Armët kimike në Siri, Obama në pritje të rezultateve përfundimtare
Shtëpia e Bardhë thotë se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, po pret vlerësimin definitiv lidhur me atë se a ka përdorur regjimi në Siri armatim kimik apo jo, në luftën kundër kryengritësve, para ndërmarrjes së ndonjë aksioni eventual.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, u tha sot reporterëve në Uashington, se nuk ka ndonjë afat kohor për aksion të mëtejshëm nga Shtetet e Bashkuara.
Ne po vazhdojmë të punojmë në vlerësimet e bëra nga komuniteti i inteligjencës, tha Carney.
Këto komente u bënë derisa Bashkimi Evropian ka kërkuar që Damasku ti lejojë Kombet e Bashkuara për të bërë hetime për armatimin kimik në Siri.
Qeveria e Shteteve të Bashkuara mbrëmë shpalli se agjencitë amerikane të inteligjencës kanë konkluduar me shkallë të ndryshme të besimit se regjimi i Assadit ka përdorur armatim kimik.