E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arma e Ndrea Prendit, që në mars e zbuloi laboratori i Ministrisë

Ndrea Prendi ne gjykate

Pas sinjalit të Policisë shqiptare, në SHBA u dërguan vetëm 2 pistoleta

Policia Shkencore shqiptare identifikoi gëzhojat, por tyta e Beretës nuk përputhej

Pistoleta e komandantit të Gardës, Ndrea Prendi, ka qenë e skeduar  që nga marsi i vitit të kaluar (2011) si armë që ka qëlluar me plumba luftarakë më 21 janar 2011. Ndonëse Prokuroria u vu në lëvizje në janar 2012, pas ekspertizës së FBI-së, duke ngritur akuzë për vrasje ndaj Ndrea Prendit, shkëndija e parë për armën e gjeneralit ishte dhënë që në Laboratorin e Policisë Shkencore në Tiranë. Bazuar në ekspertizën e kryer mbi disa gëzhoja të marra brenda rrethimit të Kryeministrisë, Laboratori i Policisë Shkencore në Tiranë theksonte se arma kishte rezultuar pozitive. Misteri dhe anomalia që nuk u kapërcye dot në Laboratorin e Tiranës ishte mospërputhja e kësaj arme me predhat, ndërkohë që e njëjta përputhej me gëzhojat. Policia Shkencore sugjeronte se arma me numër P52796Z (e Ndrea Prendit) kishte qëlluar në vendngjarje, por asgjë më shumë se kaq nuk bëhej e ditur. Policia Shkencore, në përgjigjen ndaj Prokurorisë, shprehej se me mundësitë, kapacitetet dhe mjetet në dispozicion, kaq arritëm të përcaktonim. Ky mister është zgjidhur pas marsit 2011, kur Prokuroria vendosi të dërgojë në SHBA për ekspertizë predhat dhe dy pistoleta, atë të Ndrea Prendit dhe të shoferit të tij, Margarit Kume. Dy armët u zgjodhën pikërisht për shkak të anomalisë së konstatuar nga ekspertiza në Tiranë. FBI-ja zbuloi se tyta që ndodhej tani në armën e Margarit Kumes, në fakt ka qenë në pistoletën e kreut të Gardës dhe ka kryer qitjen që vrau Faik Myrtajn dhe qitjet që kanë përfunduar në zyrat e UNHCR-së, përballë Kryeministrisë. Aktualisht komandanti i Gardës akuzohet se pasi ka vrarë Faik Myrtajn, ka ndërruar tytën e armës me Margarit Kumen, me qëllimin për të fshehur të vërtetën.
Provat
Në vendin e ngjarjes u gjetën 11 gëzhoja që ishin qitur nga pistoleta me numër P52796Z, në përdorim të personit në hetim, shtetasi Ndrea Prendi. Kjo tregon se personi në hetim, shtetasi Ndrea Prendi, ka qëlluar njëmbëdhjetë herë me pistoletën me numër P52796Z, që është armatimi i tij personal. Ky person, gjatë deklarimeve të dhëna prej tij me cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, ka shpjeguar se jo vetëm që nuk ka qëlluar asnjëherë, por në momentin që ka dëgjuar të shtënat ai ndodhej brenda në ndërtesë, pasi ishte dëmtuar nga goditja e një pllake guri, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, predha e gjetur në pemën dekorative, predha e gjetur në trupin e viktimës Faik Myrtaj, e shënuar me Q3 në përshkrimet e dosjes penale, si dhe tri predhat e gjetura në zyrat e UNHCR-së janë qitur nga tyta e ndodhur në pistoletën me nr. P52778Z, e cila është armatim personal i shtetasit Margarit Kume. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, të kryer në datën 29 janar 2011 në një nga pemët dekorative është gjetur dhe sekuestruar një predhë vetëm me një përmasë të shprehur, 9 mm, e cila është përshkruar në procesverbalin përkatës. Sipas Prokurorisë, në ndërtesën e UNHCR-së, te kati i dytë, zyra nr. 7, u gjet një predhë arme zjarri e dëmtuar me kalibër 9 mm dhe gjatësi 12.5 mm. Në të njëjtën ndërtesë, te kati i tretë, zyra nr. 12, u gjet një predhë arme zjarri e dëmtuar, kalibër 9 mm, me gjatësi 12 mm dhe te zyra nr. 12 u gjet një predhë arme zjarri e dëmtuar me kalibër 9 mm, me gjatësi 13 mm. Në objektin e Kryeministrisë, në anën veriperëndimore të saj, pikërisht në derën metalike të hyrjes së automjeteve, brenda profilit metalik të derës u gjetën dy copa metalike me përmasa të çrregullta, thekson Prokuroria. Sipas saj, në oborrin e Kryeministrisë, në anën veriore të tij, u gjetën njëmbëdhjetë gëzhoja kalibër 9 mm, të cilat janë qitur nga arma e zjarrit tip Beretta e kalibrit 9 mm dhe me numër P52796Z (pistoleta e shtetasit Ndrea Prendi).

