Ngritja në këmbë e Mesdheut
Prezantuan në Tiranë një udhëtim në Romën e lashtë të rindërtuar në mënyrë virtuale (3D). Projekti i radhës? Rindërtimi i Mesdheut, mes tyre edhe Butrinti
Kanë rindërtuar Romën, Athinën, Egjiptin e lashtë dhe po punojnë për Mesdheun antik. Nga rrënoja shikon sesi ngrihen në tri dimensione kolona, tempuj, amfiteatro, pallate perandorësh, piramida. Arkeologë, arkitektë, historianë, arkivistë, botanistë... Të gjithë me qëllimin për të ngritur në këmbë qytetërimin e lashtë. Njëri prej tyre, Alessandro Furlan, (i cili vjen nga regjia televizive) ofroi në Tiranë një “udhëtim” në antikitetin virtual roman. Një udhëtim përmes një DVD-je, i cili të jep mundësinë që të ecësh nëpër rrugët e Romës e Pompeit, të hysh në ndërtesat me kolona të larta të mermerta, të ulesh në shkallët e Koloseumit… Sipas Furlanit, arsyeja pse ky grup shkencëtarësh nën emrin “Altair4” punon në këtë fushë prej vitit 1995, nuk është thjesht për të parë se si ka qenë bota dikur, po edhe për t’u mësuar historinë të rinjve në gjuhën e tyre, apo për t’u mbushur mendjen sponsorëve të zgjidhin qeset për të financuar projekte arkeologjike. Pas prezantimit që patën në Institutin e Monumenteve të Kulturës, Furlan po bën një udhëtim në qendrat arkeologjike shqiptare. Pse jo, edhe ato mund të ngrihen në këmbë përmes kompjuterit.
Çfarë është ndërtimi virtual i antikitetit?
Është bashkim pasionesh. Bashkë me dy miqtë e mi arkitektë (unë nga regjia televizive), menduam të ringjallnim virtualisht antikitetin, sidomos atë pjesë që nuk është më dhe nuk mund të shihet. Është një punë e gjatë, që realizohet përmes kompjuterit, por që do shumë kërkime.
Antikitet dhe kompjuter, mijëveçarë në mes, si i bëni që të bashkëjetojnë?
Janë dy instrumente shumë larg nga njëri-tjetri. Nga njëra anë kërkimi klasik, që përfshin shfrytëzimin e teksteve të vjetra, mbishkrimeve latine (kur bëhet fjalë për Romën antike), monedhave të vjetra, vizatimeve. Të gjithë ata që punojnë me ne kanë një formim në degët shoqërore. Nuk ka inxhinierë. Nga ana tjetër, kemi një instrument të ri, kompjuterin, që gjithsesi është një mjet pune, si të ishte laps, por që na ndihmon shumë për të bërë llogaritë, vëllimet, perspektivat. Jemi vazhdimisht në kërkim të instrumenteve të reja, megjithë vështirësitë e rastit, pasi fatkeqësisht pak vëmendje i kushtohet kulturës. Financimet janë të pakta dhe një pjesë e mirë e punës është gjetja e partnerëve dhe burimeve financiare. Pra dy vizione tërësisht të kundërta, por ia dalim që t’i bëjmë të bashkëjetojnë në një imazh të vetëm, i cili është rindërtimi virtual. Gjithçka nis nga antikiteti.
Sa e vështirë është të futesh në “fantazinë” e ndërtuesve të lashtë?
Mundohemi që fantazinë ta përdorim sa më pak të jetë e mundur e të mbështetemi mbi baza shkencore. Ndërtimet romane na vijnë më thjesht, ndoshta sepse jemi në Romë, kemi thithur këtë kulturë dhe studimet klasike na ndihmojnë shumë. Bota romane dhe greke është më e prekshme, me stile të përcaktuara mirë dhe nuk është e vështirë për të kuptuar raportet mes ndërtimeve. Ndërsa bota egjiptiane është me të vërtetë e çuditshme. Teksa rindërton botën antike egjiptiane, e kupton pse ka marrë edhe ngjyrime fantastiko-shkencore. Aty përballesh me ndërtime tërësisht jashtë raporteve humane. Kur bënin rindërtimin e Romës antike, gjithçka i përgjigjej raporteve njerëzore, ndërsa kur ndërton një portal egjiptian që është i ngushtë dhe shumë i gjatë gjendesh në vështirësi për të kuptuar arsyen. Kështu që duhet të punosh më shumë mbi të tjera të dhëna.
Çfarë “ndodh” më tej me qytetet e rindërtuara?
