Tirana, shpërbëhet pokeri i donatorëve

Bëhet fjalë për drejtuesit: nga katër donatorë, tashmë bardheblutë sponsorizohen vetëm nga Refik Halili (që për këtë sezon mban postin e presidentit) dhe Shefikat Ngjela.
Shpërbërja ka ndodhur që prej muajit korrik, por vetëm tashmë është bërë publike. Halili ka deklaruar se Avni Nuri është tërhequr nga financimi i skuadrës, për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme, ndërkohë që donatori tjetër, Agron Papuli, ka ende borxhe të prapambetura me klubin.
Në këtë mënyrë, konfirmohet krisja mes drejtuesve, por që sipas presidentit nuk do të ndikojë në ecurinë e skuadrës, pasi 23 herë kampionët mund të mbështeten te një fond i paprekshëm: “Donatori Nuri nuk ka pranuar që ta firmosë kontratën, pavarësisht se jemi takuar disa herë, tha Halili.
Pavarësisht kësaj, financat e Tiranës nuk kanë probleme, pasi kontratat e stafit dhe lojtarëve do të zbatohen me përpikmëri. Personalisht kam investuar për skuadrën 690 milionë lekë të vjetra”.
Më tej, ai foli për borxhin e donatorit Papuli, që sipas kontratës kap shumën e 40 mijë eurove. Paratë nuk janë derdhur në arkat e bardhebluve dhe kjo mund të sjellë heqjen e sponsorit nga fanella e skuadrës.
Me gjithë problemet që ekzistojnë mes drejtuesve, Halili konfirmoi se tekniku Blazhe Slishkoviç nuk është vënë asnjëherë në dyshim dhe ai do të qëndrojë me skuadrën deri në fund të kontratës.