Në kërkim të sulmuesit “gol”
Pesë gola në gjashtë takimet zyrtare e miqësore, aq më tepër të shënuar kundër formacioneve “lilipute” si Lihtenshtejni (2-0) e Malta (3-0), janë një arsye e fortë për të besuar se Kombëtares shqiptare i mungon njeriu-gol. Për fat të keq, në ndeshjen kundër azerëve në Baku, mungojnë dy futbollistët që sigluan edhe fitoren 2-0 kundër Lihtenshtejnit: Jahmir Hyka e Edmond Kapllani, të dy të mosthirrur për shkak të aktivizimit të pakët me klubet e tyre, respektivisht Mainc 05 e Karlsruhe në Gjermani. Han synon fitoren në ndeshjen e radhës kundër Maltës në shkurt 2009, ku Shqipëria mund të marrë serish edhe kryesimin në grup përpara se të ndeshet me Hungarinë në mars të po këtij viti, por si fillim atij i duhet të “krijojë” golashënuesin tipik. Azerbajxhani, një kundërshtar me të cilin jemi përballur më parë tri herë (3 fitore, 4 gola të shënuar, 1 i pësuar), është një mundësi e mirë për të shënuar dhe për të çliruar psikologjikisht lojtarët e vijës së parë nga ngërçi.
HANI - Të dielën Ari Han festoi 60-vjetorin e tij, ndërkohë që tri ditë më pas, të mërkurën, do të përballet në Baku me Azerbajxhanin, në sfidën e tij të tretë miqësore pas atyre me Poloninë dhe Lihtenshtejnin. Përpara nisjes për në Azerbajxhan, Han e vlerësoi takimin si një test shumë të mirë përpara ballafaqimit zyrtar me Maltën në shkurtin e ardhshëm. “Është një ndeshje shumë e mirë për ne. Sigurisht që nuk ka të njëjtat vlera si ato zyrtare në kualifikueset e Kampionatit Botëror, por është në momentin e duhur. Është ndeshja e vetme përpara Maltës. Mendoj se do të jetë një test i mirë për lojtarët e grumbulluar, sidomos për ata që nuk kam pasur rastin t’i kem në grupin tim. Të gjitha ndeshjet ndërkombëtare janë të rëndësishme dhe kur ke përballë kundërshtarë, të cilët konsiderohen më të dobët, natyrshëm që synon fitoren”.
SKELA – Edhe për mediat azerbajxhanase trajneri i katërt i huaj i epokës presidenciale “Duka”, pohoi se kishte ardhur në Azerbajxhanin e largët vetëm për fitore, edhe pse listës së zakonshme i mungojnë të gjithë emrat me peshë, përfshirë kapitenin Altin Lala e zëvendësin e tij, Lorik Cana, ky i fundit ka shënuar edhe golin e fitores 2-1 kundër Azerbajxhanit në përballjen e tretë me azerët. Mungesa të mëdha janë edhe Erion Bogdani, Edmond Kapllani, Hamdi Salihi. Ndoshta shiritin e kapitenit do ta mbajë Ervin Skela (golashënuesi më i mirë te lojtarët e thirrur nga Hani) ose dhe Klodian Duro (si lojtari jo vetëm me më shumë ndeshje në grupin aktual).
CURRI – Debatik Curri pohoi nga Azerbajxhani se ndien pak dhimbje në këmbë, por gjithsesi është gati të përballojë të gjitha minutat. “Entuziazmi ekziston në grup. Pavarësisht se kundërshtari është i lehtë në letër, përsëri duhet marrë shumë seriozisht takimi”. Edhe mbrojtësi kosovar Armend Dallu, duke qenë se luan në Ukrainë, ashtu si Curri (madje në një ekip), ishte në vëmendjen e medias azere. “Mendoj se do jetë ndeshje interesante. Miqësoret janë rast për të provuar lojtarë të rinj dhe skema të reja. Trajnerët mendojnë për të ardhmen, për të qenë sa më të përgatitur”, - tha Dallku për faqen azerisport.com. “Tifozët do shohin ndeshje të mirë. Nuk është zyrtare, por miqësore dhe nuk do të kemi presione në fushë, ndaj mund të japim më të mirën. Vetëm përfundimi i 90 minutave do të tregojë më të fortin. Shanset i quaj të barabarta”.
BERISHA – Vija e parë e sulmit është një enigmë më vete. Pasi dhe emrat e mëdhenj mungojnë. Sulmuesi i huazuar i Bërnlit të Rozenborgut në Norvegji, Besart Berisha, është edhe “violina e parë” e pritet të ketë 90 minuta në dispozicion për të treguar magjitë e tij individuale. Berisha është njeriu gol i miqësoreve, pasi ka shënuar kundër Anglisë B (3-1) në “Turf Moor”, por dhe kundër Maltës (3-0). Ish-sulmuesi i Hamburgut, autori i një goli edhe në Ligën e Kampioneve, njihet për aftësitë e tij shpërthyese e goditjet befasuese në drejtim të portës. Alternativë interesante mbetet edhe Xhevair Sukaj, në thirrjen e parë të tij nga Ari Hani.
U-21, miqësore Maqedoni-Shqipëri
Shpresat, drejtuar nga Artan Bushati, u stërvitën dje në Ohër nën flokët e dëborës
Skuadrat e Shpresave të Maqedonisë dhe Shqipërisë do të përballen sot në Ohër (ora 13:00). Dje, dy skuadrat bënë stërvitje nën reshjet e lehta të borës në fushën e futbollit “Biljanini Izvori” të Ohrit. Trajneri i Shqipërisë U-21, Artan Bushati, është i kënaqur me përgatitjet që ka zhvilluar skuadra që ai drejton. Shpresat e Shqipërisë janë akomoduar në hotelin “Drin” të Strugës. Nga ana e tij trajneri i Maqedonisë, Mirsad Jonuz, është shprehur: “Është një përballje mes dy rivalëve ose miqve të vjetër. Njihemi mirë. Kemi fituar së fundi me Shqipërinë në Vlorë, por kemi humbur në Manastir, kështu që presim t’i testojmë në mënyrë sa më cilësore futbollistët tanë. Sigurisht ndeshja do të na ndihmojë shumë për takimet e radhës”.
19 Nentor 2008