E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aroma e rozmarinës përmirëson memorien

BRITANI- Shkencëtarët pohojnë se aroma e rozmarinës mund t'u ndihmojë pacientëve, që t'i marrin ilaçet në kohë ose harrestarëve, që të dërgojnë urimet për ditëlindje.

Në një seri eksperimentesh është zbuluar se si njerëzit që kanë nuhatur vajin eterik të rozmarinës kanë për deri në 75 për qind shanse më shumë të mbajnë mend diçka, në krahasim me njerëzit, që nuk kanë nuhatur aromën e atij vaji. Përveç kësaj, vaji rrit dhe përmirëson memorien afatgjatë.

Ekipi i psikologëve nga Universiteti Northumbira në Newcastle (Britani) ka testuar efektin e vajit eterik të rozmarinës në njerëz. Dr. Marc Moss, një prej autorëve të studimit, ka pohuar se si dobia e kësaj arome tani është dëshmuar edhe shkencërisht.

"Studimin tonë e kemi bazuar në studimet e mëparshme për efektin e rozmarinës në memorien afatgjatë dhe në aritmetikën mendore, ndërsa jemi përqendruar në mbajtjen mend të ngjarjeve, të cilat priteshin të ndodhnin dhe disa detyra të caktuara".
(m.a/tg/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›