Armëmbajtja, jashtë vëmendjes së fushatës
Rastet e njëpasnjëshme të vrasjeve me armë zjarri, kryesisht për motive të dobëta, nuk po arrijnë të tërheqin dot vëmendjen e partive politike nga objektivat e paracaktuar të kësaj fushate zgjedhore, tejet intensive e të gjerë me premtime. Marrja e jetës së qytetarëve, e targetuar ose fatkeqe, po ndodh në rrugë e ambiente publike, e deri në mjediset familjare private. Një larje e vjetër apo e re hesapesh, një sherr banal apo edhe një shikim i shtrembër, një konflikt në familje, janë pafund rastet e arsyet për të cilat një shqiptar e ka armën e zjarrit si mënyrën e vetme për t’i vënë kapak, pa u menduar gjatë jetës së tjetrit.
Përdorimi i armës së zjarrit si zgjidhje po zëvendëson gjerësisht format e tjera të komunikimit për zgjidhjen e konflikteve, përshi shtetin. Reminishencë ose jo e pasigurisë kolektive të vitit të mbrapshtë 1997, të bën përshtypje lehtësia apo natyraliteti me të cilin arma është bërë pjesë e lëkurës së individit shqiptar, si për të zgjidhur mosmarrëveshjet apo për të përfituar me kosto të lartë përmes vjedhjeve me armë me pasojë vdekjen. Me raste të tilla të shtuara që në raportimet e mediave, duket sikur shqiptarët krahas aparatit të televizorit, kolltukëve e pajisjeve të tjera rutinore në banesë, kujdesen seriozisht që të kenë edhe një armë, mundësisht të tipit kallashnikov për t’u mbajtur në shtëpi, e pistoletë për në makinë. Tipi i parë hyn në kategorinë e armëve të zjarrit të ndaluara me ligj, e megjithatë nuk mungon përdorimi i kësaj arme - krenari e kohës së diktaturës, në vrasjet brenda familjes, apo të një sherri të paparashikuar që zgjidhet me rikthimin në vendngjarje të palës së “ofenduar” me një kallash. Ndërsa pistoletat duket se janë bërë po aq të domosdoshme, sa edhe celularët për një kategori të caktuar personash, për t’u mbajtur në makinë apo me vete, gati për përdorim. Shifrat zyrtare të Ministrisë së Brendshme për vitin 2012, tregojnë se zbulueshmëria e këtij fenomeni rritet në të njëjtin nivel me numrin e atyre që vetëpajisen me armë zjarri: 92% e rasteve të evidentuara me armëmbajtje pa leje janë zbuluar nga Policia e Shtetit, ndërsa numri i tyre ishte rritur në raport me një vit më parë.
Për shkak edhe të homogjenizimit të popullsisë, armët që përdoren edhe në raste gëzimesh familjare, si reminishenca të primitivizmit tonë mesjetar, dëgjohen qartë edhe në zona qendrore të Tiranës. Rëndom shohim foto të publikuara në rrjetet sociale të personave të moshave të ndryshme, tek pozojnë me armë të tipeve të ndryshme me të njëjtën krenari, me të cilën mund të pozosh me një biletë lotarie të fituar. Apo persona publikë që zënë faqet e para të gazetave, sepse janë kapur me armë pa leje, të cilën e mbanin “për t’u dukur”!
Të gjitha këto raste janë sinjale se rendi e siguria jonë publike, për të cilën kemi mandatuar shtetin që ta administrojë, e të na mbrojë, nuk është aq e sigurt. Më shumë se mungesë besimi tek shteti për të zgjidhur situatat e ndryshme të së përditshmes, kjo “vetarmatosje” në rritje lidhet edhe me mungesën e një artikulimi të qartë të vullnetit politik, për t’u përballur me këtë fenomen në Shqipërinë anëtare e NATO-s, e më pranë BE-së.
Pavarësisht aksioneve sistematike të policisë së rendit me atë të qarkullimit, për identifikimin e kapjen e personave që qarkullojnë të armatosur, vazhdojmë të përcjellim lajmet e kronikës së zezë të mbushura me raste të përdorimit të armëve të zjarrit. Nga ana tjetër, përveç një komenti në ‘FB’ të ministrit të Drejtësisë, ka munguar dukshëm artikulimi i aktorëve politikë në vend, për ta adresuar me prioritet këtë fenomen negativ në rritje të frikshme. Premtimet elektorale për rritje të mirëqenies nuk po lënë vend për një tjetër shërbim parësor ndaj qytetarit: siguria e rendi. Por nuk është se armëmbajtja është krejt larg vëmendjes së politikës. Në mars të këtij viti, Parlamenti kaloi me 66 vota ligjin e ri “Për Armët” në Republikën e Shqipërisë dhe në përmirësimin e radhës që iu bë ligjit të vitit 1992, vihet re zgjerimi i bazës së personave të autorizuar për të mbajtur një armë zjarri si deputetët, ministrat e zëvendësministrat, gjyqtarët, prokurorët, punonjësit e policisë gjyqësore, punonjësit e sigurisë, kryetarët e bashkive e komunave si dhe shoferët e titullarëve të mësipërm. Rritja e rasteve të përdorimit me pasoja letale të armëve pa leje dhe “armatosja” e funksionarëve të caktuar, duket se kanë të përbashkët pikërisht sigurinë e brishtë publike në vend. Puna e policisë pa një adresim të qartë të vullnetit të politikës për ta luftuar këtë fenomen mbetet e pamjaftueshme, ashtu si numri i papërfillshëm i dënimeve për armëmbajtje pa leje. A mos ka ardhur koha që të liberalizohet armëmbajtja në Shqipëri? Sipas ligjit ekzistues, për të marrë një autorizim për armë (për kategoritë që parashikon ligji) personat duhet të kenë mbushur 22 vjeç, të jenë të aftë nga ana fizike e mendore; të mos kenë qenë të dënuar më parë për vepra kriminale; të zotërojnë dëshminë për kryerjen e kursit të aftësimit teorik dhe praktik për përdorimin e armës dhe të gëzojnë besueshmëri. Pothuaj të njëjtat kritere, por më strikte për nga procedura i përdor Japonia, që njihet si vendi me nivelin më të ulët të armëmbajtjes në botë, pavarësisht se e lejon blerjen e armëve njëlloj si SHBA. Japonia imponon një trajnim të posaçëm të shoqëruar me një provim me shkrim; një test aftësie për një numër të caktuar të shtënash; një test droge; një vlerësim psikiatrik i gjendjes mendore, e në rastin kur këto etapa kalohen me sukses, është radha e policisë, e cila bën një kontroll të detajuar për individin. Vetëm 11 ishte numri i vrasjeve me armë zjarri në vitin 2008 në Japoni, një dëshmi se kjo praktikë funksionon. Në fushatën për zgjedhjet e 23 qershorit, mes evidentimit të problemeve të prekshme të qytetarëve, armëmbajtja pa leje, si cenuese serioze i sigurisë së qytetarit, është një sfidë e papërmbushur e shtetit, e cila duhet adresuar pa vonesë nga partitë politike në një debat të gjerë e profesional.