E Shtunë, 31 Tetor 2026

OPINION/Konkurrueshmëria dhe qeverisja

Nga Dr. Zef Preçi
Një indeks i ri ndërkombëtar u publikua ditën e djeshme: Indeksi Global i Konkurrueshmërisë 2008-2009, i përgatitur nga Forumi Ekonomik Botëror ... 

...(http://www.weforum.org) në të cilin vlerësohen vendet e botës mbi bazën e shfrytëzimit të të dhënave publike dhe private, si dhe të një pyetësori të njohur si Pyetësori i Opinionit të Drejtuesve Ekzekutivë, plotësuar me mbështetjen e rrjetit të partnerëve lokalë të këtij forumi. Në këtë indeks, SHBA-ja renditet në vendin e parë, e ndjekur nga Zvicra, Danimarka, Suedia dhe Singapori. Ekonomitë europiane vazhdojnë të jenë ndër 10 vendet e para në botë me Finlandën, Gjermaninë dhe Holandën. Britania e Madhe mbetet konkurruese, por ka rënë tri shkallë më poshtë 10-shes së parë, për shkak të dobësive që janë vënë re në tregjet e saj financiare. Në këtë indeks, konkurrueshmëria shihet si një tërësi institucionesh, politikash dhe faktorësh që përcaktojnë nivelin e produktivitetit të një vendi. Niveli i produktivitetit apo i rendimentit në vetvete, përcakton nivelin e qëndrueshëm të prosperitetit që mund të sigurohet nga ekonomia e secilit vend. Kjo do të thotë se ekonomitë më konkurruese mundësojnë mirëqenie më të lartë, pra të ardhura më të larta për qytetarët e tyre. Përndryshe niveli i produktivitetit përcakton edhe shkallën e kthimit të investimeve të kryera në ekonomi. Me fjalë të tjera, ekonomitë që kanë nivel më të lartë të produktivitetit të tyre, kanë mundësi të rriten më shpejt në periudhën afatmesme dhe afatgjatë, d.m.th, të sigurojnë një mirëqenie në rritje edhe më të qëndrueshme për qytetarët e vet. Në këtë mënyrë, koncepti i konkurrueshmërisë përfshin si komponentët statikë ashtu edhe ata dinamikë të zhvillimit, ndërsa produktiviteti i një vendi në mënyrë thelbësore përcakton aftësinë e vendit për të mbajtur një nivel të lartë të të ardhurave. Nga ana e tij, niveli i të ardhurave është një nga determinantët e kthyeshmërisë së investimeve, të cilat nga ana e tyre përbëjnë padyshim edhe një nga faktorët thelbësorë që shprehin potencialet e rritjes së një vendi. Për përcaktimin e indeksit në fjalë përdoren 12 tregues bazë të tillë si: Institucionet; Infrastruktura; Zhvillimet Makro-ekonomike; Gjendja e Arsimit dhe Shëndetësisë; Arsimi Lartë dhe Trajnimi; Eficienca e Tregjeve; Eficienca e Tregut të Punës; Sofistikimi i Tregjeve Financiare; Gatishmëria për të absorbuar Teknologjinë Bashkëkohore; Madhësia e Tregut; Sofistikimi i Biznesit; Inovacionet, etj. Në Indeksin Global të Konkurrueshmërisë 2008-2009 është përfshirë edhe vendi ynë- Shqipëria. Në renditjen e 134 vendeve të botës shihet se Shqipëria zë vendin e 108-të dhe në shkallën nga 1 deri në 7 vlerësohet në nivelin 3.6, duke shënuar një stanjacion të dukshëm dhe rritje tepër modeste ekonomike të saj në tre vitet e fundit. Në vitin 2006 (në atë vit Shqipëria ishte në vendin e 98-të nga 122 vende gjithsej dhe vlerësohej me të njëjtin nivel - 3.6) dhe në krahasim me vitin 2007 kur vlerësohej në vendin e 109-të nga 131 vende gjithsej, por me vlerësimin 3.5). Nga një vështrim i shpejtë i gjendjes së elementëve kryesorë përbërës të këtij indeksi, shihet qartë se progresi më i madh i shënuar nga vendi ynë (treguesit më të avancuar në lidhje me konkurrueshmërinë kanë të bëjnë me shëndetësinë dhe