Rrezikohen përplasje mes tifozëve

Mediat hungareze kanë paralajmëruar se përballja Hungari-Shqipëri në stadiumin “Ferenc Pushkash” mund të karakterizohet nga përplasjet mes tifozerive. Ata u druhen trazirave brenda dhe jashtë impiantit, që mund të provokohen nga tifozët hungarezë me origjinë serbe, ose nga tifozët shqiptarë me origjinë kosovare.
Ndeshja mund të shfrytëzohet edhe për hedhjen e parullave nga vendasit: në mjaft aktivitete sportive, serbët kanë përdorur mënyra nga më të ndryshmet për të publikuar “fiksimin” se “Kosova është Serbi”.
Mediat hungareze konfirmonin se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar që situata të degjenerojë. Deri më tani, burimet zyrtare pranë Federatës Hungareze të Futbollit kanë bërë të ditur se presin të paktën njëmijë tifozë kuqezi, megjithatë nuk përjashtohet që numri i tyre të jetë edhe më i madh.