E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ari Han: Fitorja, gjithmonë e rëndësishme

Nga grumbullimi i Kombëtares në Azerbajxhan, Ari Han nuk e fsheh synimin për të fituar në sfidën e 19 nëntorit, pavarësisht se ajo është vetëm një miqësore.

Takimi në Baku, i cili do të transmetohet direkt nga paketa “SuperSport”, në orën 17:00, është një test i rëndësishëm përpara ndeshjes eliminatore të muajit shkurt me Maltën.

“Kemi bërë një punë të mirë, si në aspektin stërvitor, ashtu edhe në përgatitje. Për këtë ndeshje na mungojnë disa lojtarë titullarë, të cilët kanë pasur probleme me dëmtimet”, deklaroi Han pas stërvitjes së djeshme të kuqezinjve. “Nëse Shqipëria do të luajë me rezervat? Për mua, koncepti i futbollistëve ‘rezervë’ në Kombëtare nuk ekziston. Kam në dispozicion një grup prej 28-30 lojtarësh, të cilët mund të aktivizohen dhe t’i shërbejnë skuadrës në çdo moment. Kjo sepse, siç ndodhi për këtë miqësore, dikush edhe mund të mungojë”.

Edhe pse është një takim përgatitor, tekniku holandez nuk e fsheh ambicien për t’u larguar nga Azerbajxhani me një fitore:

“Për mua rezultati është shumë i rëndësishëm. Këtë ndeshje e shohim si një përgatitje për sfidën e ardhshme në eliminatoret e Botërorit 2010, ku do të luajmë përballë Maltës. Megjithatë, dëshiroj të saktësoj se përgatitja është e rëndësishme, jo vetëm në planin fizik, por edhe në planin psikologjik. Fitoret me ekipin përfaqësues janë gjithmonë të pëlqyeshme”. Duke folur për kundërshtarët e ardhshëm të Shqipërisë në Grupin 1 eliminator, Han pohoi se tashmë në Evropë nuk ekzistojnë më skuadrat e vogla.

“Në kontinent nuk ka më ekipe të dobëta. Për mendimin tim, Shqipëria e konfirmoi këtë në ndeshjen me Portugalinë. Mjafton të ndryshosh psikologjinë e futbollistëve: nëse përfaqëson një vend të vogël, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se duhet të humbasësh. Është e rëndësishme t’i bësh lojtarët që të besojnë në forcën e tyre”, shtoi më tej drejtuesi i stolit kuqezi.

Të dielën, Ari Han festoi 60-vjetorin dhe urimet u improvizuan në aeroportin e Stambollit, gjatë pritjes për t’u nisur për në Azerbajxhan.

“Për shkak të kësaj miqësoreje, ishte e nevojshme që festën e ditëlindjes ta organizoja të shtunën. Nuk bëra asgjë të veçantë, thjesht u mblodha me familjen time. Lojtarët? Sigurisht që më uruan”, pohoi ai. Në fund edhe dy fjalë për sfidën me Berti Vogs (trajnerin e Azerbajxhanit), për finalen e Botërorit 1974, ku Holanda e Han humbi përballë Gjermanisë.

Trajneri tha: “Po, Gjermania na mposhti. Në përgjithësi, sfidat kundër tyre na stimulonin. Në atë finale luajtëm më mirë, por fatkeqësisht humbëm. Gjithsesi, me Berti Vogs tashmë jam mik. Disa muaj më parë u takuam dhe shkëmbyem disa mendime. M’u bë shumë qejfi që e pashë sërish. Nëse e mendoj hakmarrjen? Nëse kjo sfidë Azerbajxhan-Shqipëri do të luhej për finalen e Kupës së Botës, atëherë mund ta shihja si të tillë. Do të më pëlqente të hakmerresha...”.



Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›