E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli: Të lëvizin ujërat e trashëgimisë

Takimi i sotëm për trashëgiminë kulturore në rrezik synon hartimin e një dokumenti drejtuar institucioneve të larta të shtetit dhe opinionit publik


Nuk është as i ri as i vjetër apeli për trashëgiminë në rrezik. Trashëgimia është pjesë e kauzave për shpëtim kombëtar që ngrihen e bien çdo ditë në këtë vend. Nuk mungojnë debatet dhe thirrjet për ndjeshmëri ndaj këtyre punëve vënë në fokus të kombit modern, por ideve humaniste u mungon veprimi.


Këtë ka ndërmend të bëjë forumi që mblidhet sot për "trashëgiminë në rrezik"? Mundet. Qëllimin për të bërë diçka konkrete-konkrete e ka paralajmëruar prej një jave tryeza që mblidhet sot.


Artan Lame, dikur, në vitet dymijë, drejtonte Drejtorinë e Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës me ministër Edi Ramën, sot në emër të Qendrës Shqiptare të Trashëgimisë, fton në një tryezë në Restorant SARAJI, ish-Instituti i Monumenteve, ora 11.00, specialistë të fushës, por kryesisht dashamirës të trashëgimisë vendase dhe njerëz që mund ta ngrenë zërin në opinionin publik.


Objekt diskutimi në "Trashëgimia Kulturore e Rrezikuar" janë vënia në dukje e problematikave nga të cilat vuan aktualisht Trashëgimia Kulturore Shqiptare dhe "lëshimi i një mesazhi të fortë për situatën alarmante në të cilën gjendet trashëgimia kombëtare."


Qëllimi është të mblidhen dhe të diskutohen propozime për "lëvizjen e ujërave" . Konkretisht: të hartohet një dokument i përbashkët i pjesëmarrësve të sotëm drejtuar institucioneve shtetërore, qeverisjes vendore, medias dhe publikut.


Ndër faktorët e dëmtimit të trashëgimisë në dekadat e fundit, Lame përmend ata shkaktarë që lidhen "me zhvillimin e paqëndrueshëm të vendit. Shumë nga monumentet që mbërritën në vitet '90 të rrezikuara, tashmë janë zhdukur dhe bëjnë pjesë vetëm në kujtesën e brezit tonë.


Në kushtet e krizës ekonomike, të parat që e pësojnë janë institucionet e trashëgimisë dhe vetë trashëgimia kulturore. Nevoja e qeverive për të siguruar burime financimi nëpërmjet shkurtimeve buxhetore, bën që jo vetëm të mos kemi rritje natyrale të buxhetit të caktuar për trashëgiminë (rritje që dikur ka qene 3-5% në vit), por përkundrazi të kemi shkurtime të këtyre buxheteve dhe në shumë raste edhe shuarje të zërave të veçantë."

Buxheti i institucioneve të trashëgimisë (kryesisht ai i Institutit të Monumenteve) është, gjithnjë sipas Lames, i papërfillshëm për "çështje që kanë të bëjnë me ndërgjegjësimin publik, me publikimin e trashëgimisë, me përfshirjen nën mbrojtje te objekteve te reja, etj."


Çështja e buxheteve të vogla që shkon paralel me gjendjen me forcat shkencore të këtyre institucioneve, është ndër shkaktarët e dëmtimit gradual por të sigurtë të trashëgimisë.


Shqetësimet që ngre Lame në ftesën për debatin e sotëm vënë në dukje përfshirjen e instrumenteve që trajtojnë trashëgiminë në shtjellën e interesave të politikës së ditës.


Rënien e nivelit shkencor në këto institucione të cilat ka ndodhur edhe të bëjnë rezistencë, ai e quan edhe pasojë "të ndërhyrjeve abuzive në trashëgiminë kulturore". Kësaj "i janë mbivendosur marrëveshjet politike, të cilat reflektohen në ndarjen e parcelave të pushtetit deri në nivelin e institucioneve shkencore.


Edhe në rastet kur drejtuesit e lartë të administratës, po të vihen në dijeni do të frenoheshin në vendimmarrjet e tyre, kjo nuk ndodh pasi piramida lajmëruese nga poshtë-lart nuk funksionon."


I gabuar i rezulton procesi i decentralizimit në fushën e trashëgimisë.
Siç shihet ky konstatim i fundit si dhe të tjerat të përmendura më lart, ecin krah për krah me konstatimet e atyre që kanë ndërmarrë reformë në trashëgiminë kulturore shqiptare. Dihet tashmë që ndryshimet në ligj mendohet t'ja kthejnë Institutit të Monumenteve të Kulturës gjithë drejtorit rajonale, pra të ndodhë sërish centralizimi, dhe vetë IMK të fitojë një status më të lartë, statusin e një institucioni shkencor.


Kështu pra, palët, në pushtet ose pa pushtet, të majtë ose të djathtë, specialistë ose diletantë kërkojnë të ecin të njëjtës rrugë.


Atëherë ku qëndron problemi?


Mbase dokumenti që del nga tryeza sotme e rrumbullakët thotë gjë për këtë.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›