Ari Han: Shqiptarët luajnë për të humbur

TIRANË – Ari Han është më shumë i shqetësuar nga mentaliteti i lojtarëve që ai drejton sesa nga kundërshtarët që ka në grupin e parë eliminator të Botërorit. “Ata stërviten dhe luajnë për të humbur”, - ishte deklarata e fortë, tipike holandeze, e “tulipanit”. Një nga cilësitë më të mira të perëndimorëve është mënyra e drejtpërdrejtë e thënies së gjërave dhe Han nuk vuan nga mungesa e kësaj cilësie.
“Gazetarët shqiptarë më së shumti pyetën për Zllatanin (Ibrahimoviçin), - u shpreh ai, - ata shqetësohen më shumë për forcën e kundërshtarit sesa për cilësitë e tyre, ata (lojtarët) stërviten dhe luajnë për të humbur”. “Unë dua që ata të gjejnë një mënyrë për ta ndrequr këtë gjë dhe për të luajtur për fitore”.
Shqipëria doli 0-0 me Suedinë në “Qemal Stafa”, takimi i parë eliminator dhe barazimi la një ndjenjë të mirë për tifozët dhe mediat. Sidoqoftë, Hani mbetet paksa i pakënaqur në veten e tij. “OK, nuk humbëm, - thotë ai, - por as nuk fituam”. Takimi i radhës është ai që do të luhet nesër ndaj Maltës, një etapë e rëndësishme për kuqezinjtë, që kurrë nuk kanë pasur 4 pikë pas 2 ndeshjeve të para eliminatore.