E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aromë derbi në Elbasan, Laze motivon verdheblutë e Filjas

elbasaniNga Maringlen Miraka

Presidenti i skuadrës, për barazimin e së shtunës në Gjirokastër, 2-2, arritur në sekondat e fundit ka dhënë premion prej 2 milionë lekë të vjetra, ndërsa ka premtuar të tjera para nëse fitohet të shtunën ndaj Shkumbinit

Aroma e derbit të prefekturës me Shkumbinin e Peqinit tashmë ka zbritur në Ruzhdi Bizhuta të Elbasanit. Duhet theksuar se të dy këto skuadra, përgjatë përgatitjeve të këtij kampionati të Kategorisë së Parë, kanë luajtur katër ndeshje miqësore, në të cilat janë arritur dy barazime (1-1 dhe 0-0), një herë ka fituar Elbasani 1-0 dhe një herë Shkumbini 3-0. Dhe me kënaqësinë e pikës së marrë në Gjirokastër, që ishte një barazim karakteri për verdheblutë e Filjas, ndërsa gjithçka është arritur në sekondat e fundit, elbasanasit kanë nisur përgatitjet për derbin e së shtunës ndaj Shkumbinit.

Të gjithë lojtarët kanë qenë në dispozicion të dyshes së trajnerëve Filja-Dosti, kurse stërvitja ka pasur karakter fizik, ndërsa në qendër të saj kanë qenë vrapimet e lehta. Trajnerët i kanë falënderuar futbollistët për lojën e bërë në Gjirokastër, në analizën e para stërvitjes, ndërsa aktualisht Elbasani ka katër pikë në dy javë.  Por për ti motivuar më shumë elbasanasit për të arritur një tjetër fitore në derbin me Shkumbinin ka ardhur dhe premio e presidentit Arben Laze, që për barazimin ndaj Luftëtarit në Gjirokastër ka dhënë 2 milion lekë të vjetra për ekipin. Dhe premio është shpërndarë dje për lojtarët, ndërsa nga presidenca është premtuar për një tjetër premio në rast të fitores me Shkumbinin.

Kjo premio ka qenë tepër e merituar për djemtë verdheblu, të cilët barazimin e kanë quajtur si fitore, pasi kishin përballë një rival direkt si Luftëtari për tu ngjitur në Kategorinë Superiore. Dhe gjatë shpërndarjes së premios, Laze, ashtu si dhe trajnerët, i ka falënderuar lojtarët që u treguan cilësor në atë barazim të minutës së fundit në Gjirokastër. Kjo nuk do të jetë premioja e fundit, ka thënë Laze, i cili, me shumë mundësi, do të përgatisë një tjetër shpërblim për fitoren në derbin e prefekturës. Bosi i klubit të Elbasanit, Laze, ka kërkuar nga drejtuesit e skuadrës preokupim maksimal për takimin me Shkumbinin dhe vëmendje të veçantë, pasi do një tjetër rezultat pozitiv për të marrë kreu e renditjes në Kategorinë e Parë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›