Pranvera e Parisit dhe tema shqiptare
Gjatë javës së fundit të “Pranverës së Parisit” që organizohet nga Maison d’Europe et d’Orient, i është lënë hapësirë edhe artistëve shqiptarë nga Kosova apo historive që ka lidhje me botën shqiptare.
Sot shfaqet filmi “Dy motrat” i regjisores belge Jasna Krajinovi. Violeta dhe Vjollca Dukaj banojnë në jug të Kosovës, pranë kufirit me Shqipërinë. Pas konfliktit luftarak në Kosovë, për shkak të papunësisë, motrat nisën të merren me çminime. Për gati gjashtë vjet ato shkojnë përditë në fushat e minuara. Kanë një lidhje shumë të fortë mes tyre çka e ndihmon të kapërcejnë frikën dhe të mos humbin shpresën, pavarësisht se jeta e tyre rrezikohet çdo ditë.
Më 6 qershor, në orën 20.30 në Studion Ermitazh shfaqet koncerti i Motrave Mustafa nga Kosova. Safete dhe Sahidje,me origjinë nga Kosova. Ato kanë nisur të këndojnë qysh fëmijë. Hera e parë ka qenë më 1981, në mikrofonin e Radio Zagrebit, në kuadrin e bashkëpunimit të kësaj radioje me Televizionin e Prishtinës. Albumi i tyre i parë “Mori Nan” doli më 1986. Qysh atëherë kanë marrë pjesë në shumë festivale në ish-Jugosllavi, dhe kanë realizuar rreth 20 albume. Repertori i tyre bazohet në muzikën tradicionale, por e arraxhuar në mënyrë bashkëkohore. Ato kanë dhënë koncerte në shumë vende, përfshi dhe koncertet për bamirësi. Është e zakonshme që t’i gjesh ato sa në Prizren dhe në Mitrovicë, për një martesë. Dhjetë vjet pas koncertit të paharruar të Vjollca Lukës, turbo-folku shqiptar kthehet në Paris.
Një ditë më pas, më 7 qershor, Shtëpia e Evropës dhe e Orientit, organizon lexime nga “Ballkani nukka vdekur” i damaturgut maqedonas, Dejan Dukovski. Në këtë pjesë rimerret historia e vdekjes së përgjakshme të Cvetas, simbol i Maqedonisë, para se ky vend të fitojë pavarësinë.
Gjatë “Pranverës së Parisit” shfaqet një tjetër film që ka në fokus një temë shqiptare parë nga autorë serbo-malazezë. Quhet “Pas luftës” me regji të Srdjan Kea. Bën fjalë për goranët, një komunitet i islamizuar me origjinë sllave, pa atdhe. Luftae Kosovës i prishi qetësinë edhe këtij komuniteti: goranët, që ishin të lidhur me serbët, tashmë janë të vetëm mes shumicës shqiptare. Kështu mendon autori.
“Pranvera e Parisit” është një iniciativë e Maison d'Europe et d'Orient, në kuadrin e Vitit Evropian të Dialogut Ndërkulturor.