E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brenda korrespondencës "Pizza Unmik"

Letërkëmbimi i dramaturgut Jeton Neziraj me shkrimtaren gjermane Kathrin Röggla, një dëshmi për rolin fiktiv të OJQ-ve ndërkombëtare dhe misionarëve të paqes në Kosovë. Në fund, një raport aktual për një repertor Teatri Kombëtar pa klishetë, moralin dhe patetizmin e dramave shqipe.


Doni të dini çfarë mendimi ekziston në Kosovë për ndërkombëtarët që jetojnë dhe angazhohen në jetën politike, sociale, kulturore?


Ja disa opinione të njerëzve për mënyrën sesi hanë, vishen, sillen, për të kaluarën e tyre, deri edhe për drejtimet e tyre seksuale: "Hanë shumë ushqim", "Paguhen shumë", "Shkojnë nëpër shtëpi publike", "Janë homoseksualë apo lesbike", "Për ta edhe serbët edhe shqiptarët janë viktima/kriminelë", "Marrin para për Kosovën dhe i shpenzojnë për të paguar vehten e tyre", "Pinë birra në kriklla të mëdha", "I q.... përkthyeset e tyre lokale", "Janë spiunë të ndonjë shërbimi informimi", "Punojnë për interesa të Serbisë", "Munden me ta ba një vizë sa çelë e m'shel sytë", "Janë njerëz të dështumë që në vendet e tyre nuk kanë mujtë me gjetë punë", "Hanë veç sallata e barishta, si lopët", "Shkaktojnë aksidente në komunikacion dhe për këtë nuk i japin llogari askujt", "Ç'do gjë lokale për ta është e papërsosur", "I trajtojnë kosovarët sikur të ishin njerëz nga fiset e xhunglave të Afrikës".


"Stereotipe cinike të njerëzve lokalë për ndërkombëtarët" i quan dramaturgu Jeton Neziraj në letrën dërguar shkrimtares gjermane Kathrin Röggla.


Në këtë letër Neziraj i jep përgjigje disa pyetjeve që shkrimtarja kishte mbi rolin e ndërkombëtarëve dhe OJQ-ve në Kosovën e pasluftës. Röggla i kërkon Nezirajt, t'i përshkruajë të përditshmen e këtyre njerëzve, modelin e tyre të të jetuarit, duke mos u hallakatur në përshkrimin e misioneve të këtyre "mercenarëve socialë".


Dramaturgu kosovar në përgjigjen e tij, e quan "botë paralele", atë ku ndërkombëtarët jetojnë, një botë më vete, e veçuar nga ajo e vendasve, e mistershme, që kosovarët e komentojnë si më sipër.


Në letrën e fundit që kanë shkëmbyer mes tyre Röggla sërish tenton të marrë tinëz përgjigje për pyetjet: "Nëse ju vetë do të krijonit një OJQ, çfarë OJQ-je do të ishte ajo? Cilën pikë do të quanit më urgjente në këtë çështje?"


Neziraj i përgjigjet: "Jam lodhur nga kjo punë, jam lodhur nga mbushja e aplikacioneve, nga shkrimi i raporteve dhe nga puna e lodhshme administrative. Jam lodhur nga termat "decentralizim", "demokratizim", "qendror", "pushtet", "zgjedhje", "thithje fondesh", "qeveri", "burokraci", "financa" e terma që sillen në projekt të secilës "OJQ".


Kështu, vërtetë nuk do të doja të isha as në atë që mund të konsiderohet si "OJQ ideale". E tash, mund të më pyesni, përse vazhdoj të jem pjesë e një OJQ-je, nëse jam i rraskapitur nga OJQ-të? Sepse duke bërë edhe një punë shtesë, kam mundësi të blej pelena me kualitet për vajzën time, kam mundësi të kem në frigoriferin tim edhe ca shishe birre.


Por, mbi të gjitha, sepse kam mundësi që, kohë mbas kohe, të promovoj punën time si shkrimtar dhe si artist". Kështu që, vazhdoj akoma kështu deri nuk di kur! Letrat e shkëmbyera mes tyre u bënë publike në Panairin e Librit në Lajpcig, 18-21 mars.


