E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk e njoh Sefgjinin

Ziso Kristopulli, një prej tre të rrëmbyerve nga SHIK-u në tetor të vitit 1995, në dëshminë e tij tha se nuk kishte pasur asnjëherë kontakt me Arben Sefgjinin, duke implikuar vetëm Budion Meçen, si personi që e ka keqtrajtuar gjatë qëndrimit në bazën sekrete të Vainës

TIRANË - Ziso Kristopulli, një prej tre të rrëmbyerve nga SHIK-u në tetor të vitit 1995, nuk identifikoi të akuzuarin kryesor për rrëmbimin e tij dhe dy personave të tjerë si pjesëmarrës në ngjarjet e kohës. Pasi rindërtoi të gjithë historinë që nga momenti i rrëmbimit në Ksamil e deri në transferimin e tij në bazën sekrete të SHIK-ut në Vainë të Lezhës, Ziso Kristopulli, i cilësuar si një prej dëshmitarëve kyçë të procesit, akuzoi drejtpërdrejt vetëm ish-inspektorin, Budion Meçen. “Budion Meçe më ka rrahur, më ka goditur shumë herë dhe më ka keqtrajtuar”, - deklaroi Kristopulli para trupit gjykues të Krimeve të Rënda, ku po zhvillohet procesi penal ndaj katër ish-shikasve: Arben Sefgjini, Avni Koldashi, Ilir Kumbaro dhe Budion Meçe. I pyetur për Sefgjinin, dëshmitari Kristopulli tha se nuk e njihte këtë person dhe se nuk e kishte takuar asnjëherë, ndërsa pak kohë më parë në një intervistë televizive tregoi një tjetër version të ngjarjes. Duke iu referuar të pandehurve të tjerë të këtij procesi, një prej dy dëshmitarëve kyçë të akuzës tha se i vetmi që nuk e ka keqtrajtuar ishte ish-shefi i bazës së vëzhgimit. “Avni Koldashi vetëm sa më ka shoqëruar, por nuk më ka prekur me dorë”, - u shpreh Kristopulli, i cili ritregoi edhe një herë momentin e rrëmbimit në Ksamil, ku pa i dhënë asnjë shpjegim e kanë futur në një automjet tip “Audi” dhe e kanë transferuar drejt Lezhës, në bazën sekrete të Shërbimit Informativ Kombëtar të kohës. Pas mbërritjes në Vainë, dëshmitari tregoi se ishte marrë në pyetje nga persona që nuk i njihte për një sërë episodesh kriminale të ndodhura atë kohë. Ziso Kristopulli tha gjithashtu në dëshminë e tij, se gjatë kohës që u nënshtrohej torturave nga më çnjerëzoret në godinën e SHIK-ut, në korridoret e tij kishte parë dhe shqiptaro-maqedonasin Remzi Hoxha, të cilin e ka identifikuar pas publikimit të lajmit për zhdukjen misterioze të tij. Gjatë seancës së djeshme gjyqësore,  në cilësinë e dëshmitarëve të akuzës dhanë dëshminë e tyre edhe vëllezërit e shqiptaro-maqedonasit të zhdukur rreth 13 vjet më parë. Tre vëllezërit e përqendruan kryesisht dëshminë në momentin e zhdukjes së vëllait të tyre dhe përpjekjet që kanë bërë gjatë këtyre viteve për gjetjen e tij. Ata thanë para gjykatës, se lajmin e zhdukjes së Remzi Hoxhës e kanë mësuar nga bashkëshortja e tij, e cila ka bërë edhe denoncimin në polici. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje fisi Hoxha ka nisur kërkimet për njeriun e tyre të afërt, por edhe pse kanë kaluar rreth 13 vjet, ende nuk ka asnjë të dhënë për vendndodhjen e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›