E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sezon i mbarë për misrin në Libohovë, foragjeret dhe perimet përmbushin diversifikimin e prodhimit

Ky sezon po konsiderohet i favorshëm për kulturën e misrit në bashkinë e Libohovës.

Specialistët e bujqësisë bëjnë të ditur se pas periudhës intensive të vaditjeve, bimët kanë arritur pjekurinë e duhur, ndërsa korrja do të nisë gjatë muajve shtator dhe tetor. 

“Pas periudhës së vaditjes lihet të thahet dhe hyn në periudhën e korrjes, prodhimit. Periudha e prodhimit bëhet gjatë muajit shtator-tetor në varësi të kohës së mbjelljes dhe kultivarëve,” thotë specialisti i bujqësisë, Filip Zëra.

Në total, 220 hektarë tokë janë mbjellë me misër në këtë bashki duke e kthyer atë në kulturën kryesore për zonën.

Përveç misrit, në sipërfaqe më të vogla janë mbjellë foragjere dhe perime, të cilat ndihmojnë në diversifikimin e prodhimit dhe përmirësojnë të ardhurat e fermerëve lokalë. Bashkia thekson rëndësinë e këtyre kulturave për zhvillimin bujqësor të rajonit.

“Kultura e dytë pas misrit janë foragjeret, jonxha. Jonxha përdoret kryesisht për bazë ushqimore për blegtorinë. Kulturë tjetër janë perimet, por në sipërfaqe më të kufizuar,” shton z. Zëra.

Specialistët e bujqësisë shprehen optimistë se ky sezon i favorshëm për misrin do të sjellë një korrje të bollshme gjatë muajve të ardhshëm.

Përveç rendimentit të lartë, kultura e misrit dhe bimët e tjera ndihmojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe përmirësimin e të ardhurave për fermerët e zonës.

Gazetare: Boralda Pëllumbi

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›