Veç, letërkëmbimit, dramaturgu dhe drejtori artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, flet në këtë intervistë për "Shekullin" edhe për zhvillimet e fundit: konkursin e dramës shqipe, dhe frymën që i është dhënë repertorit.


Në panairin e Lajpcigut prezantuat letërkëmbimin që keni patur me shkrimtaren gjermane Kathrin Röggla. Shkurt, çfarë përmbajnë letrat?


Prezenca ime në panair lidhej me prezantimin e letërkëmbimit që kisha pasur vitin që shkoi me shkrimtaren dhe dramaturgen e njohur gjermane Kathrin Roggla. Ky letërkëmbim u lexua në këndin "Forum International", me titull "Pizza Unmik Kosovo". Debati mes meje dhe autores Roggla u moderua nga shkrimtari Beqë Cufaj.


Tema e këtyre letrave që Roggla ka shkëmbyer me mua dhe Vjollca Krasniqin nga Kosova, ka qenë roli i OJQ-ve ndërkombëtare në misionet e tyre të paqes, me theks natyrisht Kosovën. Me fjalë të tjera, është synuar të identifikohen ritet e tyre të jetesës dhe konfrontimi me kulturën lokale.


Mënyra sesi bashkëjetojnë këto dy botë, ajo lokale pra, dhe ajo ndërkombëtare. Në fakt, unë i kam definuar si dy botë paralele.
Për misionet ndërkombëtare dhe rolin e OJQ-ve ndërkombëtare diskutohet dhe shkruhet zakonisht në terma krejtësisht të tjera, që lidhen me impaktin që ato kanë në shoqëritë ku operojnë, për punën e suksesshme që zhvillojnë.


Këta "misionarë të paqes" (siç i quan Roggla), shkruajnë libra e broshura për vendet ku ata kanë punuar, kryesisht me tone patetike, e ku përshkruhen kushtet dhe mjerimi i vendit pritës, përshkruhen banorët lokalë dhe të metat e tyre. Ndërsa nga perspektiva e vendorëve mungon vazhdimisht një pamje e rolit të tyre. Një pamje kritike.


Më konkretisht, cili është roli i tyre?


Bëhet fjalë për dy lloj OJQ: ndërkombëtare dhe vendore. Të parat janë krijuar dhe mbahen nga ndërkombëtarët. Ato vendore drejtohen nga kosovarët. Fatkeqësisht, pak nga të dy grupet e OJQ-ve kanë pasur si fokus jetën kulturore. Sociale po, por jo kulturore. Dhe, një përgjigje për rolin e këtyre OJQ-ve është e vështirë të jepet.


Roli i tyre mendoj është shumë kompleks. Pozitiv, po se po! Përgjithësisht, jo tërësisht, do të thoja! Disa prej tyre, krijohen për "shpëlarje parash". Të tjera shuhen pa u krijuar mirë. Të tjera luajnë një rol tepër pozitiv me punën dhe aktivitetet e tyre.


Disa prej tyre kanë ndihmuar proceset zhvillimore në Kosovë, për sa u përket të drejtave të njeriut, trajtimit të traumave të luftës, zbutjen e tensioneve ndëretnike, krijimin e një klime më paqësore, zhvillimit të demokracisë dhe "monitorimit" të aplikimit në praktikë. Për sa i përket kulturës, është bërë pak. Kultura në Kosovë nga shumë prej këtyre OJQ-ve (sidomos atyre ndërkombëtare) është reduktuar në "trashëgimi kulturore".


E në fakt, trashëgimia kulturore në Kosovë ka qenë dhe mbetet axhendë e shumë organizmave dhe institucioneve ndërkombëtare. Kjo axhendë natyrisht u është imponuar edhe institucioneve vendore. Gjatë viteve të shkuara e akoma dhe tani derdhen dhjetëra miliona euro në rehabilitimin e kishave dhe objekteve të trashëgimisë kulturore, kullave, kalave e urave. Dhe i tërë ky buxhet merret nga buxheti i kulturës.


