Arif Vladi: Turbo-Folku, një abuzim i shëmtuar me folklorin shqiptar
Është cilësuar si nga zërat më të mirë shqiptar që këndon këngën epike-heroike, me të cilën është prezantuar me sukses jo vetëm në skenën shqiptare, por dhe në atë botërore. Këngëtari i njohur i këngës popullore Arif Vladi sot është pa dyshim një nga këngëtarët më të mirë shqiptar, i cili ka vite që këndon këngën popullore shqiptare, atë të traditës kombëtare.
I larguar prej 11 vitesh në Bruksel, ku edhe jeton ai ka një aktivitet të ngjeshur me krijimtarinë popullore, ku ai ftohet të këndojë në skenë të ndryshme. Në një intervistë dhënë për gazetën ai tregon se turbo-folku sot është një fenomen që ka prekur shumë këngëtarë shqiptarë, edhe nga ata që kanë qenë të njohur për skenën, si këngëtarë të muzikës së lehtë, por edhe asaj popullore të tabanit kombëtar. E ndërkohë që sipas tij turbo-folku ka qenë një fenomen i prekur nga vende të tjera shumë më parë sesa të mbërrinte Shqipërinë, por duket se ndikimi i saj tek këngëtarët tanë, kryesisht ata të rinjtë dhe anonimë, është më i fuqishëm dhe i përhapur si fenomen. Ke sot të vetëquajtur këngëtarë dhe këngëtare, që më shumë shihen se sa dëgjohen. Ato shesin vizualen dhe jo talentin e zërit. Ka plasur kompozicioni i rrugës, një këngë mund ta këndosh me fjalë shqip dhe sot preferohen shumë kanale televizive, por me këngët që ato shfaqin nuk mund tia gjesh dot origjinën e saj, është kënga tallava, turke apo sllavo-maqedonase, bullgare por vetëm shqiptare ajo nuk është, tregon ai. E ndërkohë që ai tregon se sot duhet të ndryshojnë dhe politikat shtetërore që ky fenomen të reduktohet dhe të mos abuzohet kaq shumë me folklorin shqiptar. Shteti francez ka ligj për kulturën e vet dhe për median. Nuk mund të transmetosh më shumë se sa 15 për qind muzikë të huaj, ndërsa tek ne thuhet që ka ligje, por për kulturën shqiptare nuk ka ligje. Me kulturën dhe traditën shqiptare tek ne mund të bësh si të kesh qejf, kështu që faji kryesor është mospasja e një ligji për mbrojtjen e kulturës kombëtare dhe çdo gjë mund të tolerohet, por kjo është një gjë, që do ta vuajnë dhe brezat që do të vijnë. Çfarë do ti tregojë ai moshatarëve të vet, si italianë, francezë etj, se kush është kultura e traditës popullore shqiptare, pasi ai do të marri për model këtë që është sot, që nuk është shqiptare. Ne po shkojmë drejt një globalizimi total. Nëse vazhdohet kështu ne do të humbim identitetin tonë kombëtar, vijon të tregojë këngëtari popullor Arif Vladi. E ndërkohë cilat janë projekte e tij artiske në vijim ai na i zbulon gjatë kësaj interviste.
-Jeni një emër i njohur i krijimtarisë popullore, por si nisi karriera juaj me këngën?
Unë kam kënduar që me pionierët e Lurës së Dibrës nga unë vij, dhe fillimet e mia kanë qenë në festivalet kombëtare që bëheshin dikur. Festivali i Pionierëve fillonte nga kënga popullore, më pas kam mbaruar Liceun Artistik në Tiranë, më pas erdha në Akademinë e Arteve për kanto.
-Keni mbaruar për kanto, por ndërkohë që ju jeni i njohur në këngën popullore?
Pedagogu im i asaj kohe, i ndjeri baritoni i madh Ramiz Kovaçi, duke u nisu nga cilësitë e mia vokale të veçanta më thotë që ne do të bëjmë kanto, por pas diplomës madje dhe diplomën e kam mbrojtur me një koncert recital të këngës popullore të trojeve shqiptare. Pra këtu unë isha i veçantë, muzikën klasike mund ta këndojë edhe një rus dhe një shqiptar, por e veçanta e vokalit tim bëri që unë të isha përfaqësues i këngës popullore shqiptare epike-lirike. Më shumë unë kam kënduar këngën epike-heroike, por edhe asaj të këngës popullore të traditës. Unë njihem si këngëtar i këngës popullore, por që shumë shpejt unë do të kem një program me pjesë klasike.
-Kjo do të jetë hera e parë që ju do të prezantoheni me pjesë klasike?
Po për mua do të jetë hera e parë, që do të vij tek publiku me klasike.
-Cilët do të jenë autorët e këtyre pjesëve klasike?
