Argita Malltezi: “Rama të shpjegojë çmimin qesharak të blerjes së tokës në Dajt”
Krahas përgjigjeve që kreu i PS, Edi Rama duhet të japë për burimin e 100 milionë lekëve kredi të gruas së tij dhe burimin e padeklaruar të mbi 1 milion euro të ndërtimit të pallatit pajë të bashkëshortes së tij, znj. Malltezi thekson edhe çmimin qesharak me të cilin çifti Rama ka blerë tokën në Dajt, ndërkohë që disa vite më parë çmimi edhe në zona më të thella ka qenë dhjetë herë më i lartë
Vajza e kryeministrit Argita Malltezi ka reaguar dje pas akuzave të fundit të Partisë Socialiste. Për znj. Malltezi akuzat e djeshme janë seria e radhës e shpifjeve të Ramës, i cili do të fshehë lejet e ndërtimit të dhëna për ndërtimin e pallatit të bashkëshortes së tij. “Zoti Rama vazhdon serinë e tij të shpifjeve bajate të përditshme me zëdhënësit e tij të paguar. Njësoj si i mbyturi që mendon se shpëton duke u kapur në një fije bari ti Z.Rama beson se mund të fshehësh lejet e dhëna për ndërtimin e pallatit të Lindita Bashës, në kundërshtim të hapur me ligjin për konfliktin e interesit dhe ligjin e urbanistikës, duke sulmuar tarifat private të një studioje avokatore, të caktuara në mënyrë transparente dhe në përputhje të plotë me ligjin e avokatisë. Përsëri, i kapur nga paniku, ti mendon se duke më përmendur mua tarifat e shitjes së tokës nga privati tek privati, mund ti shpëtosh transparencës dhe të fshehësh burimin e padeklaruar të mbi 1 milion euro të ndërtimit të pallatit pajë nga një pensionist dhe kunati yt i vetëpunësuar dhe mungesën e faturave të ndërtimit të këtij pallati”, sqaron Malltezi. Duke i kujtuar kryesocialistit se duhet të deklarojnë burimin e 100 milionë lekëve kredi të gruas së tij, Malltezi hedh dyshime edhe për çmimin e tokës në Dajt ku Rama e Linda po ndërtojnë shtëpinë e tyre. “Ti sulmon pse u kam deklaruar me transparencë të interesuarve çmimin e tokës me të cilin e shisnin pronarët privatë. Të kujtoj që transparenca është standard ligjor dhe moral të cilin duhet të gjesh kurajën ta zbatosh dhe ti, për të deklaruar para shqiptarëve burimin e 100 milionë lekëve kredi pa interes të gruas suaj si dhe arsyen e çmimit qesharak prej 2 dollarësh me të cilin keni blerë tokën e sarajeve me gjatësi 57 m linear që po ndërton në Dajt, ndërkohë që disa vite më parë çmimi edhe në zona më të thella ka qenë dhjetë herë më i lartë”, thuhet më tej në reagimin e Argita Malltezit.