Republika paralele
Të njëjtën rrugë kreu politikisht Serbia, siç në studime fillimisht eksperimentohet dhe zbatimet gjerësisht paraprihen me projekte pilot. Beogradi e kreu eksperimentin politik dhe zbatoi projektin pilot, vetëm në veri të Kosovës, në territorin e tjetër shteti, pa i marrë askujt leje dhe duke i sfiduar hapur të gjithë. Që prej disa vitesh, prova e tyre kryeneçe, njihet në tërë botën me emrin Struktura Paralele. Me to u bë lufta për pushtet në Beograd, me to u mbajt në stërvitje ultranacionaliste pakica serbe, me to u mat caku i mosveprimit të faktorit ndërkombëtar, me to u kufizua fuqia qeverisëse e Prishtinës në territorin e vet, me to u veprua kundër Planit Ahtisaari dhe me to u përcaktua koha për të folur edhe për statusin dhe mundësinë e një politike perfide për t’i përputhur tri gjëra: të mos preket kushtetuta serbe, të ecet kah Bashkimi Europian dhe të mos humbet Kosova. Të gjitha këto, sipas rezolutës së miratuar në parlament, e cila shpreh edhe thelbin e platformës ende të papublikuar, me synim “… tejkalimin e paralelizmit institucional në territorin e krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë” dhe, siç e shqiptoi më pas kryeministri Ivica Daçiç, veçantia serbe të marrë të drejtën e “…një rajoni të posaçëm”. Madje, ditën e martë, më 15 dhjetor 2013, kryeministri Daçiç, hodhi mbi tavolinën e politikës joshjen e hatashme që, Serbia do të pranonte edhe një karrike për Kosovën në OKB, “…por që ajo të arrihet, duhet edhe të jepet diçka”. Ngritja e strukturave paralele në statusin e Autonomisë Territoriale, domethënë faktikisht krijimi i Republikës Paralele është kjo diçka, përftimi i dy njësive qeverisëse brenda shtetit, Republika e Kosovës e shqiptarëve dhe Republika e Kosovës e serbëve, ndarje e projektuar në platformën Nikoliç, për të cilën, siç ka deklaruar vet me një farë vetëmburrjeje, ai ka dy vjet që punon pa ndërprerë, e bash kjo e hedh në përrua sovranitetin dhe integritetin e Kosovës, e zhbën pavarësinë, e vërvit në histori Planin Ahtisaari, e dështon shtetin, e çon dëm investimin euro-atlantik dhe, përmes kësaj republike kanceroze, Serbia kthehet aty nga ku u shporr me luftë. Dhe, kjo, domethënë platforma, siç tha Nikoliç, është më e pakta që Serbia ka bërë që nga lufta dhe më e shumta që mund të bëj Beogradi në këto kushte. Pikëpamjet e shprehura se Serbia përpiqet të krijojë në Kosovë një Republikë Serpska boshnjake, është e pasaktë, pasi pakica serbe e Kosovës, nëse organizohet në “…një rajon të posaçëm”, do të përbënte zgjatimin e shtetit të Serbisë në Kosovë në formën e metastazave. Atë që Moska e fuqishme e kreu me tanke në Gjeorgji, Beogradi i pafuqishëm mëton ta bëjë kundër Kosovës me plaformën.
Bisedimet do të vijojnë, por mbeten disa caqe të paprekshme: Pavarësia është kompromisi më i epërm i shqiptarëve dhe nuk mund të bisedohet për të. Tërësia e territorit dhe sovraniteti janë të pacënueshëm sepse shqiptarët nuk janë qiraxhinj në tokë serbe dhe lirinë nuk e kanë prej tyre. Plani Ahtisaari është pranuar dhe zbatuar, duhet thënë edhe me dhimbje, ndaj përtej tij nuk mund të ketë Plus. Komunat me shumicë serbe nuk mund të marrin statusin e komunave autonome, pasi 100-200 mijë serbë saç nuk janë, në 2 milionë sa është popullsia e Kosovës, nuk mund të barabiten për formimin e një shteti të dytë, përveçse janë stërpakicë, edhe ashtu janë të shpërndarë. Pas një lufte të fituar, pas një pavarësie të ndërtuar, pas një shteti të ngritur, pas njohjeve që po kapin shifrën 100, pas një vendimi të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, e drejta e Serbisë në Kosovë nuk mund të jetë më tepër saç është e drejta e ngjashme për pakicat edhe nëpër botë. Është e padrejtë gjithë kjo vuajtje e popullit të Kosovës për të ecur më shpejt përpara: çlirimi ushtarak nga pushtimi serb u krye për 78 ditë, çlirimi paqësor nga pengimi serb nuk ka përfunduar as për 13 vjet.
Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nuk duhet pranuar të arrihet duke e lejuar Serbinë të qeverisë brenda Kosovës me Statusin e Komunave Autonome, domethënë me Republikë Paralele, apo sipas amerikanëve, që Serbia “të krijojë një sistem ku serbët e Kosovës do të qeveriseshin ndaras”.