E Shtunë, 31 Tetor 2026

Armët e Berishës

 

Pas Gërdecit, nuk ka vend më të bukur në Shqipëri se Gramshi për të bërë miting me moton: "Shqipëria në NATO". Sepse nga ato qindra-mijëra fishekë që shpërthyen në magazinën qeveritare të Berishës, shumica ishin marrë nga depot e armëve, si në ato të Gramshit.

Berisha ishte dje atje, dy ditë pasi kishte dhënë intervistën për gazetën italiane “Corriere della Sera”, ku foli edhe për trafikun e armëve. Kur gazetari italian e pyeti qysh e tek, Berisha u përgjigj: “Këtë e kam bërë gjatë luftës në Ballkan me vendet mike”.

-Më falni, kujt ia jepnit atë municion?!- e pyeti italiani.

-Është një histori e vjetër, më mirë ta lëmë. Por e kam bërë. Kemi male të tërë me municione- përgjigjej i qetë Berisha. Se si e përjetoi Gramshi trafikun e armëve të Berishës, “Spiuni” e zbuloi në vjeshtën e vitit 1998, kur falë një projekti për çarmatimin e popullsisë, të organizuar nga PNUD-i, gazetarët shkuan në fshatin Tunjë, lart në mal. Aty populli tregonte se si i kishin shpërthyer depot e Çekinit, pasi kishte rënë shteti prej letre i Berishës në mars 1997, se si kishin rrëmbyer qindra-mijëra armatime, sidomos kallashnikovë të rinj, duke mos llogaritur këtu municionet, apo eksplozivët. Fshatarët tregonin se i çonin jashtë kufijve, ku i shisnin shtrenjtë.

-Po si i shisnit, nuk ju kapte policia? Fshatarët tregonin se kallashët i fusnin mes turrave me dru dhe kështu i çonin deri në kufi. Atje ishin policët, d.m.th., ata që mbyllnin sytë pasi u jepnim ndonjë lek.

-Po mirë, ka armë të tjera nëpër depo?- i pyeste “Spiuni”.

-Plot more, plot, ato që u hapën ishin as një e dhjeta. Po ishalla vjen Berisha prapë në pushtet dhe i hapim si në ’97-ën,- shpresonin fshatarët nëntë vite më parë, kur Berishës nuk i kishte shkuar ndër mend për Gërdecin. Por fshatarët e Tunjës kanë ende shpresa, derisa Kryeministër të jetë mjeshtri i armëve dhe municioneve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›