Dyshimet për armën e Ndrea Prendit
Prokuroria: Aleks Nika u vra kur ndodhej pranë Faik Myrtajt
Prokuroria ka dyshime se arma e komandantit të Gardës, Ndrea Prendi, mund të ketë vrarë, përveç Faik Myrtajt, edhe shtetasin Aleks Nika nga Lezha. Në trupin e viktimës Faik Myrtaj u gjet një predhë arme zjarri, kalibër 9 mm, me pamje të rregullt, me formë cilindrike, me majë sferike, me gjatësi 14.8 mm dhe peshë 7.472 gramë. Në kokën e viktimës Aleks Nika u gjet një predhë arme zjarri e deformuar, kalibër 9 mm, me gjatësi të plotë 11.5 dhe gjerësi  në njërin drejtim 8 mm dhe në drejtimin tjetër 11 mm. Në momentin që është qëlluar viktima ndodhej afër vendit ku ndodhej edhe Faik Myrtaj, ka theksuar Prokuroria, duke lënë të kuptohet se teksa ndodheshin pranë njëri-tjetrit, dy viktimat mund të jenë qëlluar nga e njëjta armë.

Pas 21 janarit: Armët e Gardës, dy sekuestrime në janar-mars
TIRANE Dy herë radhazi Prokuroria ka sekuestruar armë të ndryshme në Gardën e Republikës. Menjëherë pas ngjarjes së 21 janarit, Prokuroria sekuestroi pranë Gardës një numër armësh zjarri duke u përqendruar tek automatikët MP-5. Pasi u bllokuan këto armë (rreth 50 automatikë) dhe u mbajtën disa ditë në Prokurori, ato u dërguan për ekspertim. Njëra prej tyre, automatiku i Agim Llupos, rezultoi se kishte qëlluar Ziver Veizin, ndërsa armët e tjera dolën negative. Në këto rrethana, Prokuroria sekuestroi dhe një sasi tjetër armësh pranë Gardës së Republikës, kësaj radhe duke përfshirë edhe pistoletat. Ekspertimi i tyre krijoi dyshime për Ndrea Prendin, ndërsa arma e tij, së bashku me atë të shoferit, u dërguan në SHBA.

Ndrea Prendi si në bunker, civilë e specialë në mbrojtje

Ish-komandanti i Gardës izolohet në katin e katërt

Irritohen banorët përreth Gardës: Prej ditësh jemi si në shtetrrethim, ndihemi të spiunuar

Ndrea Prendi

Vetëm gjashtë janë të dukshëm. Përveç këtyre, që i sheh me uniformat e FNSH-së apo të Komisariatit Nr. 2, policët e tjerë nuk i kupton se nga vijnë e nga mbijnë.
Nga të shohin prej së largu dhe të bëjnë barrikadë trupash nga afër, në hyrjen kryesore të pallatit të Ndrea Prendit, ish-komandantit të Gardës së Shqipërisë, që ndodhet vetëm pak metra larg këtij institucioni. Brenda pak çastesh, çdo tentativë për të shkuar drejt apartamentit të tij, në katin e katërt, ngel maksimumi një kat më poshtë. Edhe deri aty, me 100 fjalët e një fjalie të vetme të efektivëve të turnit: Nuk mund të afrohet asnjeri te apartamenti pa marrë leje nga Prokuroria. Qofshin edhe të afërm. E përsërisin disa herë, duke kërkuar me mirësjellje largimin. E pas mirësjelljes operohet me sjellje të tjera; jo edhe aq të mira kësaj here. Urdhër nga forcat e rendit për tu larguar menjëherë nga brenda pallatit, por edhe disa metra larg tij. Për të realizuar ndonjë fotografi nuk kishte mënyrë negocimi. Kërkon leje, nuk të lënë. I bën vetë, nuk tho

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›