E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejt liberalizimi part-time

Këtë vit do të pranohen 150 studentë më shumë se dy vjet më parë në sistemin me kohë të pjesshme. Dekani i fakultetit të Histori-Filologjisë, Shezai Rrokaj, shprehet se pranimet në këtë sistem po shkojnë drejt liberalizimit

TIRANË - Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë do të pranojë këtë vit më shumë studentë në sistemin me kohë të pjesshme, ose ndryshe part-time. “Numri i studentëve që do të pranohen këtë vit për vazhdimin e studimeve në sistemin part-time do të jetë më i lartë se ai i dy viteve më parë. Qëllimi i rritjes së numrit të studentëve të këtij sistemi, është pjesë e planit për liberalizimin e plotë të pranimeve me kohë të pjesshme, që parashikon futjen e të gjithëve në universitet”. Kështu tha dje në një prononcim për gazetën “Korrieri” dekani i fakultetit të Histori-Filologjisë, Shezai Rrokaj. Gjatë prononcimit të tij ai shtoi se numri i pranimeve për këtë vit akademik do të jetë 150 kuota më shumë se ato të dy viteve më parë. Duke iu referuar numrit të pranimeve në sistemit me kohë të pjesshme për vitin akademik 2006-2007, ato ishin përkatësisht nga 100 kuota për secilin fakultet. Ndërsa këtë vit pranimet do të jenë nga 150 kuota për secilën degë, pra 150 për degën e Historisë, 150 për degën e Gjeografisë dhe 150 kuota për atë të Gjuhë-Letërsisë. Për sa i përket degës së Gazetarisë, ajo si përherë nuk do të ketë kuota pranimi për studime në këtë sistem. Sipas dekanit Rrokaj, brenda këtyre kuotave do të ketë edhe shtesa, të cilat akoma nuk janë miratuar. Këto shtesa jepen me qëllim plotësimin e kërkesave të studentëve, në qoftë se këto të fundit janë më të larta se kuotat e propozuara nga ky fakultet. Sipas dekanit Shezai Rrokaj, numri i kërkesave të studentëve për vazhdimin e studimeve në sistemin part-time do të jetë edhe kushti për futjen e kritereve të pranimit. “Për sa u përket kritereve të pranimit të studentëve në këtë sistem, ata mund të vendosen në qoftë se kërkesat e këtyre të fundit janë shumë më e larta se kuotat e propozuara nga fakulteti”, tha dekani Rrokaj. Ai u shpreh se në këtë rast do të vendosen disa kritere, njëri prej të cilëve do të jetë sigurisht mesatarja e shkollës së mesme. Ajo që do të mbetet e pandryshuar për këtë sistem, është tarifa e regjistrimit, e cila do të jetë sërish 500 mijë lekë të vjetra për secilën degë të këtij fakulteti. Regjistrimi i studentëve të sistemit me kohë të pjesshme do të fillojë fill pas përfundimit të provimeve të sezonit të vjeshtës. Sistemi me kohë të pjesshme ose part-time i rihap dyert pas një viti pezullim në fakultetin e Histori-Filologjisë, për shkak të rezultateve të dobëta të studentëve që vazhdonin shkollën e lartë në këtë sistem.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›