E Shtunë, 31 Tetor 2026

Argjentinë-Gjermani, sfida ka filluar...

I pari që ka nisur me deklaratat thumbuese ka qenë mesfushori Bastian Shvajnshtajger. “Nuk i duroj dot provokimet e argjentinasve, mënyrën e tyre të të sjellurit dhe përpjekjet për të ndikuar gjyqtarin. Kanë mungesë respekti. Edhe tifozët në stadium ulen ku duan, pa respektuar vendet e biletave. Kjo është mendësia e tyre”, u shpreh lojtari bavarez.

E menjëhershme ka qenë kundërpërgjigjja e Maradonës. Në një intervistë për Fox News trajneri argjentinas iu drejtua direkt Shvajnshtajgerit: “ç’ke, Bastian? Je nervoz?”. Më pas përpjekja për ta injoruar: “Nuk kemi kohë të merremi me të. S’më intereson çfarë thotë ai. Djemtë mendojnë vetëm të marrin hak për humbjen e 2006-ës. Do të luajmë në sulm, loja ka për t’u zhvilluar në gjysmëfushën e tyre. Prandaj ata janë të shqetësuar”.

Ai që ka menduar të qetësojë situatën është Martin Demikelis. I ndodhur mes dy zjarresh (“Shvajni” është shoku i ekipit te Bajerni i Mynihut), qendërmbrojtësi ka provyar të vendosë “paqe” mes palëve: “Ajo që ka thënë Bastiani ka pak rëndësi. Fjalën e fundit e ka fusha e lojës. Deklaratat e tij vijnë nga nervozizmi, por gjithsesi pas ndeshjes do të jemi sërish miq”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›