Arkivi i Filmit në Tiranë sjell nostalgjinë e kinemasë në gusht
Filmi “Shqiptari”, pas rrëmbimit të dy çmimeve në Festivalin Ndërkombëtar të Moskës
do të shfaqet për herë të parë në kuadër të projektit që ka nisur Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në Tiranë. Ky projekt konsiston në përurimin e kinemasë prej 100 vendesh dhe në rikthimin e filmave që janë shfaqur ndër vite. Kinemaja më e re, do të pres çdo të mërkurë në orën 12 publikun kryeqytetas duke ju dhuruar atyre nostalgjinë e kinemasë ndër vite. Ky program do të vihet në zbatim pas inaugurimit të sallës së re të kinemasë në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit në Tiranë. Filmi “Shqiptari” është një bashkëprodhim shqiptaro-gjerman, i mbështetur nga Qendra Kombëtare Kinematografike. Regjisori i filmit është Johannes Naber, i cili pak muaj më parë së bashku me kastën e aktorëve, shqiptarë dhe të huaj, ka realizuar xhirime dhe në Shqipëri, kryesisht në Tropojë, pasi protagonisti i filmit është një emigrant shqiptar nga kjo zonë në veri të Shqipërisë që interpretohet nga Nik Xhelilaj. Historia e të riut shqiptar që emigron për të siguruar një shumë parash për t'u martuar me vajzën që dashuron, është një histori e shkruar nga 5 autorë, mes të cilëve Andeta Spahivogli dhe regjisori i filmit, gjermani Naber. Aktori 27 vjeçar, Nik Xhelilaj, i cili ka qenë protagonist dhe në dy filma të tjerë “Trishtimi i zonjës Shnajder”, i regjisorit Piro Milkani dhe "Gjallë", i regjisorit Artan Minarolli, realizuar vitet e fundit, është shprehur për një të përditshme se regjisori Johannes Naber e kishte përzgjedhur si personin e duhur për rolin e një shqiptari tipik, që di të dashurojë. "Është një film ku ka shumë varfëri materiale dhe shumë pasuri shpirtërore dhe për të arritur një lojë të mirë duhet spontanitet, vërtetësi. Luaj me aktorë të mirë si: Yllka Mujo, Çun Lajçi, Amos Zaharia, dhe një aktore e re nga Kosova, që është dhe e dashura ime në film”, është shprehur Xhelilaj. Producentë të filmit janë Boris Schönfelder dhe Dritan Huqi, ndërsa drejtor fotografie Sten Mende.
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, duke filluar nga muaji gusht do të fillojë shfaqjen falas për publikun, të filmave që ruhen nga ky institucion dhe që janë shfaqur ndër vite në kinematë shqiptare. Programi i rregullt i shfaqjes së filmave falas për publikun, mendohet të fillojë në muajin gusht dhe do të vazhdojë deri në fund të vitit, sipas një kalendari të caktuar që do të shpallet së shpejti. Fillimisht do të shfaqet vetëm një film në javë, kurse me fillimin e shtatorit, një film çdo ditë. Filmat do të shfaqen ne kinemanë 100 vendëshe pranë këtij Arkivi. Salla, tani për tani, quhet "Salla 2000", por mendohet të pagëzohet me një emër të ri duke mbajtur emrin e ndonjë kineasti të shquar shqiptar. Pjesë e repertorit të shfaqjeve do të jenë filma të tillë si "Doni i qetë", "Bija e kapitenit", "Shën Mëria e Parisit", "Perënditë me kokë poshtë" apo edhe "Love Story".
Vjeshta sjell katër filma shqiptar me metrazh të gjatë
Do të jenë 4 premiera filmi artistik me metrazh të gjatë, të cilat do të vijnë për publikun gjatë vjeshtës, e ndërkohë që do të ketë dhe më shumë mbështetje për projektet kinematografike shqiptare, ku janë cilësuar si shumë të rëndësishme dhe pranimi i
vendit tonë në disa organizma ndërkombëtare të prodhimit të filmit në botë. Të gjitha këto bëhen të ditura në raportin e punës gjashtëmujore të Qendrës Kombëtare Kinematografike. Premierat e katër filmave artistik shqiptar me metrazh të gjatë “Shqiptari”, skenari Johannes Naber, Andeta Spahivogli, regjia Johanes Naber. “Pharmakon”, regjia Joni Shanaj. “Out of Touch”, Skenari Andi Deliana, Enkel Demi, regjia Andi Deliana, “Maya”, skenari Luljeta Lleshanaku, regjia Pluton Vasi. Nga autorë shqiptarë pritet të prodhohen së shpejti edhe disa filma dokumentarë, dhe disa me metrazh të shkurtër, si dhe tre filma artistikë me metrazh të gjatë, të cilët janë: "Amnistia" me regji të Bujar Alimanit, "Bota" me regjit të Iris Elezit dhe "Udhëkryqi" me regji të Robert Budinës.
20 Korrik 2010