Howard Engel: Shkrimtari që humbi të lexuarin
Një ditë vere të vitit 2001, shkrimtari i romaneve të verdha, kanadezi Howard Engel ngrihet nga shtrati, ha mëngjesin dhe siç bënte çdo ditë shkon të marrë gazetën në shkallaren e shtëpisë. Nis të shfletojë “Globe and Mail”, një e përditshme e Tornotos në gjuhën angleze. Shkrimtarin e priste një surprizë e madhe teksa shfletonte. Nuk mund të deshifronte më shkronjat e shtypura në faqe. Papritur, ajo gjuhë ishte për të e pakuptueshme. Shkronjat nuk kishin më kuptim. “Më ngjante një lloj shkrimi në serbo-kroatisht”, kujtonte ai vetë, duke u bërë një rast mjaft i përfolur në mediat ndërkombëtare. Neurologët e njihnin një sëmundje të tillë të rrallë, por ky rast, ai i një shkrimtari, shkonte përtej trajtimit klinik. Në mes të kësaj çudie, Engel kuptoi të paktën se nuk e kishte humbur aftësinë, me të cilën ishte bërë i njohur: të shkruarit. Engel, 79-vjeçarin kanadez e kanë cilësuar si një shkrimtar të lindur, nga ata që në pak rreshta u jep jetë personazheve të tij. Mjekët e diagnostikuan me sëmundjen e rrallë neurologjike alexia sine agraphia: mund të shkruante, por kishte humbur aftësinë e të lexuarit. Një iktus kishte prekur trurin e tij. Raste të ngjashme me atë të shkrimtarit kishin pasur një fat edhe më të keq. Nuk mundnin më as të shkruanin e as të lexonin. Kështu, çështja e Howard Engel mbërriti te një publik i gjerë. “Shkrimtari që ka humbur fjalët”, “Shkrimtari që s’mund të lexojë më”, “Shkrimtari që ka harruar se si mund të lexohet”, janë vetëm disa nga titujt me të cilët mediat ndërkombëtare përshkruanin rastin e shkrimtarit kanadez. Ndërsa profesori i neurologjisë e njëkohësisht shkrimtar, anglezi Oliver Sacks iu përkushtua tërësisht këtij rasti. Vetëm pak ditë më parë kjo histori ka zënë sërish faqet e gazetave. Karikaturisti Lev Yilmaz, një video origjinale të animuar që zgjat shumë pak, përmes ilustrimeve tregon se si gjatë këtyre viteve të vështira arriti më në fund të ndriçonte pak mendjen e tij. Gjatë videos dëgjohet zëri i vetë shkrimtarit që rrëfen atë që kishte ndodhur më 31 korrik të nëntë viteve më parë. “Gazeta më dukej e shkruar serbo-kroatisht, koreançe ose në një gjuhë tjetër që papritur nuk e njihja. Mora një libër nga rafti, të cilin e dija me siguri se ishte shkruar anglisht, por edhe në të shkronjat ishin të çuditshme për mua dhe të pakuptueshme”, kujton ai. Engel kishte një iktus që i kishte prekur pjesën e trurit që përdorim kur lexojmë: nuk arrinte t’u jepte më një kuptim germave. Sytë e tij funksiononin, i njihnin edhe format në faqe, por ato ishin forma që nuk mund t’i deshifronte më. “Ishte një goditje e rëndë. Mendova: Tani jam i mbaruar si shkrimtar”. Në fakt nuk ndodhi kështu. Howard Engel arriti të shkruante dy bestsellerë. Detektivi i tij i njohur, Benny Cooperman, personazhi i bestsellerit “Gjuetari i fjalëve”, i botuar në vitin 2005 ka të njëjtën sëmundje si vetë shkrimtari. Ky personazh është ndërtuar mbi eksperiencën personale, ndërkohë që më vonë vjen libri i dytë, “Njeriu që ka harruar si të lexojë”, botuar më 2007. Engel përshkruan eksperiencën personale gjatë kohës që përpiqej të rimerrte veten i ndihmuar edhe nga neurologu anglez, Oliver Sacks. Përpjekjet e tij nuk kanë shkuar dëm. Ndonëse kishte humbur aftësinë për të lexuar, shkrimtari kanadez nuk kishte humbur shpirtin. Gjatë viteve nisi të shfrytëzojë pjesën motorike të trurit. Zbuloi se duke prekur me dorë secilën prej atyre germave të pakuptueshme të shtypura në gazetë, pak nga pak do të arrinte të mësonte edhe kuptimin e fjalëve. Pas shumë ushtrimesh për rehabilitim dhe me shumë këmbëngulje, nisi fillimisht të shkruante fjalë në ajër duke simuluar kështu aktin e të shkruarit. Lëvizte duart, por edhe gjuhën duke formuar shenjën e germave mbi dhëmbë. Sipas neurologut Sack, truri është shumë më plastik nga sa mund të mendohej. Edhe pse një pjesë e tij është e dëmtuar nga iktusi, duke ushtruar mund të përdoret pjesa e shëndetshme e trurit. Gjatë nëntë viteve përpjekje për t’u rikuperuar, Howard Engel arriti të shkruajë edhe dy bestsellerë. Historia misterioze e shkrimtarit mbetet ende mjaft e diskutuar për kuriozët.
#