Dinamo, sot para testit të së vërtetës
Me dy gola deficit ndaj dhe me katër mungesa titullarësh, Dinamo do të përballet ndaj Sherifit të Tiraspolit në ndeshjen e kthimit në “Qemal Stafa” (të martën, 20:00) me synimin e vetëm kualifikimin në turin e tretë eliminator të Ligës së Kampioneve. Goli i argjentinasit Lukas Malarkane në Moldavi në humbjen 3-1 të Dinamos, është shumë i rëndë, pasi ende mban në lojë blutë, të cilëve u mjaftojnë të shënojnë dy gola pa pësuar asnjë për të kaluar për herë të dytë një tur në Ligën e Kampioneve ashtu siç bënë në edicionin 2002-2003 kur në eliminuan lituanezët e Kaunasit. Me Elis Bakajn (i pezulluar me karton të kuq, e i nisur për një provë te Hanover në Gjermani), Ilgi Allmuçën (i dëmtuar), Gjergji Muzakën (i ka ndodhur një fatkeqësi familjare) dhe senegalezin Pape Diop (i kaluar te Shkumbini), trajneri argjentinas i Dinamos, Luis Manuel Blanko, do të ideojë një formacion të ri dhe do të përpiqet të shmangë përsëritjen e dështimit të paraardhësit të tij, argjentinasit Marselo Havier Zuleta, kur formacioni i këtij të fundit u eliminua me dy humbje nga boshnjakët e Modricës në edicionin 2008-2009. Blanko ka në dispozicion një formacion titullar me eksperiencë të mjaftueshme futbollistike, por me një stol me lojtarë të rinj, e të paaftë për të përballuar Sherif Tiraspolin, një konglomerat lojtarësh nga dhjetë vende të huaja. Në takimin e parë, kampionia e Shqipërisë, Dinamo, e ruajti vetëm 50 minuta e barazimin e përkohshëm (1-1) kundër Sherif Tiraspolit, përpara se të mbetej me dhjetë lojtarë e të humbiste 3-1 takimin me kampionen e Moldavisë, në ndeshjen e parë të turit të dytë eliminator të Ligës së Kampioneve. Për 18 herë kampionët e Shqipërisë të drejtuar nga argjentinasi Luis Manuel Blanko, golin e vetëm e shënoi patrioti i tij, Lukas Malarkane në minutën e 12-të, vetëm tri minuta pasi ekipi moldav kishte realizuar më anë sulmuesit serb Vladimir Volkov. Malaziasi Bako Nikoliç shënoi golin e dytë për Sherifin në minutën e 62-ë, ndërkohë që mesfushori i Dinamos dhe i Kombëtares shqiptare, Elis Bakaj, u ndëshkua direkt me karton të kuq në minutën e 68-të, duke ia vështirësuar akoma më shumë situatën për ekipin shqiptar. Dy minuta më pas, mbrojtësi brazilian Hoze Nadson shënoi golin e tretë dhe të sigurisë për Sherifin, që mbërrin në Tiranë me avantazhin e dy golave. Për Dinamon, humbja e Sherifin ishte e 10-ta në 13 ndeshje, ku ka arritur vetëm 1 fitore (në transfertë) dhe 2 barazime. Dinamo e kaluar për herë të fundit një tur në Ligën e Kampioneve në sezonin 2002-2003. Dinamo e drejtuar atëherë nga Faruk Sejdini fitoi në transfertë 2-3 me FK Kaunas në Lituani (17 korrik 2002: golat Ahmataj 55’, Pisha 56’, Qorri 76’ )dhe barazoi 0-0 në Tiranë (24.07.2002). Në turin e dytë Dinamo u eliminua nga Brondbi e Danimarkës (dy humbje 0-1, 0-4). Dinamos i duhet të fitojë minimalisht 2-0 në takimin e kthimit në Tiranë (20 korrik) për të shpresuar në kualifikimin e turit të tretë, çka është edhe objektivi minimal i presidentit të bluve, Besnik Sulaj, por dhe i trajnerit argjentinas, Luis Manuel Blanko. Sherif Tiraspol mbërriti të hënën në mesditë në kryeqytetin shqiptar (u akomodua në hotel “Sheraton”), ndërkohë që në mbrëmje (18:00) bëri stërvitjen njohëse në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, përpara se të ndeshet me Dinamon, në sfidën e 14-të të kësaj të fundit në Ligën e Kampioneve. Nëse Dinamo do të arrijë të eliminojë kampionen e Moldavisë, Sherif Tiraspol (humbi takimin e parë 3-1) do të përballet në turin e tretë eliminator të Ligës së Kampioneve me fituesin e çiftit Dinamo Zagreb-Koper. Në ndeshjen e parë të këtij çifti, Dinamo e Zagrebit fitoi 5-1.
LIGA E KAMPIONEVE
TURI I DYTË ELIMINATOR
EDICIONI 2010-2011
Ndeshja e kthimit
20 KORRIK 2010
Dinamo-Sherif
Ndeshja e parë
14 KORRIK 2010
Sherif-Dinamo 3-1
Si kualifikohet Dinamo
Dinamo kualifikohet direkt nëse fiton minimalisht 2-0 apo me çdo rezultat tjetër mbi tre gola diferencë: 3-0, 4-1 e kështu më radhë. Nëse fiton 3-1, Dinamo mund ta çojë ndeshjen në kohën shtesë dhe të besojë më pas në fatin e penalltive. Nëse Dinamo barazon apo humbet 4-2 (5-3 e kështu me radhë) të kualifikuar janë moldavët.
