E Diel, 1 Nëntor 2026

Ari Han vjen në Shqipëri: Do shoh disa lojtarë

Nga Zerjeta Hajro
Ka mbërritur në Tiranë trajneri i kombëtares Ari Han, i cili do të ndjekë nga afër ndeshjet e kampionatit. Holandezi deklaroi në Rinas se është i kënaqur nga rezultatet e deritanishme, por sipas tij, Shqipëria ka ende shumë punë. Han tha gjithashtu se për ndeshjen me Azerbajxhanin më 19 nëntor, nuk do të bëjë shumë ndryshime 

TIRANE- Trajneri i kombëtares shqiptare Ari Han ka mbërritur për herë të parë në Shqipëri që pas ndeshjes me Maltën më 10 shtator. Tekniku holandez deklaroi pas zbritjes në Rinas se qëllimi i vizitës së tij do të jetë ndjekja nga afër e disa prej lojtarëve që ai i ka planifikuar për në kombëtare, por pa përmendur emra. Han tha gjithashtu se pavarësisht barazimit me Portugalinë, Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë.
“Rezultatet nuk kanë munguar, por mendoj se kemi ende shumë punë. Në Portugali skuadra bëri një punë fantastike, lojtarët ishin mirë nga mendja, por edhe nga ana luftarake. Tani jam këtu, do të ndjek kampionatin shqiptar dhe disa nga lojtarët që janë këtu. Por, nuk dua t’ju përmend emra”.
Sfida e radhës për Shqipërinë do të jetë miqësorja ndaj Azerbajxhanit më 19 nëntor, por Han deklaron se nuk ka ndërmend të bëjë shumë ndryshime nga skuadra që është grumbulluar deri tani.
Ekipi kombëtar është ekip kombëtar. Duhet të fitosh ndeshjen, të fitosh respektin në botë, kështu që s’duhen bërë shumë ndryshime. Megjithatë janë disa lojtarë të rinj për t’u parë nga ata që kanë qenë më afër nesh, sidomos në grumbullime apo stërvitje. Është një ndeshje e mirë për të përgatitur Maltën, me të cilën do të luajmë në shkurt. Po ashtu, është e nevojshme edhe për mua të shoh se si do të reagojnë futbollistët tani, pasi Azerbajxhani është një ekip ndryshe.
Han konfirmoi se ka parë nga afër mesfushorin e Borusias së Dortmundit Bajram Sadriaj, ndërsa u shpreh se problemet që ka Shqipëria në sulm, i kanë shumë ekipe sot në botë. (a.r/balkanweb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›