E Diel, 1 Nëntor 2026

Arma e Suedisë: Jemi më të gjatë se portugezët

Altin Latifi 

Trajneri i Suedisë Lars Lagerbak beson se goditjet e ndaluara mund të jenë çelësi për skuadrën e tij, në ndeshjen që do të luhet sot në mbrëmje kundër Portugalisë. Takimi i vlefshëm për grupin 1, ku bën pjesë edhe Shqipëria, vë përballë dy skuadrat më të forta si edhe dy prej lojtarëve më të mirë të botës për momentin, Zllatan Ibrahimoviç dhe Kristiano Ronaldo. Skandinavët janë një nga tre skuadrat që kanë 4 pikë në grup, së bashku me Shqipërinë dhe Danimarkën. Portugezët ndodhen një pikë më poshtë pas humbjes së papritur me danezët më 10 shtator. Rekordi mund të kishte qenë më i mirë nëse suedezët do të kishin shënuar ndonjë gol nga goditjet e këndit apo ato dënimit, që gjithnjë kanë qenë arma e tyre më e fortë. Ekipit të Lagerbak i duhet të gjejë ende golin e parë nga goditjet standarte këtë sezon. Trajneri Lagerbak është i vendosur për ta ndryshuar këtë statistikë ndaj Portugalisë, duke shpresuar se avantazhi në gjatësi mund ta çojë skuadrën e tij te goli nga "topat e vdekur". "Ne do të bëjmë saktësisht atë që kemi bërë në stërvitje", tha Lagerbak. "Kemi disa variante për të përdorur goditjet e lira dhe disa variante për ato të këndit. Kjo do të varet pak nga forma që do të ketë Portugalia. Ata nuk kishin shumë lojtarë të gjatë ndaj Danimarkës dhe nëse do të arrijmë të jemi të saktë, natyrisht që ata nuk do të kenë këtë në favorin e tyre", tha Lagerbak. Markus Rosenberg ishte lojtari i fundit i dëmtuar në kampin e nordikëve, të cilët nuk do të kenë 7 futbollistë në dispozicion.
Portugalia
Skuadra portugeze humbi 3-2 në shtëpi ndaj Danimarkës një muaj më parë dhe tashmë barra për të lënë pas atë humbje, ka rënë mbi shpatullat e Kristiano Ronaldos. Lojtari i Mançester Junajtid është jo pak optimist në prag të takimit të sotëm në Stokholm. "Është e tmerrshme të humbasësh dhe ne luajmë gjithnjë për fitore", tha Ronaldo në prag të takimit të sotëm. "Jam duke menduar vetëm për takimin e nesërm (sotëm), për të kthyer skuadrën te fitorja. Portugalia është skuadra më e mirë dhe ka shumë shanse për të marrë tre pikët", shtoi ai. Portugezët janë skuadra më e kuotuar e grupit 1, pavarësisht humbjes me Danimarkën më 10 shtator. Edhe ekipi i Keiroz është goditur nga dëmtimet, por jo aq sa Suedia, e cila nuk do të ketë të gatshëm 7 lojtarë. Veç kësaj, përfaqësuesja iberike ka në dispozicion një seri të gjatë yjesh të futbollit botëror. Ndeshja tjetër e grupit do të jetë ajo mes Danimarkës dhe Maltës, ku 3 pikët për vendasit nuk mendohet të jenë problem. Martin Jorgensen është lënë jashtë për këtë ndeshje, ndërsa në dyshim janë edhe Tomason e Bendtner.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›