Nik Xhelilaj: Dua ti rrëfej botës histori shqiptare
Në të parën shfaqje në ekranin e madh të kinemasë, Nik Xhelilaj ishte studenti shqiptar që kishte shkuar në çeki e ishte përfshirë në një histori dashurie me një grua të martuar. Regjisori Piro Milkani e zgjodhi për personazhin kryesor, atë që mbante nostalgjitë dhe pak nota autobiografike të vetë regjisorit në filmin “Trishtimi i Zonjës Shnajder”. Në ditët e fundit të qershorit, aktori i ri, Nik Xhelilaj, provoi shijen e suksesit ndërkombëtar. U zgjodh si aktori më i mirë me filmin “Shqiptari” në Festivalin Ndërkombëtar të Moskës. Të ardhmen e tij e sheh në Shqipëri, ndërsa pikësynim mbetet teatri.
Në të parën shfaqje në ekranin e madh të kinemasë, Nik Xhelilaj ishte studenti shqiptar që kishte shkuar në çeki e ishte përfshirë në një histori dashurie me një grua të martuar. Regjisori Piro Milkani e kishte pikasur teksa kërkonte mes të rinjve të Akademisë së Arteve. Nik Xhelilaj ishte atë kohë në vitin e parë për aktrim. Milkani e zgjodhi për personazhin kryesor, atë që mbante nostalgjitë dhe pak nota autobiografike të vetë regjisorit në filmin “Trishtimi i Zonjës Shnajder”. Niku u cilësua shumë shpejt si “bukuroshi” i kinemasë. Kujtoj që në atë kohë kur xhirimet do nisnin, pesë vjet më parë, regjisori Saimir Kumbaro, ulur në kafenenë e improvizuar poshtë rrapit në pjesën ballore të Galerisë së Arteve,(aty takoheshin dikur një pjesë e mirë e artistëve) kishte një tufë fotografish me pretendentët e këtij roli. I kalon njëra pas tjetrës dhe ndalet te fotografia e Nikut. Ai ishte i përzgjedhuri. Ky do të ishte i pari hap i aktorit të ri drejt filmit. Në ditët e fundit të qershorit, nga Moska erdhi lajmi se filmi ende i pashfaqur për publikun tonë, “Shqiptari” kishte fituar dy çmime. Një bashkëprodhim shqiptaro-gjerman nën regjinë e Johannes Naber me skenar të regjisorit dhe Ani Spahivoglit. Në Festivalin Ndërkombëtar të Moskës, ku një film shqiptar konkurron në seksionin zyrtar, “Shqiptari” merr çmimin special të jurisë, ndërsa Nik Xhelilaj vlerësohet si aktori më i mirë. “Akoma s’më besohet plotësisht. Po filloj të mësohem. Ishte një surprizë shumë e bukur. Së bashku me regjisorin dhe producentin Dritan Huqi u nisëm drejt Moskës pa pretenduar për asgjë. Për ne edhe vetëm përzgjedhja e filmit në kompeticionin zyrtar ishte mjaft. Në festivale të tilla funksionon së tepërmi sistemi i lobingjeve. Grupi ynë nuk kishte asnjë shans të krijonte një të tillë. I pamë anëtarët e jurisë vetëm pas çmimeve. U ndjeva i lumtur kur kryetari i jurisë, Luc Besson më përshëndeti”, shprehet Xhelilaj, i cili pas Moskës ka udhëtuar në Festivalin e Filmit në Munih ku filmi ishte sërish në konkurrim, ndërkohë që nesër filmi shfaqet në festivalin Karlovy Vary në kategorinë "East of the West”. Pas “Trishtimit të Zonjës Shnajder”, Xhelilaj u ftua nga regjisori Artan Minarolli në filmin “Gjallë”. Sërish një rol studenti, por këtë herë shumë më vonë në kohë, vendosur në një kuadrin social të gjakmarrjes. Personazhi i tij i ri lëvrin po në të tilla probleme, këtë herë ato të një emigranti shqiptar. Xhelilajt i ka takuar të interpretojë personazhe tipike, ndonëse përvoja ende nuk e ka lejuar që të japë më të mirën në ekran apo të depërtojë ashtu siç duhet në karakterin që i është besuar. “U ndjeva krenar që në atë festival përfaqësohesha me film shqiptar. Pati reagime pozitive nga publiku. Vinin njerëz, filmdashës apo filmbërës që pyesnin se si është Shqipëria, a është po aq e bukur si në film? A emigrojnë ende njerëz. Përveç një domethënie të madhe që ka për mua, ky çmim u jep shpresë të gjithë aktorëve të rinj që punojnë në Shqipëri, u jep shpresë të besojnë që të punosh si aktor në vendin tonë nuk është vetëm një ëndërr e bukur, por zgjedhja e duhur”, thotë Xhelilaj. I aktivizuar që në vitet e para të Akademisë së Arteve ai është optimist edhe për të ardhmen. Në fakt, është e kundërta e një pesimizmi të përgjithshëm që kanë sot artistët e rinj në Shqipëri. Sipas tij, kompani të reja teatrore po vazhdojnë të hapen e do të hapen në vazhdim, ndërkohë që e quan fat që ka ardhur koha që drama dhe kalvari i shqiptarëve nëpër Europë të thuhet me zë të lartë në film. Kjo pjesëmarrje e ka vënë aktorin e ri në kontakt më të drejtpërdrejtë me industrinë e filmit. “Konkurrimi nga viti në vit vjen në rritje, tregu i filmit po bëhet më i vështirë, ndaj jam krenar që edhe Qendra Kinematografike mundi të arrijë sukses me një prodhim të sajin”, thotë Xhelilaj. Bashkëpunimi me Johannes Naber ishte i pari për të me një regjisor të huaj. Duke folur me mirënjohje për regjisorët Milkani dhe Minarolli që i dhanë eksperiencat e para, tregon se pati lodhje, edhe vështirësi që në fund ia vlejtën. “Naber ka parë dhe ka treguar më pas në shirit një histori shqiptare me shumë zemër. I falënderoj të gjithë ata që bënë të mundur që kjo histori të tregohej dhe që ky film të realizohej”.
Galeria e personazheve shqiptare që do të donte të realizonte për të është e shumtë. “Do doja të tregoja fatet e shumë shqiptarëve që në këto vite kërkuan fatin e tyre në rrugët e Europës. Sigurisht që do të doja të bëhesha pjesë edhe e historive që s’i kam jetuar, siç janë vitet e vështira të komunizmit. Nuk xhelozoj ndonjë gjë kushedi jashtë Shqipërisë”, shprehet Xhelilaj. Në fakt, festivali i Munihut i ka ofruar disa kontakte. Një producente ruse, regjisori venezuelian, Marcel Rasquin, që fitoi çmimin e parë dhe një tjetër regjisor polak fitues kanë vendosur kontaktet me të. “E ardhmja do të vazhdojë në Shqipëri”, thotë Xhelilaj duke përjashtuar për momentin ndonjë shpërngulje të mundshme në një vend tjetër. Ndërsa është njohur si aktor filmi, angazhimet në teatër kanë qenë më të pakta për të. “Sigurisht që teatri mbetet synimi im. Në fund të fundit, unë mbarova shkollë për aktrim në teatër. Pata fat të punoja në film, por dhe angazhimet në teatër nuk i kam lënë”, përfundon Xhelilaj duke vazhduar të shijojë suksesin e parë ndërkombëtar.
#