Armët e Luftës
Armët trofe të kohës së Pushtimit të Shqipërisë, 1939-1944, ekspozohen në Muzeun Historik Kombëtar
Pistoleta, revolverë, granata, gjerdan fishekësh, dylbi, mitraloz, armët trofe të kohës së Pushtimit të Shqipërisë, 1939-1944. Dy ditë përpara përvjetorit të 65-të të Çlirimit të Shqipërisë, Muzeu Historik Kombëtar hap ekspozitën "Armët e luftës", të cilat deri më tani kanë qenë të ruajtura në pavijonin me të njëjtin emër.
Të heshtura brenda dy tryezave prej xhami, pistoletat tip Beretta, Esperanca, Parabel, Mauzer zgjojnë fort kërshërinë e të rinjve, kurse për veteranët duket si një ngacmim për t'u hyrë bisedave të gjata për gjermanin, italianin, amerikanin dhe inglezin. Vëmendja është e zgjuar për të parë gjithçka, qoftë edhe atë fjalën që mungon mbi pistoletën belxhik 2547 "Fabrique Nationale d'Armes Guerre...Belsiqeu".
Ndërsa mortajat, granatat italiane, mitralozat italianë dhe gjermanë janë ata që zënë më shumë vend në ekspozitë, në cep të tryezave të zë syri edhe revolverin Montenegro, pistoletën spanjolle, ose armët aleate, angleze dhe amerikane.
Në qendër të hollit të Muzeut Historik Kombëtar, në mes të mortajave italiane, mitralozave të rëndë, qëndron ai i Mujo Ulqinakut, që duket sikur i mbërthen më gjatë të pranishmit. Ndoshta janë edhe mjetet komunikuese të viteve '40, që qëndrojnë përkrah tij, aparati telefonik që ka përdorur komanda e qarkut në vitet 1943-1944, radiostacioni gjerman, apo tamburi me kordonin telefonik. Një trofe i kohës së luftës, të rrëmbyera bashkë me armët.
Larg grumbullit të armëve, mbi dy tryeza të veçanta, të cilat i ndan vetëm projektori i pamjeve dhe këngëve ndeshesh me paradoksin e luftës: dëshminë e gjallë të një shqiptari në kampin e përqendrimit në Mathauzen, Gjermani, dhe në tjetrën armët e dorëzuara të një gjermani të vrarë në luftimet e Pezës.
Një tas me dhé nga kampi famëkeq i përqendrimit është sjellë në Shqipëri nga Dhimitër Simoni, ish rob lufte në këtë kamp. Kurse, në tryezën tjetër, mbi flamurin gjerman është vendosur automatiku dhe doreza goditëse metalike e oficerit gjerman Fon Essen, nip i Göring-ut, vrarë në Luftimet e Pezës.
Kur del nga ekspozita dhe ndërsa në Tiranë çdo aktivitet që zhvillohet këto ditë i atribuohet 65-vjetorit të Festës së Çlirimit dhe 97-vjetorit të Pavarësisë, ndjen se ekspozime të tilla bëjnë mirë jo vetëm për të kujtuar, dëshmuar luftën dhe historinë, por që mund t'u vijnë në ndihmë të rinjve për të krijuar një imazh për historinë e kësaj epoke nëpërmjet fotografive të cunguara të librave shkollorë.
"Kjo ekspozitë është një kontakt që ne bëjmë me historinë, me ndërgjegjen tonë kombëtare", tha në fund të takimit të djeshëm, drejtori i sapoemëruar i Muzeut Historik Kombëtar, historiani Luan Malltezi.
Ekspozita "Armët e Luftës" qëndron e hapur deri në fund të dhjetorit.