E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafik armësh Kukës-Tiranë, një person përfundon në pranga

Policia e Kukësit ka arrestuar 38-vjeçarin Artan Sinamati, ndërsa po punon për të gjetur personin që priste pistoletat

KUKËS - Policia e Kukësit ka bllokuar pesë pistoleta të markës "Zastava", duke ndaluar dy persona, njëri prej të cilëve dyshohet se ishte zotërues i pistoletave. Ndërkohë po punohet për të gjetur pritësin e pistoletave në Tiranë. Burime të Drejtorisë Policisë Qarkut Kukësit kanë bërë të ditur se të shtunën paradite, forcat e Drejtorisë së Policisë së këtij qarku, pas informacioneve të marra në rrugë operative, kanë zbuluar në furgonin e linjës Kukës-Tiranë të drejtuar nga Safet Braha nga fshati Bicaj, pesë pistoleta të markës "Zastava" të kalibrit 6,35 mm dhe pesë krehëra me nga pesë fishekë secili. Pistoletat qenë të ambalazhuara në një kuti kartoni dhe të izoluar me materiale ngjitëse. Menjëherë policia ka shoqëruar drejtuesin e furgonit bashkë me mjetin e tij në mjediset e komisariatit të Kukësit. Pas marrjes në pyetje, drejtuesi i furgonit, Safet Braha, ka deklaruar se pakon ia kishte dhënë personit me emrin Artan Sinamati nga fshati Bushat i rrethit të Kukësit. Sipas pohimeve të drejtuesit të furgonit, personi që i kishte dorëzuar pakon nuk i kishte dhënë emrin e personit që priste pakon dhe as ndonjë numër telefoni, por i kishte thënë se personi do të paraqitej vetë në Tiranë për të marrë pakon në dorëzim. Menjëherë policia është vënë në ndjekje të këtij personi duke e ndaluar në shtëpinë e tij në fshatin Bushat. Fillimisht 38-vjeçari Artan Sinamati nuk ka pranuar që t'i ketë dhënë ndonjë pako Safet Brahës për në Tiranë në ballafaqimin mes tyre. Kjo ka shkaktuar revoltë tek drejtuesi i furgonit, i cili e ka quajtur personin që i kishte dorëzuar pistoletat si të pabesë dhe që e kishte mashtruar duke e marrë në qafë. Por sipas policisë së Kukësit është provuar se posedues i këtyre pistoletave është Artan Sinamati, pasi personi që priste mallin në Tiranë e ka telefonuar herë pas herë duke e pyetur se pse po vonohej furgoni. Ndërkohë që me ndihmën edhe të kompanive të telefonisë celulare policia po punon për kapjen e pritësit të mallit. Dyshohet se pistoletat blihen në Kosovë dhe shiten më pas në Shqipëri, kryesisht në Tiranë. Ky lloj trafiku ka kohë që funksionon, ndërkohë që policitë e Shqipërisë e Kosovës kanë zbuluar dhjetëra persona të përfshirë në këtë lloj trafiku.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›