E Diel, 1 Nëntor 2026

Armenia nuk ratifikon marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Turqinë



Presidenti armen Serzh Sarkisian konfirmoi së fundmi se Armenia ka pezulluar ratifikimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Turqinë. "Ne do ta marrim parasysh ecjen përpara kur të jemi të bindur se në Turqi ekziston klima e duhur, dhe kur udhëheqësit në Ankara të jenë të gatshëm të ripërfshihen në procesin e normalizimit", thuhet në deklaratën e zyrtarëve të Armenisë.
Tre partitë në pushtet, përmes një deklarate të përbashkët, akuzojnë Turqinë se ka bllokuar miratimin e protokolleve që lidhen me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe përmirësimin e raporteve dypalëshe.
Ndërsa kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, tha se vendi i tij mbetet i përkushtuar ndaj protokolleve për paqe me Armeninë.
Në tetor, dy vendet nënshkruan marrëveshje për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe rihapjen e kufijve, por ratifikimi ka ngecur në parlamentet e dy vendeve.
Ndërkaq Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë deklarata në lidhje me anulimin e procesit të aprovimit të protokolleve nga ana e Armenisë. Sekretaria Amerikane e Shtetit deklaroi se ky vendim nuk ishte i papritur për ta, por ata kanë besim se procesi i paqes mund të vazhdohet ende.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›