E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arian Çani dhe eliksiri i jetëgjatësisë

Ka të paktën katër arsye pse Arian Çani është i lidhur fort me teatrin. E sheh si eliksir për të zgjatur jetën, por edhe si vendi i vetëm ku mund të projektohet e vërteta. Ka një dobësi të hershme për të, por më së shumti mendon se Teatri do të na shpëtojë nga kriza 

E njeh mirë lojën teatrale, i ndriçuar nga projektorët në mes të skenës, ndërsa kërkon mes atyre syve hetues në gjysmë errësirë dikë që ta kthejë në shikuesin special për t’ia dedikuar gjithë shfaqjen në sekret – thuhet se kështu veprojnë aktorët profesionistë për të mposhtur emocionet . I ka ndjerë nën lëkurë edhe ato emocionet përpara se të ngrihet ajo perdja hijerëndë që i fal një tis misteri dhe magjie teatrit, të vetëndjerit kur percepton se batuta i pëlqeu publikut dhe kënaqësia e një lloji të paprovuar më parë në duartrokitjet e fundit, kur perdja është ulur sërish.

E ka provuar katër vite më parë me shfaqjen e tij one man show “Ej, mos ia thuaj njeriu!”, kur hyri në petkat e aktorit me një lloj komedie të palëvruar më parë në Shqipëri.

Por lidhja e Arian Çanit me Teatrin është më e thellë dhe më e gjatë se një flirt i shkurtër me të në shfaqjen one man show. Dashuri të pastër do ta quajë ai, atë për Teatrin.

"Për të paktën katër arsye: E para, sepse Teatri të zgjat jetën. E dyta, sepse Teatri do të na shpëtojë të gjithëve nga kriza. E treta, sepse Teatri është i vetmi vend ku ne mund të projektojmë ‘të vërtetën’. Dhe e katërta, sepse unë e dua shumë Teatrin," shpjegon Çani  per "Mapo" interesin e tij per teatrin.

Si dashamirës i Teatrit, ai ka komentuar edhe gjendjen e tij: "Pak kush e vret mendjen për Teatrin në këtë vend. Po të hedhësh një sy në vendet rreth e rrotull, Teatri tenton të konsiderohet si një mit. Në këtë vend, Teatri është i braktisur prej vitesh. E megjithatë, unë shoh që një frymë e re po lind çdo ditë e më shumë dhe publiku tashmë ka nisur ta ketë në axhendën e tij të qejfit Teatrin. Kjo është shenjë e mirë. Unë e dua shumë një lloj plejade të vjetër aktorësh shqiptarë, por tashmë kemi hyrë në një epokë të re. Me aktore dhe aktorë të rinj që e duan aq shumë atë që bëjnë, saqë një ditë do të ketë radhë të madhe për të siguruar një biletë." /Indeksonline/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›