E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ari Han: “Kombëtarja kërkon impenjim mbi 100 për qind”

Trajneri i Shqipërisë flet para sfidës me Azerbajxhanin. Holandezi: “Kemi katër mungesa të rëndësishme në skuadër”

Një ditë përpara ndeshjes me Azerbajxhanin, si do ta vlerësonte trajneri Han gjendjen e skuadrës?

Kemi katër mungesa të rëndësishme në skuadër. Tre futbollistë janë të dëmtuar dhe nuk mund të vinin. I katërti, Lorik Cana, ka qëndruar në shtëpi me lejen time. Duke parë impenjimet e tij të shumta dhe të lodhshme, largësinë që duhet të përshkonte, e lejova të mos vinte. Nga ana tjetër, mungesa e tij i hap rrugën aktivizimit të disa lojtarëve të tjerë dhe disa eksperimenteve që dëshiroj të aplikoj në këtë takim. Gjendja e pjesës tjetër të skuadrës është mjaft e mirë dhe kam parë te futbollistët një dëshirë të madhe gjatë këtyre ditëve.

Përballë është Azerbajxhani. Jeni i kënaqur nga kjo zgjedhje?

E kam theksuar edhe herë tjetër që miqësorja me Azerbajxhanin është një mundësi mjaft e mirë për të përgatitur takimin e radhës me Maltën. Janë skuadra me karakteristika të përbashkëta dhe ne do të bëjmë disa eksperimente. E shikoj si një ndeshje interesante që do t’i shërbejë mjaft skuadrës. Edhe për kundërshtarin, një takim i tillë, ka mjaft anë pozitive, kështu që mendoj se do të kemi një shfaqje të bukur..

Cila do të ishte këshilla juaj kryesore për skuadrën?

Djemtë vijnë nga ndeshje të forta në kampionatet e tyre. Udhëtimi ka qenë i gjatë dhe i lodhshëm. Por në fushë, të mërkurën ne duhet të japim maksimumin. Ajo për të cilën kam folur këto ditë dhe do ta theksoj në analizën time nesër është fakti që ne duhet të impenjohemi seriozisht dhe të japim maksimumin, në mënyrë që të vazhdojmë rezultatet pozitive. Kjo është shumë e mirë për ne. Kombëtarja është një gjë e veçantë dhe për të arritur te rezultati duhet të japësh gjithmonë mbi 100%.

Një pyetje që media e ka mjaft për zemër: Kush do të jetë kapiteni i Shqipërisë në këtë takim, duke qenë se mungojnë si Lala, ashtu dhe zëvendëskapiteni Cana?

Emrin do ta mësoni nesër. Po kështu edhe formacionin. Ju e dini tashmë se atë e deklaroj vetëm ditën e ndeshjes. Sa i takon kapitenit, për këtë takim mund t’ju konfirmoj se ai do të jetë një nga futbollistët më me eksperiencë të ekipit.

Çdo grumbullim apo ndeshje, qoftë kjo zyrtare apo miqësore, kanë të veçantat e tyre. Cila është e veçanta e ndeshjes kundër Azerbajxhanit, sipas jush?

Fakti që është një skuadër e re. Ka shumë lojtarë të rinj. Nuk mund ta them me siguri absolute, sepse mund të gaboj diçka në statistika, por kjo është skuadra më e re në moshë e viteve të fundit. Mendoni, pesë futbollistë kanë luajtur vjet me ekipin Shpresa. Madje edhe këtu në Azerbajxhan, për eliminatoret e grupit. Kjo mendoj se është një gjë pozitive, e cila na bën të besojmë shumë për të ardhmen e Kombëtares shqiptare.

Sfidat
Shpresat, dy barazime me Azerbajxhanin

Shpresat e Shqipërisë kanë barazuar në dy përballjet me Azerbajxhanin, në kuadër të eliminatoreve të Kampionatit Europian U-21. Takimi në Azerbajxhan u mbyll me rezultatin e barabartë 1-1 në “Ismail Qaibov” të Bakut. Pjesa e parë u mbyll 0-0, ndërsa në fraksionin e dytë shënuan të parët azerët, më pas barazuan kuqezinjtë tanë me anë të Shoshit. Elis Bakaj u ndëshkua në atë takim me karton të kuq. Në takimin e kthimit të luajtur në Vlorë me Azerbajxhanin U-21 ndeshja përfundoi 0-0.

Katër repartet kundër azerëve

PORTA- Katërkëndëshi i është besuar Isli Hidit e Saimir Ujkani. Arjan Beqaj, edhe pse i thirrur, është i dëmtuar.

