Acid për ish- të dashurën, shpallet në kërkim
Erka, V, 21 vjeçe, mori plagë të rënda në fytyrë dhe në trup dje paradite kur u sulmua nga ish -i dashuri i saj
TIRANE- Një vajzë 21- vjeçare mbeti e plagosur rëndë dje në mëngjes në bulevardin "Zogu I", në kryeqtet, kur një person ende i panjohur e sulmoi atë duke i hedhur një sasi lënde kimike gërryese e dyshuar si acid.
Erka V, 21 vjeçe, është dërguar në spital ku edhe i është nënshtruar ndërhyrjes së mjekëve dhe është në vëzhgimin e tyre, për të parë ecurinë e gjendjes shëndetësore të saj, për shkak të djegies së shkallës së rëndë që ka marrë.
Për ngjarjen e mësipërme policia dyshon se mund të jetë përfshirë ish- i dashuri i vajzës, i cili është shpallur në kërkim prej oficerëve të hetimit të drejtorisë së Policisë së Tiranës me akuzën e plagosjes së rëndë me dashje.
Shkak për ngjarjen mësohet të jetë bërë ndarja e dy të rinjve që mësohet se kanë pasur një lidhje dashurie mes tyre për një kohë të konsiderueshme, që është ndërprerë në rreth dy javë më parë.
Shkak për "divorcin" mes tyre mësohet se janë bërë mosmarrëveshjet që kishin nisur të shtoheshin gjatë kohëe të fundit të lidhjes mes tyre.
Ndërkaq, e dëmtuara mëngjesin e djeshëm, kishte pak kohë që kishte dalë nga banesa e saj pranë stacionit të trenit dhe ishte në bulevard fare pranë maternitetit të vjetër në këmbë. Ajo është sulmuar në mënyrë të papritur nga ish- i dashuri i saj i cili sipas burimeve të policisë, është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
E dëmtuara është dërguar me urgjencë në spital ku pas ndihmës së marrë ka kaluar rrezikun për jetën.
Policia ka nisur menjëherë hetimin duke marrë deklarimet e disa dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, të cilët kanë dhënë përshkrimin e personit që sipas tyre kishte hedhur lëndën e lëngshme djegëse në trupin e vajzës.
Gjithashtu të dëmtuarës i është marrë një deklarim ku ajo pohonte se personi që kishte kryer veprimet e mësipërme kishte qenë i dashuri i cili e kishte sulmuar për shkak të ndarjes mes tyre disa javë më parë.
Pas marrjes së deklarimit dhe pas kryerjes së veprimeve në vendin e ngjarjes, është shpallur në kërkim ish- i dashuri i vajzës me akuzën e plagosjes së rëndë dhe shkaktimit të dëmeve të konsiderueshme fizike me dashje.
Mjekët pohuan se aktualisht gjendja e saj është ende e rëndë ndërsa pritej që gjendja e saj të shihej në mënyrë progresive gjatë ditëve të ardhshme.
Sipas tyre, e dëmtuara duhej të mbahej nën vëzhgim për shkak se lënda që e ka dëmtuar ishte gërryese dhe se për më shumë mund të shihej gjatë ditëve të ardhshme. Të njëjtat burime pohuan se 21 -vjeçarja ka marrë dëmtime seriose në gjoks në fytyrë dhe në qafë, për të cilat edhe po merr mjekimin e nevojshëm.
Disa muaj më parë, policia arrestoi një person të dyshuar për të njëjtën vepër penale por çuditërisht në ditën e vlerësimit të masës së arrestit ai u la i lirë nga gjykata, pavarësisht plagosjes së rëndë që ishte shkaktuar ndaj të dëmtuarës.