Arkitektura e çudisë

Ka disa njerëz që kërkojnë me ngulm çudinë në arkitekturë me qëllimin për të realizuar një ëndërr.
Në katalogun e projekteve në kryeqytet që nuk kanë koherencë dhe logjikë të përbashkët, ka megjithatë disa raste që qëndrojnë më vete
Duke parë gjithmonë me kujdes zhvillimet arkitekturore në Tiranë, dhe duke u munduar t'i klasifikoj, shihja se janë disa objekte që nuk mund t'i futësh askund.
Janë krejtësisht të veçanta. Kjo është e dukshme. Dhe është bërë me vetëdije nga investitorët.
Them "investitorët" se besoj të jenë ata frymëzuesit, bile në disa raste dhe realizuesit.
Tek ne nuk ka arkitektë që kane synime ndaj sureales, ose një arkitekturë futuriste; por janë disa pronarë që kërkojnë me ngulm çudinë, dhe në disa raste ja kanë arritur.
Këta njerëz të veçantë nuk pyesin për shpenzime as për sa kohë do të vazhdojë ndërtimi; mjafton që të realizojnë qëllimin e tyre që në fakt është një ËNDËRR.
Disa specialistë të fushës me të cilët kam biseduar, shfaqen skeptikë; kurse unë e quaj me vlerë dhe një pasuri.
Në katalogun e shumëllojshëm të projekteve dhe realizimeve në kryeqytet (që duhet thënë nuk ka asnjë koherencë dhe logjikë të përbashkët), këto qëndrojnë në vete.
Janë pak, unë për mungesë vendi, do paraqes vetëm më kryesoret.
Të gjithëve ju ka rënë në sy një objekt që u ngrit para shtatë vjetësh në Rrugën e Kavajës, poshtë është benzinatë (Foto 1), ka një trajtim të theksuar kubist me forma skulpturore.
Në këtë rast kuptohet më shumë është një kërkim formalist se sa utilitar, por meqenëse është në një rrugë me profil të mërzitshëm ja arriti qëllimit.
Objekti tjetër që dua të prezantoj është një vilë private në Rrugën "Vëllezërit Kondi" (Foto 2).
Shihet menjëherë që pronari kërkon një vlerësim të veçantë nga kalimtari që i shkon pranë. Nuk ka një stil të përcaktuar dhe është më shumë një bashkim elementesh (kolona, shkallë, vetrata të larta me harqe, kulla katrore etj.) që janë si një amalgamë alkimie formash.
Nëse nuk arrihet në një bashkëpeshim harmonik dhe me evidentime të kujdesshme, prapëseprapë, në morinë e vilave të thata ballkon, lozhë, kjo të bën përshtypje.
Objekti tjetër që dua të paraqes është Restorant-bar Iluminatum, në Rrugën e Elbasanit, pranë "Urës së Peshkatarit".
Për këtë objekt kam shkruar edhe njëherë tjetër në veçanti, por dua ta ritheksoj edhe në kontekstin e një grupimi specifik në arkitekturën e Tiranës. ( Foto 3).
Ky objekt është më koherent në stil, sepse autori që është artist, i ka pasë shumë të qarta kërkesat dhe ka ditur t'i realizojë plotësisht. Një meritë e veçantë është se objekti ka koherencë si në zgjidhjen e jashtme dhe në atë të brendshmen. Në këtë drejtim mund të them se është objekti më i realizuar.
Objekti i fundit është Hotel Restaurant "Karlsberg" i cili, në fakt, ka ndërruar disa herë emërtim, por unë po shënoj atë të parin. ( Foto 4).
Nuk besoj se ka njeri që ka nevojë të shkruajë vendndodhjen, sepse çdonjërit i ka rënë në sy. Ka më shume se pesë vjet që vazhdon ndërtimi i tij, dhe mesa duket tani i është afruar fundit.
Unë do ta quaja një arkitekturë e restaurimit, në kuptimin që janë munduar të na japin epoka të kaluara. Por kjo është bërë me dashuri dhe shumë precizion.
Ishte një kohë kur kjo quhej arkitektura e realizmit socialist, por sot atë nuk mund ta quash ashtu. Se mungon Socializmi. Por sidoqoftë është një transplant epokash dhe rrymash të kaluara nga antikiteti grek deri në pallato-kulturën ruse.
Edhe këtu ka një unitet të dukshëm mes formës dhe elementeve të jashtme e atyre të brendshme.
Këmbëngulja, qëndresa, dashuria dhe rezistenca për ta çuar deri në fund, më kanë habitur dhe krijuar respekt.
Unë admiroj ëndërrimtarët dhe këto vepra tregojnë se ka edhe pak të tillë.