E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja Zgjedhore e FSHF-së, më 9 mars

Vendimi

Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e FSHF-së do të zhvillohet më 9 mars 2010. Kjo është data e përcaktuar nga Komiteti Ekzekutiv për të përcaktuar kreun e ri të institucionit që drejton futbollin shqiptar, i cili vendosi që punimet të zhvillohen në hotelin “Adriatik” në Durrës. Kur mungon diçka më shumë se një muaj nga Asambleja, presidenti aktual, Armand Duka, ende nuk është shprehur zyrtarisht nëse do të rikandidojë, ndërkohë që (pavarësisht emrave që përfliten) mbeten për t’u përcaktuar edhe kandidatët e tjerë për këtë post. Në mbledhjen e djeshme të Ekzekutivit janë marrë vendime edhe rreth çështjeve të tjera të sportit më popullor në vend. Për miqësoren e 3 marsit me Irlandën e Veriut, biletat e stadiumit do të kenë çmime “popullore”. Një vend në tribunën kryesore të stadiumit do të kushtojë 2 mijë lekë të reja, në tribunën D2 bileta kushton 500 lekë, për tribunat D1 dhe D3 vetëm 300 lekë, ndërsa mbrapa portave (tribunat C dhe E) kostoja e biletave është 100 lekë të reja. Një metodë e përdorur shpesh nga FSHF-ja, për të afruar sa më shumë tifozë, edhe pse ndeshja ka thjesht karakter përgatitor, për eliminatoret e Europianit 2012. Gjithashtu është miratuar edhe pjesëmarrja e ekipit Kombëtar shqiptar në Lojërat e Detit të Zi, që do të zhvillohen në Konstancë të Rumanisë nga data 19 deri më 29 qershor. Në këtë aktivitet, kuqezinjtë do të përfaqësohen nga skuadra U-19, me lojtarë të datëlindjes 1992. Vendimi i fundit i KE-së lidhet me propozimin e Sektorit të Garave, për ndryshime në rregulloren që lidhet me caktimin e gjyqtarëve në Kategorinë Superiore. Në nenin 40, është bërë ndryshimi i dispozitës penguese, e cila nuk lejonte që i njëjti “bilbil” të drejtonte ndeshjen e një skuadre specifike për dy javë, që prej përballjes së fundit kur kishte arbitruar. Kufizimi zbret nga dy në një javë, ndërsa për gjyqtarët ndërkombëtarë ai nuk ekziston më.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›