DINAMO NË LIGËN E KAMPIONEVE
2009-2010: Sherif (Moldavi)-Dinamo 3-1, 20.07
2008-2009: Dinamo-Modrica (Bosnjë): 0-2, 1-2
2002-2003: Dinamo-Kaunas (Lituani): 3-2, 0-0
Dinamo-Brondbi (Danimarkë):0-4, 0-1
1990-1991: Dinamo-Marsejë (Francë): 1-5, 0-0
1996-1987: Dinamo-Beshiktash (Turqi): 0-2, 0-1
1980-1981: Dinamo-Ajaks (Holandë): 0-1, 0-2
Bilanci: 13 ndeshje, 1 fitore, 2 barazime dhe 10 humbje
Kolona
FIFA: “Asnjë debat për teknologjinë deri në tetor”
Presidenti i FIFA-s, Sep Blater, dha sinjale se çështja e teknologjisë për vijën e portës mund të debatohet gjatë një takimi me ligjvënësit e futbollit në Uells gjatë kësaj jave, por duket se çështja nuk do të shtrohet për diskutim deri në tetor.
Komiteti teknik i Bordit të Shoqatës Ndërkombëtare të Futbollit është parashikuar të takohet të mërkurën, por debati nuk do të ndodhë deri në vjeshtë. “Takimi kësaj jave është thjesht të ratifikojë çdo kërkesë që mund të vijë rreth implementimin me eksperimentimin e gjyqtarëve asistentë, e cila u përdor vitin e kaluar në Ligën e Europës”, - tha një zëdhënës i FIFA-s për gazetarët. “Takimi i parë formal rreth diskutimit të teknologjisë në vijën e portës do të ketë në vend në muajin tetor”. Gjatë Kampionatit Botëror të Afrikës së Jugut ndodhën disa incidente të profilit të lartë, përfshirë edhe golin e qartë të Frenk Lampardit në ndeshjen kundër Gjermanisë, i cili u anulua gabimisht, çka solli edhe çështjen në fokus. Presidenti i FIFA-s tha se debati mund të zinte vend këtë javë, por duket se tani data është shtyrë. “Është e qartë se pas eksperiencë deri tani në këtë Kupë Bote, do të ishte nonsens të mos e rihapnim çështjen e teknologjisë gjatë takimin të biznesit të Bordit Ndërkombëtar të Shoqatë së Futbollit në korrik”, - tha Blater gjatë Kupës së Botës.
Luis van Gal: “Do të bëhem trajner kombëtareje”
Trajneri me profil të lartë Luis van Gal dështoi në çonte Holandën në finalen e Kupës së Botës së vitit 2002 në Japoni/Kore e Jugut, por kryepunëtori i Bajernit të Munihut mendon se ai do të jetë trajner i një ekipi kombëtar gjatë finaleve të Kupës së Botës në vitin 2014. “Kontrata ime me Bajernin e Munihut përfundon vitin e ardhshëm dhe unë nuk do të nënshkruaj asnjë kontratë të re përpara se të skadojë ajo. Unë nuk dëshiroj të nënshkruaj as në vjeshtë dhe as në dimër”, - deklaroi Van Gal për revistën gjermane “Kicker”. “Unë dëshiroj të bëhem sërish trajner i një ekipi Kombëtar. Unë mund të largohem realisht nga Bajerni pasi tani është koha kur caktohen trajnerët e ekipit Kombëtar. Prandaj, ndoshta unë ta zgjat kontratën tim për një vit deri në vitin 2012 e më pas të marr një vend pas Euro 2012-s. Unë do të bëhem trajner në Kupën e Botës. Unë mendoj kështu. Shpresoj kështu”. Van Gal gjatë viteve të fundit ka qenë i lidhur me vende si Nigeria, Gjermania dhe Argjentina.
Ançeloti: “Tani radha e Ligës së Kampioneve”
Trajneri i Çelsit, Karlo Ançeloti, këmbënguli se vendimi i Xho Koullit për t’u larguar nga “Stamford Brixh” në fund të sezonit ishte thjesht për arsye ekonomike dhe asgjë personale. Ançeloti mbajti dhe pati marrëdhënie pune pozitive me mesfushorin e Anglisë dhe ishte më shumë se i lumtur me performancën e tij për ekipin. Italiani pranoi se ai do të preferonte që lojtari të qëndronte, por gjithashtu mbrojti faktin se largimi i 28-vjeçarit nuk kishte të bënte aspak me të. “Jo, pasi problemi ishte ekonomik”, - tha Ançeloti për gazetarët. “Ishte një problem midis klubit dhe Xho Koull, jo me mua. Ne folëm rreth kësaj, por kur problemi ka të bëjë më paratë, atëherë nuk është problemi im. Është e vështirë të mbash një lojtar gjatë gjithë kohës në një skuadër. Unë mendoj se Xho Koull, ashtu si Mikeal Balak dhe Zhulian Beleti, bënë një punë fantastike. Unë dëshiroj t’i falënderoj ata, por ata është koha të bëjmë ndryshime”. Ndërkaq, Ançeloti dëshiron të shtyjë ekipin e tij përpara pas suksesit të dyfishtë në fitimin e kampionatit anglez, Premier Ligës, dhe Kupës së Anglisë drejt fitimit të Ligës së Kampioneve. “Qëllimi ynë të bëjmë më mirë se vitin e kaluar në Ligën e Kampioneve”, - shtoi ai. “Ne dolëm jashtë loje shumë shpejt gjatë sezonit të kaluar. Nuk është e lehtë të jesh konkurrues në çdo kompeticion. Nëse do të ishte e mundur, atëherë ne do të dëshironim të përsërisnim atë që ne bëmë vitin e kaluar në kompeticionet e tjera”.
20 Korrik 2010