Opozita: Protesta masive deri në hapjen e kutive
Kryetari i PS-së, Edi Rama, zhvilloi dje takim me partitë e majta e të djathta për të unifikuar qëndrimin
TIRANË - Pas grupit parlamentar socialist, edhe e gjithë opozita mbështet idenë e përshkallëzimit të qëndrimit kundrejt qeverisë aktuale deri në plotësimin e kërkesës për të bërë transparencën e zgjedhjeve të shkuara parlamentare.
Krerët më të lartë të partive opozitare kanë rënë dakord dje që të vijojnë të gjitha përpjekjet demokratike për të detyruar mazhorancën aktuale të pranojë hapjen e kutive të votimit për të bërë të mundur që shqiptarët të mësojnë të vërtetën e procesit zgjedhor të 28 Qershorit.
Duke folur pas takimit të zhvilluar me Gjinushin, Milon Veliajn, Ndokën, Ngjelën e Legisin, kreu socialist ka bërë të ditur për mediat se koha e dhënë si afat për hapjen e kutive është mundësia e vetme e qeverisë për të reflektuar, pasi në të kundërt, nëse nuk pranon të hapë kutitë për të bërë transparencën, vetvetiu pranon vjedhjen dhe deformimin e rezultatit zgjedhor. "Jemi në këtë fazë të ndërmjetme dhe kohë reflektimi për pushtetin dhe për Sali Berishën.
Ndërkohë, jemi të gjithë në një mendje, që në emër të gjithë atij populli të madh opozitar që përfaqësojmë, të refuzojmë me përbuzje jo vetëm gjuhën vulgare dhe agresive të përdorur nga Sali Berisha dhe nga lakenjtë e tij në këto ditë, por njëkohësisht edhe të gjitha insinuatat e turpshme që kërkojnë të njollosin këtë lëvizje të madhe popullore, duke e trajtuar si një episod që meriton epitete, të cilat ne jo vetëm i përçmojmë, por njëkohësisht na bëjnë edhe më të vetëdijshëm të gjithëve për natyrën e këtij pushteti", - u shpreh Rama.
Ndërsa kreu i PliDr, Spartak Ngjela, ka paralajmëruar kryeministrin Berisha se në rast se nuk do të reflektojë pozitivisht karshi kërkesave të opozitës, atëherë do të përballet me një reagim qytetar më të madh edhe se ai i 20 nëntorit.
"Ne vendosëm këtu, t'i themi edhe një herë, se në rast se pas 10-ditësh nga dita që është caktuar, nuk merr vendimin për të rinumëruar votat në qendrat që duan njerëzit, atëherë shqiptarët do të ndërmarrin protestën më të madhe masive, sepse ai indirekt ka provuar se ka manipuluar zgjedhjet", - tha Ngjela.
Nga ana tjetër kreu Socialdemokrat, duke iu referuar pikërisht deklaratave të fundit të kryeministrit Berisha, theksoi se protestat e opozitës nuk mund të frenohen nga kërcënimet e qeverisë.
"Nuk mund të ndalë protestat popullore dhe t'i intimidojë me deklaratat e tij të turpshme dhe prej frikacaku, duke i kujtuar që në vitin 1989-1990, as diktatura nuk fliste me këtë gjuhë, atëherë kur Berisha fshihej pas nesh, dhe jo që s'ka guxuar t'ju drejtohej protestave dhe popullit në këtë mënyrë, por dridhej nga ato protesta ndonëse ishin kundër komunizmit", - tha Gjinushi. Ndërsa kryetari i G99-ës, Erion Veliaj, është shprehur se Berisha me gjuhën e përdorur po stimulon dhunën.
*************************************
Ndërsa Jozefina Topalli i cilëson zgjedhjet një kapitull i mbyllur
Rama: Bojkot deri sa të hapen kutitë
TIRANË - Partia Socialiste i ka rikonfirmuar edhe një herë partnerëve ndërkombëtarë se është e vendosur për t'i shkuar deri në fund betejës së saj për të bërë transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit, si rruga e vetme për të kthyer legjitimitetin institucioneve shtetërore.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka pritur dje në një takim Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, Pierre Mirel, dhe Ambasadorin e Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, me të cilët diskutoi mbi situatën politike në vend dhe aksionin e opozitës për hapjen e kutive.
Kreu i opozitës ka bërë të ditur qëndrimin e Partisë Socialiste për të mos hyrë në Kuvend derisa ky institucion të bëhet legjitim. "Ishte një diskutim miqësor. Një diskutim i hapur, mbi të gjitha çështjet që na shqetësojnë. Unë bëra të qartë pozicionin e opozitës.
Ne nuk hyjmë në parlament deri kur të plotësohen të gjitha kushtet, që parlamenti të konsiderohet legjitim, të konsiderohet demokratik, të konsiderohet vendi ku shqiptarët përfaqësohen drejtësisht dhe ku ato që aprovohen pastaj edhe zbatohen", - tha Rama pas këtij takimi.
Ndërkohë, Rama është shprehur se gjatë bisedës i ka bërë të ditur bashkëbiseduesve evropian se transparenca e zgjedhjeve është një domosdoshmëri edhe për të ardhmen e proceseve zgjedhore që do të zhvillohen në vendin tonë, pasi në këtë mënyrë do t'i pritet rruga çdo tentative tjetër manipuluese.
Po dje, Mirel ka zhvilluar një takim me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Kjo e fundit i ka cilësuar zgjedhjet kapitull i mbyllur, teksa gjatë takimit ka falënderuar Komisionin Evropian për monitorimin e zgjedhjeve të 28 Qershorit, të cilat, sipas saj, u cilësuan si zgjedhje që arritën standardet kryesore të OSBE/ODIHR-it. Topalli u shpreh se progres raporti i Komisionit Evropian do të jetë është udhërrëfyes i punës së parlamentit.