Qëllimi ynë nuk është thjesht të rindërtojmë të kaluarën, ta vëmë atë në shërbimin tonë. Kur bëjmë ndërtimet, punojmë me shkencëtarë si paleobotanikë që merren me pemët antike, me vullkanologë kur jemi afër Napolit, me historianë, arkeologë, arkitektë dhe të gjithë japim rreth kompjuterit idetë tona, sidomos për gjëra që janë shumë nën tokë. Kështu që ndërtimi virtual ndihmon për të arritur në një imazh të vetëm. Por kjo punë përveçse është shkencore, është edhe besnike, pasi na vjen në ndihmë të gjithëve. Me këto imazhe kemi arritur të gjejmë sponsorë në Japoni, për të kryer një gërmim gjigant që zgjati 5 vjet në Somma Vesuviana. Kjo na solli kënaqësi, sepse virtualja ndihmoi realen. Sponsorët, të cilët fatkeqësisht gjithnjë e më shumë i largohen shtetit dhe janë privatë, duan të shohin diçka konkrete dhe virtualja u jep një ide mbi atë që sponsorizojnë. Kështu që kjo ka ndihmuar për të gjetur paratë, për të kryer gërmime, për të ndihmuar shkencëtarët.
Çfarë efekti shkakton tek njerëzit përballja me një botë që nuk është më?
Ata që mbeten më të habitur janë arkeologët, pasi më në fund shohin atë që kanë studiuar për vite. U duket sikur lexojnë një libër, të cilin në arkeologji e kanë lexuar të copëzuar. Pastaj vijnë njerëzit e thjeshtë që sigurisht i pëlqejnë këto realizime. Por mendojmë se kjo iu shërben sidomos të rinjve. Të gjitha rindërtimet viruale janë bërë për t’u vizituar si të ishin një videolojë. E vërteta është që të rinjve historia nuk u pëlqen, u duket e mërzitshme, ndoshta sepse u mësohet në një mënyrë të tillë. Ata përdorin të tjera instrumente si interneti, videolojërat. Nëse futesh në botën e tyre, mundesh t’i marrësh për dore dhe t’iu tregosh gjëra. Atyjanë në terrenin e tyre, mund të lëvizin lirshëm dhe ajo që shohin nuk është fantazi, por e vërtetë. Po të duan mund të hapin tekste, skeda, shkrime origjinale, imazhe. Kemi vendosur edhe shkrime latine të përkthyera, për të kuptuar se çfarë ndodhte “nën tokë”. Kështu mund të kuptojnë se historia është shumë afër nesh dhe mund të jetë edhe argëtuese. Duke mësuar mund të evitosh të bësh të njëjtat gabime. Për një të ri, një copë gur është diçka e rëndomtë, por nëse mëson se është një pjesë kolone, atëherë arrin ta vlerësojë, ta dojë, ta mbrojë. Sepse mund të duash diçka vetëm nëse e njeh. Pra shërben për të sensibilizuar dhe për të mbrojtur të kaluarën.
Çfarë po ndërtoni ndërkohë?
Po punojmë mbi disa projekte televizive, që po ia propozojmë “National Geographic” në Washington. Një ndër to është për Neronin, për të riparë edhe një herë figurën e tij. Por projekti që duam të realizojmë së shpejti është t’u përgjigjemi pyetjes që njerëzit na bëjnë më shpesh: Si arrini ta rindërtoni virtualisht një qytet të rrënuar. Është një ide argëtuese dhe pasionante, që po organizojmë me “Discovery channel”, të lëvizim me një barkë me vela nëpër Mesdhe. Aty do të kemi pajisjet tona, kompjuterët. Do të ndalojmë në qytetet kryesore antike të Mesdheut. Ideja është të nisemi nga Troja, duke përshkuar rrugën e Eneas, por për të shkuar edhe në të tjera destinacione, si në Aleksandri, Egjipt, Greqinë antike, pse jo të vijmë edhe në Shqipëri (Butrint). Ajo çka ne bëjmë është mbi baza shkencore, kështu që me të pasur modelin 3D (që do t’ia dhurojmë çdo qyteti), ai mund të stampohet, të përdoret nëpër librat shkollorë, apo nëpër guida turistike. Të rindërtojmë Mesdheun është ëndrra jonë. Nëse arrijmë të realizojmë projektin e barkës, do të risjellim Mesdheun ku ka lindur qytetërimi njerëzor. Është një rivlerësim i kulturës që na ka bashkuar në këtë rajon për mijëvjeçarë dhe që i ka rezistuar shumë tronditjeve deri më sot.