MBROJTJA – Repart i konsoliduar për të përballuar një miqësore si ajo kundër Azerbajxhanit. Debatik Curri, Armend Dallku, Kristi Vangjeli, Admir Teli, Endri Vrapi e së fundi i thirrur edhe Andi Lila.

MESFUSHA - Kapiteni Altin Lala (dëmtim) dhe zëvendësi i tij Lorik Cana (me leje për shkak impenjimesh) mungojnë, por janë Ervin Skela, Klodian Duro, Ervin Bulku, Elis Bakaj, Ansi Agolli. Së fundi u thirr edhe Gjergji Muzaka.

SULMI - Thuajse mungojnë të gjithë: Erjon Bogdani, Edmond Kapllani e Hamdi Salihi. Violinë e parë është Besart Berisha, i mbështetur nga shkodranët Xhevair Sukaj e Gilman Lika.

LISTA E KOMBËTARES

Portierë
Isli Hidi (Alki, Qipro)
Saimir Ujkani (Palermo, Itali)

Mbrojtës
Armend Dallku (Vorskla, Ukrainë)
Kristi Vangjeli (Aris, Greqi)
Debatik Curri (Vorskla, Ukrainë)
Endri Vrapi (Elbasani, Shqipëri)
Admir Teli (Hacettepe, Turqi)
Elvin Beqiri (Vllaznia, Shqipëri)
Andi Lila (Tirana, Shqipëri)

Mesfushorë
Klodian Duro (Omonia Nik, Qipro)
Ervin Skela (Kotbus, Gjermani)
Ansi Agolli (Tirana, Shqipëri)
Elis Bakaj (Partizani (Shqipëri)
Ervin Bulku (Krivbas Krivi,Ukrainë)
Gjergji Muzaka (Tirana, Shqiperi)

Sulmues
Besart Berisha (Rozenborg, Norvegji)
Gilman Lika (Hacetepe, Turqi)
Xhevair Sukaj (Hacetepe, Turqi)

Historia e tri fitoreve me Azerbajxhanin
Trajneri holandez Ari Han është tekniku i katërt që drejton Shqipërinë në një ndeshje kundër Azerbajxhanit, pas shqiptarëve Medin Zhega e Sulejman Demollari, si dhe gjermanit Hans Peter Brigel. Ja dhe detajet e tri fitoreve me Azerbajxhanin.

2000: 1-0
Takimi i parë historik midis dy vendeve, ai i 8 shkurtit të vitit 2000, ka qenë një ndeshje miqësore, por e luajtur në Valeta të Maltës, në kuadër të Turneut "Kupa Rothmans", ku përveç Shqipërisë e Azerbajxhanit, morën pjesë edhe Malta e Andorra.
Shqipëria, e drejtuar nga Medin Zhega, e fitoi atë takim me rezultatin 1-0, të zhvilluar në "Ta'Qali". Golin e vetëm të takimit e shënoi Edvin Murati në minutën e 37-të. Në këtë turne, Shqipëria ka fituar trofeun e dytë ndërkombëtar, pas atij në Kampionatin Ballkanik të vitit 1946.

2002: 1-0
Në përballjen e dytë, më 27 mars 2002, Shqipëria e drejtuar nga Sulejman Demollari fitoi me të njëjtin rezultat 1-0, falë golit të Igli Tares në minutën e 39-të. Në atë takim janë aktivizuar edhe Arjan Beqaj, Altin Lala, Ervin Bulku, Klodian Duro dhe Erjon Bogdani, të cilët ende luajnë për fanellën kuqezezë.

2005: 2-1
Takimi i tretë daton më 17.08.2005 dhe sërish Shqipëria e drejtuar nga gjermani Hans Peter Brigel ka dalë fituese nga skuadrës azere: 2-1. Azeri Takishzahda shënoi në minutën e 2-të për miqtë, ndërsa për Shqipërinë realizuan Alban Bushi në minutën e 28-të (goli i 13 i tij me fanellën e Shqipërisë) e Lorik Cana në të 72' (goli i parë i tij me kuqezinjtë). Nga lojtarët e tjerë që ka në dispozicion Hani ka luajtur në atë takim Hidi e Kapllani.

STATISTIKAT ME AZERBAJXHANIN

08.02.2000
Shqipëri - Azerbajxhan 1-0
Shënues: Edvin Murati 37'
Trajner: Medin Zhega

27.03.2002
Shqipëri - Azerbajxhan 1-0
Shënues: Igli Tare 39'
Trajner: Sulejman Demollari

17.08.2005
Shqipëri - Azerbajxhan 2-1
Shënues:Bushi 28', Cana 72'/ Takishzahda 2'
Trajner: Hans Peter Brigel

19.11.2008
Azerbajxhan-Shqipëri
Sot, ora 17:00
Trajner: Ari Han

19 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›