Arif Bozaxhi, laureat i çmimit ‘Esad Mekuli'

Të shtunën, në Prishtinë, në organizim të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, u mbajt takimi letrar ‘Esad Mekuli’. Në kuadër të tij u organizua sesioni letrar ‘Vepra letrare e Sulejman Krasniqit’, ku me punime rreth jetës e veprës së këtij shkrimtari të shquar u paraqitën disa studiues e krijues. Ndërsa një akademi letrare u mbajt në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, në të cilën punimet letrare i kumtuan mbi njëzet shkrimtarë.
Në këtë takim letrar të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës u shpall dhe laureati i sivjetshëm i çmimit ‘Esad Mekuli’, të cilin e mori shkrimtari turk i Kosovës, Arif Bozaxhi.
Arif Bozaxhi është emër i njohur në botën letrare, një poet, publicist e përkthyes, por dhe njëri nga veprimtarët që u dallua posaçërisht nga fundi i viteve ‘80 së bashku me atdhetarët e tjerë të Kosovës për çlirimin e saj nga zgjedha jugosllave. Angazhimi i tij para, gjatë e pas Luftës së UÇK-së në shumë fusha ka dëshmuar përkushtimin e tij për të ndihmuar proceset në të gjitha segmentet shoqërore, saqë i ndjekur nga pushtuesit serbë, do të detyrohet të strehohet përkohësisht në Gjermani, ndër të tjera, thuhet në vendimin e Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Bozaxhi konsiderohet një poet me prirje të veçantë krijuese, me një varg eliptik dhe figura stilistike e të mendimit, të cilat i përdor në mënyrë inventive.
Poeti, publicisti e përkthyesi Arif Bozaxhi shkruan në turqisht, në shqip e në gjuhë të tjera dhe në këtë kontekst ka dhënë ndihmesën e tij edhe si përkthyes, duke prezantuar veprat e tij, por edhe krijimtarinë tonë letrare në qarqe evropiane e botërore.
Autor i disa veprave poetike në turqisht, shqip e në gjuhë të huaja, i përfaqësuar në rreth tridhjetë antologji të ndryshme të botës, që është dëshmi e receptimit të vlerave poetike të tij dhe e komunikimit me botën letrare, krijimtaria e Bozaxhiut shquhet edhe me thellësinë e ndjenjës dhe me vargun eliptik, kërkime që i bën pa reshtur, duke gjetur figura e shprehje stilistike, që poezisë i japin kontura të pastra artistike, duke dëshmuar individualitetin e tij krijues. Duke qenë kërkues i së bukurës dhe sfidues i së shëmtuarës, poezia e tij me varg metaforik e eliptik është e frymëzuar dhe funksionale, ka dimensione shoqërore, politike, intime e artistike.
Ka botuar, ndër të tjera, edhe veprat poetike “Hiri i lotit” (1996), botuar shqip e gjermanisht, “Flutura në grila” (2005), në shqip e anglisht dhe më vonë edhe frëngjisht, si dhe krijime të tjera. Tani janë në proces të botimit edhe dy vepra të këtij autori, “Ëndrra e shiut” në shqip dhe “Pesha e gjithësisë” në gjuhën turke.
Duke pasur parasysh këto dhe vlerat e tjera të krijimtarisë letrare të tij, kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës në mënyrë unanime vendosi që sivjet laureat i çmimit “Esad Mekuli” të jetë poeti i nderuar turk, Arif Bozaxhi, theksohet në kumtesë.