Do të jenë autorët e famshëm, do të jenë kanconetat e tyre dhe unë kam përzgjedhur nga e gjithë bota, nga ato rusë, italianë apo qoftë dhe ato shqiptarë, që kanë sjellë vepra të bukura. Unë do të bëj një program të tillë, që të tingëllojë krejt ndryshe nga ajo që jeni mësuar ta shikoni Arif Vladin, megjithatë unë muzikën popullore shqiptare, e kam për zemër, pasi ajo më identifikon. Sado që ta këndoj bukur unë arien, operën klasike unë sërish jam tek krijimtaria popullore. Muzika ime më identifikon, që unë jam shqiptar, më identifikon që unë jam artist shqiptar.
-Sa kohë jeni përgatitur për këtë program me pjesë klasike?
Jam në punë e sipër dhe akoma kam për të bërë për këtë, por unë kam rreth 7 muaj që punoj dhe besoj se do të dali së shpejti. Do të jetë diçka ndryshe nga ajo që më njohin.
-Si nisën fillimet tuaja me Ansamblin Kombëtar?
Mbrojtjen e diplomës e kam bërë me një koncert pranë Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve në vitin 1980. Atëherë unë u emërova në këtë ansambël, ku punova dhe 2 vjet e gjysmë, më pas me kërkesën e udhëheqjes së asaj kohe në Dibër, që thoshin se duhet të ngremë dhe artin në Dibër mua më çuan atje dhe punova për 5 vjet, por me AKKVP në çdo kohë kur ai shkonte me turnetë jashtë shtetit unë isha i pranishëm me artistët e tij. Nga viti 1980 deri nga vitet 90 unë kam qenë i pranishëm në Ansambël, sa herë që ai shkonte jashtë shtetit unë isha pjesëmarrës.
-Si priteshit në atë kohë kur ju shkonit me turne me Ansamblin?
Ansambli i asaj kohe nuk është më, ne priteshim shumë mirë, jo vetëm nga shqiptarët por dhe nga të huajt. Më kujtohet një koncert që kemi dhënë në Mynchen në 1983 dhe ishte një mrekulli, aq sa gazetat në atë kohë shkruanin, që Dojçe teatër këndoi shqip dhe unë do ta mbaj gjatë këtë kujtim.
-Sot Ansambli Kombëtar është reduktuar, si ndiheni për këtë?
Nuk më vjen keq vetëm mua, por i vjen keq ndoshta dhe më shumë publikut. Mua më vjen keq për publikun, që me Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore identifikohej si art i vërtetë shqiptar, ndërsa me kalimin e viteve në Ansambël ka mbetur vetëm emri. Pas viteve 90, shumë artistë emigruan për kushte materiale më të mira, duke kënduar për shqiptarë që ishin në botë. Duke filluar që nga unë i pari dhe të tjerë. Ishte normale zbrazja në atë kohë, nuk është e thënë që ikëm neve dhe nuk kishte të tjerë, por ansambli për mua u reduktua dhe për shkak të politikave kulturore që ndjek shteti.
-Pra ju thoni se politikat, që janë ndjekur sa i takon kulturës nuk kanë qenë efikase ndaj folklorit?
Përderisa në Ansambël akoma nuk ka emra artistësh dhe ai është shtetëror kjo nuk ka nevojë për shpjegim. Kultura shqiptare nga shteti është lënë në mëshirë të aftit. Kënga popullore shqiptare sot po e vuan këtë. Më vjen madje shumë keq. Unë kam paraqitur dhe një kërkesë për tu kthyer pranë Ansamblit. Në Ansambël sot mund të kthehen emrat e vërtetë të këngës popullore, por jo vetëm unë, por janë dhe shumë artistë të tjerë të njohur prandaj quhet Ansambël Shtetëror.
-Si ndikojnë tendencat e reja muzikore në tabanin kombëtar, sa e kanë dëmtuar sipas jush?
Çdo gjë që tregtohet sot në artin muzikor e quajnë sikur është popullore, por në fakt është një lëmsh i madh. Ke sot të vetëquajtur këngëtarë dhe këngëtare, që më shumë shihen se sa dëgjohen. Ato shesin vizualen dhe jo talentin e zërit. Ka plasur kompozicioni i rrugës, një këngë mund ta këndosh me fjalë shqip dhe sot preferohen shumë kanale televizive, por me këngët që ato shfaqin nuk mund tia gjesh dot origjinën e saj, është kënga tallave, turke apo sllavo-maqedonase, bullgare por vetëm shqiptare ajo nuk është. Atëherë çfarë do tu lë unë fëmijëve apo nipave të mi, kur në një dasmë shqiptare nuk këndohet më shqip, por këndohet tallava, turke, sllave një lëmsh, që çdo gjë mund të jetë por vetëm muzikë shqiptare ajo nuk është. Sot dëgjohet vetëm fjala shqip, por kultura dhe muzika e traditës shqiptare nuk dëgjohet. Po të shkosh në një dasmë shqiptare të duket njëlloj, më parë nëse bëhej një d