E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kroacia e NATO-s

 

Prej 3 prillit 2008, kur të dy vendet morën në Bukuresht ftesën për anëtarësim në NATO, Kroacia dhe Shqipëria duken si vëllezër siamezë. Të paktën kështu thoshte dje ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, kur takoi homologun kroat Jandrokoviç. Sipas njoftimit: “Ministrja Bregu u ndal te arritjet në fushën politike, si në reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi, ndërsa Jandrokoviç u ndal në ecurinë e negociatave për Aderim në përmbushjen e detyrimeve të Kroacisë në kuadër të MSA-së”. Pra, për kroatët e rëndësishme shumë është sidomos ana ekonomike, ndërsa për shqiptarët ajo politike. Dhe kroatët kanë një lajm të madh ekonomik për të dhënë: “Paga mesatare neto në Kroaci në mars 2008 arriti 700 euro, 0.4 për qind më shumë se në shkurt dhe 5.3 për qind më shumë se në mars 2007”. Kroacia ka 4.4 milionë banorë, GDP prej 74.419 miliardë dollarë dhe për kokë16,758 dollarë. Papunësia ishte 14.7 për qind në 2002 dhe 9.1 për qind në 2007. Shqipëria ka 3.6 milionë banorë, nga të cilët mbi 1 milionë emigrantë, GDP 21.160 miliardë dollarë, ose 6,649 dollarë për kokë. Papunësia zyrtare është 13 për qind, por, duke llogaritur fshatin e vetëpunësuar shkon mbi 30 për qind dhe gjysma e popullsisë rron vetëm me 1 dollar në ditë. Rritja e çmimeve deri në 30-40 për qind krahasuar me vitin 2007 i ka bërë qytetarët shqiptar shumë më të varfër se para vitit 2005, ndërsa qeveria do të rrisë vetëm pakëz paga dhe pensione dhe paga mesatare në shtet është 356 mijë lekë të vjetra, ose 300 euro. Po qeveritë çfarë thonë? Në Shqipëri, kryeministri Berisha prej disa javësh harxhon buxhetin e shtetit me turin “Shqipëria në NATO”. “Nuk mund të ishte ndryshe, në një shoqëri dhe në një komb që ka mbështetjen më të lartë në Evropë për anëtarësimin e vendit të tyre në NATO”,- u shpreh Berisha dje para deputetëve të vet në grupin parlamentar (shih www.km.gov.al).

Po Kryeministri kroat? Atje Ivo Sanader, pasi përcolli Bushin, iu fut punës dhe nuk ka menduar që të nisë turin si puna e Berishës. Kroacia synon të anëtarësohet në BE në 2012, Shqipëria... kësmet, shekullin tjetër...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›