E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rishfaqja e komunistëve si kërcënues të paqes dhe stabilitetit

25-01-2013 / Nga Ilirian Dahri

Situata duket e vështirë por thellë – thellë nuk është pikërisht kështu. Sipas të gjitha gjasave regjimi diktatorial i Koresë së Veriut kërkon të jetë në qendër të vëmendjes në arenën ndërkombëtare ndoshta me qëllimin e thjeshtë dhe të vetëm: kërkojnë të marrin ndihma. Për të arritur pikërisht tek ndihmat për të cilat kanë një nevojë urgjente, duke parë edhe situatën e rëndë ekonomike që ka pllakosur vendin nën diktaturë, lideri i ri po përpiqet të luajë të gjitha kartat e mundshme për të arritur në qëllimin e tij. Nga ana tjetër nuk ka si të jetë ndryshe sepse situata po shkon drejt paradoksit. Në një kohë kur vendimet  e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara njihen nga pjesa dërrmuese e vendeve, ky vend me një regjim diktatorial të instaluar prej vitesh, nuk i merr në konsideratë vendimet e Këshillit. Në të vërtetë i mbledhur për herë të parë në Londër (më 17 janar bëheshin saktësisht 67 vjet) në vitin 1946, me qëllimin e vetëm që shënohet në bazë të artikullit 24, të statutit të Kombeve të Bashkuara, Këshilli ka si detyrë dhe si përgjegjësi kryesore ruajtjen e paqes dhe të sigurisë ndërkombëtare. Por një vend me një regjim dikatorial si Koreja e Veriut këmbëngul me forcë dhe kërkon të kryejë “një test bërthamor të klasit të lartë” madje duke shtuar se objektivi i vetëm do të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është komentuar ndërkaq si një përgjigje e sanksioneve që u vendosën të martën nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, sanksione që ishin të lidhura  direkt me regjimin dikatorial për lëshimin e satelitëve dhe raketave. Aty për aty zyrtarët e lartë të Koresë së Veriut hodhën hipotezën e një eksperimenti tjetër bërthamor si ato të kryera në vitin 2006 dhe 2009, ndërsa vetëm pak më vonë kanë saktësuar se kanë vënë në shënjestër “armikun e betuar” të tyre, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për një hop duket se nuk është një manovër diplomatike nisur nga fakti se nuk janë shprehur burime diplomatike por vetë Komisioni Kombëtar i Mbrojtjes së Koresë së Veriut, që  në të njëjtën kohë është dhe organi institucional i vendit dikatorial. Në fakt ka qenë një lajm i shpërndarë nga agjensia shtetërore e koresë Kcna. “Që mund të jetë test ose jo varet nga Korea e Veriut” – kështu është shprehur i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështjet e Veriut duke vazhduar se: “Shpresojmë shumë që mos ta bëjnë, kërkojmë që mos ta bëjnë. Do të ishte një gabim dhe një rast i munguar në momentin që do të vendosnin për ta bërë këtë”- ka deklaruar Glyn Davies. -“Ky nuk është momenti për të rritur tensionet në gadishullin korean, por një rast për të rilidhur kontaktet me jashtë”. Reagim i koreanoveriorëve ka qenë i shpejtë dhe i vendosur. “Në fazën e re të luftës tonë shekullore me SHBA, nuk fshehim faktin që satelitë të ndryshëm dhe raketa do të vazhdojnë të provohen madje edhe teste të nivelit të lartë që do të kenë si objektiv armikun tonë të betuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës” – ka njoftuar agjensia shtetërore Kcna. Natyrisht lajmi ka shqetësuar edhe vendet përreth,  madje edhe një vend i shquar si mik i Koresë së Veriut siç është rasti i Kinës, ka kërkuar nga të gjitha vendet që të ruhet qetësia duke ngulmuar në mos vazhdimin e aksioneve të tilla të cilat mund të shtojnë tensionet në rajon. Edhe presidenti kinez, Xi Jinping, është shprehur kundër zhvilllimit të arsenaleve bërthamore dhe të armëve të tjera të shkatërrimit në masë nga ana e Koresë së Veriut. Shqetësimi kryesor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe i vetë Kinës por edhe i vendeve të tjera është se në vitet 2006 dhe 2009, në provat bërthamore të zhvilluara nëntokë, regjimi diktatorial i Koresë së Veriut ka përdorur plutonin dhe sipas bashkësisë ndërkombëtare tashmë këto mund të kryhen me uran. Në të njëtën kohë regjimi  ka një sistem raketor me një fuqi të kufizuar për prova bërthamore dhe që sipas specialistëve gjithsesi nuk mund të arrijnë dot Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Natyrisht gjithcka lidhet me atë që ndodhi më 11 dhe 12 dhjetor të vitit 2012, që është gjykuar si një eksperiment raketor edhe pse koreanoveriorët e kanë përcaktuar thjesht si një satelit meteorologjik. A do të jetë kjo prova e parë bërhamore e Kim Jong – un? Një vend që kërcënon (me fjalë sepse sipas shumë analistëve edhe në parada dallohen qartë raketat prej kartoni të koreanoveriorëve) jo vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe aletatë e tyre që janë cilësuar nga regjimi koreanoverior si armiqtë më të betuar duke e cilësuar ndërkaq edhe Rezolutën si “fazën më të rrezikshme të politikës armiqësore përkundrejt Republikës demokratike të Koresë së Veriut”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›