve të Tiranës të cilët haptas e kanë akuzuar se u ka kërkuar miliona euro në shkëmbim të vendim-marrjes së tij publike për lëshimin e lejeve të ndërtimit, z.Rama ka lëshuar arsenalin e tij me shpifje dhe spekulime ndaj aktivitetit tim privat avokator të 6 viteve më parë.
Z.Rama, bëhesh qesharak kur kërkon t’i shpëtosh transparencës publike duke krahasuar veprimtarinë time legjitime avokatore private me vendim-marrjen tënde publike. Çdo shqiptar e di se midis tarifave të mia avokatore të vendosura sipas ligjit mbi avokatinë dhe denoncimeve për gjobvënie në pozicionin e kryetarit të bashkisë nuk ka asgjë të përbashkët. Biznesmeni në fjalë, si dhe çdo aktivitet tjetër në të cilin jam angazhuar, ka qenë mbi investime me fonde private dhe jo me fonde shtetërore; toka e ofruar ka qenë private dhe pronari sigurisht që e vendos vetë çmimin sipas tregut. Të gjitha të ardhurat e mia janë të deklaruara, transparente dhe të tatuara konform ligjeve në fuqi.
Qartazi Z.Rama, mungesa juaj e vizionit politik ju rrëzon çdo ditë në llumin e shpifjeve dhe sulmeve të rëndomta. Riciklimi i përsëritur i tyre pas katër vitesh do t’ju çojë në të njëjtin përfundim - humbjen, të cilën nuk keni ditur kurrë ta përballoni me dinjitet.
...