Sarandiotët: Gjyqtarët e vodhën Butrintin
Pas ndeshjes me Luftëtarin, ku Butrinti humbi 1-2, kanë reaguar drejtuesit e tij më të lartë. Bashkia ka dalë në një deklaratë për shtyp, me anë të së cilës mban qëndrim ndaj gjyqtarëve, të cilët, sipas sarandiotëve, u tallën me ta. Ja çfarë thuhet në deklaratë:
Butrinti humbi në Sarandë me Luftëtarin dhe, nëse do të ishte një ndeshje e ndershme, që të fitohej me meritë nga skuadra mike, nuk na mbetej gjë tjetër, veçse ta uronim. Por Butrintin e penalizuan gjyqtarët, të cilët quajtën të rregullt një gol të shënuar në pozicion jashtë loje dhe i dhanë Luftëtarit një penallti inekzistente. Kjo ka acaruar me të drejtë tifozërinë vendëse dhe ka çuar në ndërprerjen e lojës. Është dashur vetë ndërhyrja e presidentit Stefan Çipa, që ndeshja të rifillontej. Është turp që gjyqtarët tallen me mundin lojtarëve tanë në këtë mënyrë!
Presidenti i ekipit sarandiot, Stefan Çipa, do të shkojë sot në FSHF për të takuar shefin e sektorit të garave, Ilir Shulkun, të cilit do ti përcjellë protesetën për gjykimin skandaloz kundër Butrintit. Po ashtu, ai do të kërkojë edhe faljen e futbollistit Simon Batha.