Tani, unë nuk mund ta them nëse më me rëndësi mund të jetë restaurimi i një shtëpie të vjetër (qoftë ajo edhe e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit) apo renovimi i ËC-ve që kutërbojnë në Teatrin Kombëtar të Kosovës! Shpresoj që dikush i ka vlerësuar këto prioritete, para derdhjes së atyre miliona eurove!


A kanë këto organizma profesionistë që nxisin zhvillimin dhe kontribuojnë në ballafaqimin mes kulturave?


Po. Këto pak OJQ që kanë në fokus artin dhe kulturën dhe janë aktive janë krijuar nga profesionistë dhe kryejnë misione të vlefshme. Atë që nuk ia dalin ta bëjnë institucionet e shtetit, fatmirësisht, në masë të madhe e bëjnë disa nga OJQ-të vendore.


Dhe kjo arrihet përmes shkëmbimit ndërkulturor me vende të botës, organizimin e disa festivaleve të artit, botimin e literaturës (posaçërisht në teatër), sjelljen e eksperiencave dhe praktikave të reja në fusha të artit dhe kulturës.


Po e lë mënjanë modestinë dhe po citoj një gazetar kosovar, që para disa ditësh më tha: teatrin kosovar, me tepër sesa krejt institucionet shtetërore bashkë, e ka promovuar në botë Qendra Multimedia. Qendra Multimedia është një OJQ e vogël por shumë aktive, në kooperimin me artistë e institucione ndërkombëtare.


Në një nga letrat tuaja i drejtoheni Roggla-s, me fjalët: "Kemi qenë goxha të shkathët të ruajmë autonominë artistike". Për çfarë e ke fjalën?


Konteksti i shprehjes që citoni ju ka qenë në relacione me donatorët dhe tendencën e shpeshtë të atyre donatorëve që t'përdorin paratë e tyre për qëllime, ndonjëherë jashtë parimeve tona "artistike"! Në këtë drejtim, shumë OJQ dhe shumë artistë kanë bërë kompromise, duke ua nënshtruar parimet e tyre mbi lirinë krijuese kërkesave të donatorit për "parime" tjera, shpesh të diskutueshme.


Mendoj që kjo është një "betejë" permanente gjithkund në botë, mes krijuesve të artit dhe sponsorizuesve të artit. Kjo na çon mandej tek ajo pyetja e famshme për misionin e artit, respektivisht për funksionin dhe rolin e atij që quhet art i angazhuar!


Në konkursin e fundit të dramës shqipe, u hoq dorë nga dhënia e çmimit të parë. Cilat drama zënë vend këto kohë në repertorin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, çfarë politike ndiqet?
Politika e hartimit të një repertori teatri lidhet me shumë faktorë.


Kthehet vështrimi mbrapa, tek dramat klasike dhe analizohet pikëtakimi që ato mund të kenë me zhvillimet aktuale politike e sociale dhe me kërkesat e publikut sot. Konsultohet dramaturgjia bashkëkohore dhe tendencat e saja. Testohen dhe shqyrtohen "vibrimet" e kohës dhe "vlimit" në shoqëri dhe përpiqet të gjendet korrelativi i mundshëm.


Merren parasysh zhanret dhe grupmoshat e ndryshme. Krijohet jo domosdoshmërisht një lloj harmonie mes dramaturgjisë shqipe dhe asaj botërore, një lloj kontinuiteti i repertorit, që shtrihet në kohë dhe të cilit mundohemi t'i qëndrojmë besnik. Repertori planifikohet me kohë dhe jo ad-hoc.


Ajo që konsideroj suksesin kryesor në punën time dyvjeçare në Teatrin Kombëtar të Kosovës është pastrimi i repertorit nga ai bërllogu i dramaturgjisë shqipe pa vlerë që nisi ta gërdisë publikun dhe ta largoj me kilometra larg nga teatri. Kam pasur dhe vazhdoj të kem aversion ndaj asaj dramaturgjie shqipe të klishetizuar, moralizuese, patetike e me probleme e tema tashmë të përtypura qindra herë në letërsi e në dramaturgji.


Presione ka pasur dhe ka, por e di që është betejë e fituar dhe për këtë kemi dëshmitarë publikun, numri i të cilëve është rritur së paku për 100% nga vitet e shkuara. Kështu flasin të dhënat nga shitjet e biletave.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›