E Diel, 1 Nëntor 2026

Arlind Nora, i gëzuari dhe i hidhëruari i derbit

Nga SOKRAT  PAPADHOPULLI

Sulmuesi gjirokastrit ka shënuar dy gola në ndeshjen me Butrintin, por më pas është ndëshkuar me karton të kuq

Fizionominë e çdo ekipi e formojnë disa futbollistë të tij, ndonjëherë edhe një, aq sa identifikohet me të. Kështu, fjala vjen, kur themi Barcelonë, përnjëherësh kemi thënë Mesi. Aktualisht, kur themi Luftëtari, patjetër që na del në pah Devolli. Ndërkaq, në ndeshjen me Butrintin u shfaq edhe gjirokastriti tjetër, i ardhur nga superliga, Arlind Nora. Ai nuk ka luajtur dy ndeshjet e para për shkak dëmtimi dhe në të tjerat nuk ka shënuar, por më së fundi shpërtheu, duke realizuar dy  gola, ndërkohë që u dënua më pas me karton të kuq.

Ndeshja në fjalë i kaloi kufijtë e lojës burrërore, pra pati faza të ashpra, që sollën dëmtime lojtarësh, ndërprerje të lojës 14 minuta pjesën e parë dhe 5 të dytën, kartonë të verdhë dhe të kuq. Goli i parë, që u realizua nga Nora që në minutën e dytë, nga i madhi dhe i paharruari Andon Mazreku do të komentohej se u shënua, pasi topit iu dha një trajektore në formë kambanarie.

Golin e dytë Nora e realizoi me 11-metërsh, për të cilin reaguan vendasit, që në pjesën e dytë e ngushtuan rezultatin dhe u ndodhën afër barazimit, por portieri Selimaj edhe një herë tregoi se është gardian vigjilent. Kështu, shqiponjat dolën fituese edhe ndaj peshkaqenëve, kështu që po fluturojnë lart, duke pasur 1 pikë më shumë se vendi i dytë dhe me një ndeshje të prapambetur, ndërsa javën e ardhshme presin Burrelin, që ndikoi për sa themi, përderisa frenoi Besëlidhjen  kryesuese.

Ndjenjat e kundërta Për atë që ndodhi në Sarandë, protagonisti kryesor i ndeshjes, Arlind Nora, thotë: Jetoj dy ndjenja të kundërta pas ndeshjes me Butrintin. U gëzova që pas disa përpjekjesh në ndeshje të mëparshme dola te goli, por edhe u hidhërova, që u ndëshkova me karton të kuq. Golat ia dedikoj vogëlushes sime, Nikolës, 3 vjeç e gjysmë, që ishte në shkallët e stadiumit, nën kujdesin e vjehrrit tim. Fitorja u arrit, sepse luftuam të gjithë me mish e me shpirt.

Kartonin e kuq e mora sikundër edhe Ngjela, pasi debatuam, por loja e futbollit i përmban edhe këto. Më vjen keq, që nuk do të jem në përballjen me Burrelin në stadiumin tonë, por shpreh bindjen se ekipi ynë do ta vazhdojë serinë e rezultateve pozitive, veçanërisht në Gjirokastër, në mënyrë që gjithmonë e më shumë të jemi në grupin kryesues për ta realizuar objektivin, pra kthimin në superligë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›