E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arkeologia gjirokastrite Elisabeta Moosho, pjesë e ekspeditave brenda e jashtë vendit

Elisabeta Moosho, 27 vjeçe nga Gjirokastra, ka mbaruar studimet për arkeologji.

Pas diplomimit, ajo zgjodhi të rikthehej në qytetin e saj për të ndjekur pasionin. Dashuria për historinë dhe dëshira për të zbuluar gjurmët e së kaluarës e kanë udhëhequr në këtë rrugëtim.

“Kam qenë gjithmonë e apasionuar pas së vjetrës, së shkuarës, sepse ashtu si muret e vjetra, mbi gurët e së shkuarës ngrihet e ardhmja. Kështu që në qoftë se ne nuk dimë mirë të shkuarën tonë nuk mund të kuptojmë të tashmen dhe nuk mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë,” tregon arkeologia.

Që nga fillimi i udhëtimit të saj profesional, Elisabeta ka marrë pjesë në ekspedita të ndryshme arkeologjike, duke u bërë pjesë e kërkimeve për zbulimin e trashëgimisë kulturore. 

“Kam marrë pjesë në ekspeditën franko-shqiptare në Apoloni, gjithashtu një bashkëpunim italian me Universitetin e Mancerata-s dhe Institutin e Arkeologjisë këtu në Mela dhe Hadrianopol, Antigone, në Amantia, gërmime shpëtimi, dhe në Athinë. Çdo zbulim është shumë i veçantë. Për ne arkeologët çfarëdolloj gjëje, evidencë arkeologjike që gjejmë është shumë e rëndësishme për ne,” thotë arkeologia Moosho.

Me pasionin dhe përkushtimin e saj, arkeologia Elisabeta Moosho është shembull i një të reje që i rikthehet qytetit të lindjes për t’i dhënë vlerë trashëgimisë. Për të rrugëtimi në arkeologji nuk është vetëm një pasion, por kontribut për të zbuluar ruajtur dhe përcjellë historinë.

Gazetare: Enkeleda Domeri

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›