E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beteja e Jugut

Mesa duket, në llogaritë e kampeve të mëdha politike, veriu shqiptar nuk do sjellë surpriza. Kukësi, Dibra, Lezha, ngjajnë të konservuara. Diçka ka lëvizur në Shkodër. Të djathtët, kanë në krye Jozefina Topallin, e cila shoqërohet nga ndjekës të rinj. Që mendon se trembja historike që ka e majta në këtë qark, do ta ndihmojë të ruajë statuskuonë. Në krahun tjetër është Mimoza Hafizi dhe Namik Kopliku, dy përfaqësues të familjeve të mëdha shkodrane. Shkodranët mbeten konservatorë në shijet e tyre. Qyteti i statuteve në kohën e sundimit venecian, duket se nuk i ka harruar në memorien e tij. Për ti bërë shpatull dhe dhënë zemër të majtëve në qytet dhe rrethina, janë Tom Doshi dhe Paulin Sterkaj. I pari, përfaqësues i një fisi të madh dukagjinas dhe nip i Prek Calit. I dyti, edhe ky dukagjinas, ndryshe nga Doshi, është fis me prerje të majtë. Luhatjet e tij politike, kanë përfunduar gjithmonë duke u kthyer në origjinën e tij. Të dy këta, së bashku me Sait Fishtën, shpresohet tu japin kurajë komisionerëve të majtë të ruajnë votën. Pasi pretendohet se vota e majtë, gjithmonë ka qenë më e lartë në Shkodër, por është vjedhur.
Por beteja e madhe do bëhet në jug. Të dy palët kanë synimin të shtojnë kuotat. Është rajoni që nxjerr më shumë deputetë. Berisha është i vetëdijshëm për këtë dhe po përdor të gjitha format e takimeve. Bën takime me gazetarë, për ta vazhduar me mitingje, dhe pastaj në takime të ngushta me grupe interesi apo fshatarë. Në takimet në kafene apo salla, përpiqet të jetë Berisha shtetar, që njeh hallet, justifikon gabimet dhe shfaq perspektivën; komshiu i zakonshëm, mjeku i portës në krah që të gjithë mund ta takojnë dhe qajnë hallet. Në mitingje, është Berisha agresiv që njohim, por që nuk përdor sharjet dhe sulmet e egra. Mesa duket, këshilltarët i kanë sugjeruar një profil të butë. Pasi propaganda e shtrimit të rrugëve, mund të pijë ujë në njerëzit që i rrahin këto zona një herë në vit, por jo vendasve. Jugu i vendit, në harkun Qaf Thanë, Berat, e deri në Vlorë, nuk ka më rrugë. Pogradeci, Korça, Erseka, Leskoviku, Përmeti, Berati, Saranda, Gjirokastra dhe Vlora, lidhen me njëra-tjetrën me rrugët e kohës së Italisë dhe ju ka dalë asfalti. Një krahinë si Kurveleshi, apo Skrapari, nuk kanë rrugë, që meritojnë këtë emër. Përjashto segmentin Levan-Vlorë, Levan-Fratar dhe Tepelenë-Gjirokastër, rrugët e tjera, janë inekzistente. Ndaj strategjia e tij, mesa duket është justifikimi përse ka ikur, dhe premtimi që do ta bëjë. Dhe të vetmen siguri që ofron, është se kundërshtarët e tij janë të pa aftë të realizojnë projektet që deklaron ai.
Por edhe e majta, është e vetëdijshme se deputetët e çmuar që i duhen për të nënshkruar kontratën e qiramarrjes së godinës së Kryeministrisë, janë në jug. Tashmë vitet kur zotëronte pushtetin në Tiranë, janë të largëta. Serbatori nga e majta merrte deputetët, pak përfitoi nga ky status. Ndaj e majta shpreson në amnezinë e elektoratit dhe këtë radhë premton se ardhja e saj në fuqi, do jetë krejt ndryshe. Politika është bërë më praktike dhe prozaike. Subvencionon zonat që e votojnë. E ka çuar në ekstrem Berisha këtë skemë, e mesa duket do ta ndjekin edhe të majtët. Ndaj edhe të majtët premtojnë infrastruktura, dhe ca më shumë, miradministrim të bregut të detit, një resurs ende i pa shpërdoruar dhe e vetmja rezervë e prekshme për zhvillimin e zonës. Por që të hipë në podin e fituesit, koalicionit të majtë, do ti duhet të përballet edhe me Arben Malajn në Vlorë, Dritan Priftin në Fier dhe Agron Dukën në Durrës. Nëse këta individë, nuk kanë aq vota sa pretendojnë, atëherë mund të përgatiten të qetë për duelin e madh.
Sot PS-ja që njohim, nuk është më ajo që la pushtetin në 2005-ën. Është një PS e re, e cila edhe si ngjyra ka flamurin e Edi Ramës. Skema e funksionimit nuk është ajo klasikja. Ka kohë që bashkiakët e qendrave të fituara nga e majta, kanë peshën e tyre në politikat e PS-së. Është unifikuar “de fakto” pushteti lokal me partinë dhe partia nuk është më një lloj kontrollore e pushtetit lokal. Tashmë kryetarët e bashkive zotërojnë edhe atë partiak. Dako, Sejdini dhe Peleshi, janë edhe formalisht anëtarë të kryesisë. Bime, Gjika dhe të tjerë bashkiakë më pak zulmëmadh se të përmendurit, janë në të njëjtat raporte me partinë. Këto zgjedhje, do të jenë edhe prova se kjo skemë është fituese.
Gati shtatëdhjetë vjet përpara, në qershorin e largët të ’44-ës, pikërisht në këtë rajon, megjithëse e ndihmuar nga gjermanët, e djathta shqiptare dështoi në “Operacionin e Qershorit” të planifikuar që të shfaroste kundërshtarët e saj dhe po hante grushtet e fundit nga një e majtë, e cila e ndoqi pas deri në kufijtë shtetërorë të veriut dhe pastaj sundoi me dorë të hekurt për pesëdhjetë vjet. Sot, e djathta e Sali Berishës, ka zbritur në fushën e betejës, për të fituar. Natyrisht që beteja këtë radhë është me votë. Por pasionet janë po aq të nxehta, sa treçerek shekulli përpara. Ku për fat, fituesi do rivlerësohet nga populli vetëm katër vjet më pas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›