arsimin (niveli 5.5 nga 7), si dhe me stabilitetin makro-ekonomik (4.7), por në gjendjen më të pafavorshme paraqiten infrastruktura (2.2 nga 7) dhe institucionet (3.3). Ndërsa në grupin e treguesve të nxitësve të eficiencës shihet qartë se vendi ynë jo vetëm është një treg i vogël (niveli 2.2 nga 7), por edhe nuk është ende gati për të thithur teknologjinë bashkëkohore që do të mundësonte një rritje më të shpejtë ekonomike të tij (2.9). Sa i takon zhvillimit të biznesit në vend, ky Indeks rikonfirmon se korrupsioni i shoqëruar nga infrastruktura e pazhvilluar mjaftueshmërisht dhe ineficienca qeveritare, janë ndër tri pengesat më të mëdha. Në raportin përkatës jepen edhe vlerësimet analitike në lidhje me 12 treguesit e përmendur më sipër, kur bie në sy se për respektimin e së drejtës së pronës Shqipëria renditet në vendin e 126-të nga 134 vende; respektimin e pronësisë intelektuale në vendin e 124-t nga 134 vende; transparencën e vendimmarrjes qeveritare: në vendin e 122-të nga 134 vende; pavarësinë e gjyqësorit: vendi i 121 nga 134 vende; eficiencën e kuadrit ligjor: në vendin e 117-të nga 134 vende; forcën e auditimit dhe standardet e raportimit: në vendin e 109-të nga 134 vende; cilësinë e infrastrukturës: në vendin e 120; cilësinë e rrugës: në vendin e 114-t; deficitit buxhetor: në vendin e 113-të; intensitetit të konkurrencës lokale: në vendin e 127-të; efektivitetit të politikave anti-monopol: në vendin e 125; shtrirjes së përdorimit të internetit: në vendin e 117-të; sasisë së furnitorëve lokalë: në vendin e 121; natyrës së avantazheve konkurruese: në vendin e 125; vullnetit për të deleguar përgjegjës (autoritet): në vendin e 117-të; pa folur për kapacitetin novativ të vendit, për të cilin Shqipëria renditet në vendin e fundit (134). Nuk duhet harruar se këta tregues janë ndërtuar mbi bazën e të dhënave të periudhave të mëparshme dhe në to nuk është përfshirë as ndikimi negativ i krimit shtetëror të Gërdecit dhe as kriza e tregjeve të kapitalit, e cila nuk mund të mos e përkeqësojë më tej gjendjen dhe zhvillimet ekonomike të vendit tonë në vitin fiskal në vijim e për rrjedhojë, edhe klasifikimin në këtë indeks. Mbas kësaj panorame, cilido mund të shtrojë pyetjen se kujt i shërbejnë mburrjet kryeministrore e qeveritare brenda dhe jashtë vendit mbi “tolerancën zero kundër korrupsionit”; “rritjen ekonomike -dyshifrore”; “Shqipëria në moshën e Internetit”; “vendin më parë në botë në “doingbiznes”; “kursimet qindra miliona dollarëshe që iu morën mafias pushtetore”; “qeverinë në dietë”, etj. Është koha që indekset e ndryshme të vlerësohen për qëllimin e vërtetë të tyre: njohjes së gjendjes “pa dorashka”; sigurimit të mbështetjes publike për politikat qeveritare që ndërmerren; angazhimin e të gjithë faktorëve dhe aktorëve të shoqërisë në procesin e politikë-bërjes; e mbi të gjitha rishikimin, plotësimin dhe përmirësimin e politikave ekonomike që ndiqen në funksion të rritjes së aftësive konkurruese të ekonomisë sonë kombëtare. Vetëm kështu do t’i afrohemi me të vërtetë Europës së ëndërruar prej dekadash, dhe vendin e Shqipërisë virtuale të krijuar mediatikisht nga Berisha dhe ithtarët e pushtetit të tij okult do ta zërë gradualisht Shqipëria reale, ajo Shqipëri që jepet në Indeksin Global të Konkurrueshmërisë që analizuam më sipër.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›